Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në fshatin Vojno Sellë të Komunës së Plavës:U INAUGURUA OBJEKTI I RIKONSTRUKTUAR I SHKOLLËS

Plavë – Për fshatin Vojno Sellë dhe banorët e saj, dita e hënë, më 14 tetor, ishte ditë diç më e veçantë nga ditët tjera të zakonshme. Atë ditë, në praninë e një numri të madh qytetarësh vendas, por edhe nga Plava e vendbanimet në rrethinë, të kolektivit punues e nxënësve të Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës, të kryetarit të Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktareviq, me bashkëpunëtorë, të ministrit të Arsimit, dr. Damir Shehoviq, me bashkëpunëtorë dhe të shumë personaliteteve dhe përfaqësueseve të institucioneve publike, organizatave politiko-shoqërore, kompanive e firmave private dhe OJQ-ve, që punojnë dhe veprojnë në territorin e Komunës së Plavës, atë të Gucisë dhe më gjerë, në mënyrë solemne u inaugurua – u hap objekti i rikonstruktuar i shkollës fillore pesëklasëshe të fshatit, e cila është paralele e ndarë fizike e Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës.

                Pas intonimit të himnit të Malit të Zi, moderatorja e programit të ceremonialit inaugurues, Millica Llekiq, përshëndeti gjithë të pranishmit dhe i njoftoi me rrjedhat e zhvillimit të tij, e pastaj për fjalë rasti ftoi drejtorin e Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës, mr. Igor Vukaniq, që t’u drejtohet të pranishmëve.

                Pas fjalës përshëndetëse, në emër të kolektivit të shkollës e nxënësve, në elaborimin e vet, drejtori Vukaniq në mënyrë koncize e kronologjike është përqendruar në shpalosjen e historikut të gjatë dhe të bujshëm të shkollës në Vojno Sellë, e cila në fillimin e punës së vet ishte e pavarur e në fillimin e viteve të 60-ta të shekullit të kaluar bëhet paralele e ndarë fizike e shkollës së atëhershme fillore të Plavës.

                “Me iniciativën e banorëve të fshatrave në rrethinë: Hot, Jasenicë, Gjuriq e Vojno Sellë, në vitin 1926 në fshatin fqinj, Hakaj, hapet shkolla fillore e cila më vonë transferohet në Vojno Sellë, në një godinë, e cila nuk i plotësonte kushtet për punë. Në vitin 1953, punë në procesin mësimor transferohet në objektin e shtëpisë së të rinjve, i cili është gjendur në këtë vend dhe ka qenë i hapur deri para pak vitesh. Në punën e vet shumëvjeçare, shkolla është ballafaquar me probleme të shumta”, theksoi drejtori Vukaniq dhe shtoi: “Sot kam nderin dhe kënaqësinë faktikisht të hapi objektin e ri të shkollës po në të njëjtin vend. Vlerë më të madhe inaugurimit – hapjes së sotme i jep edhe e dhëna se kjo shkollë gjithmonë ka realizuar me sukses funksionin e vet edukativo-arsimor, e këtë e dëshmon fakti se nga ajo kanë dalë doktorë, inxhinierë, profesorë, ekonomistë dhe shumë individë të tjerë të profileve të ndryshme. Për këtë jam falënderues që Ministria e arsimit, në krye me ministrin Shehoviq, ka rinjohur faktin dhe nevojën e fëmijëve tanë dhe se maksimalisht kanë qenë të përqendruar në realizimin e këtij projekti”.

                Ndërkaq, ministri i arsimit, dr. Damir Shehoviq, në fjalën e rastit është shprehur: “Kam nderë dhe privilegj që sot solemnisht ta hapi shkollën e re në Vojno Sellë, në ndërtimin, pajisjen, rikonstruksionin, rregullimin e terrenit, dhe ndërtimin e rrethojës së saj, kemi investuar rreth 230 mijë euro. Siç po e shihni edhe ju, fjala është për objekt të bukur, modern e bashkëkohor, funksional dhe energjetikisht efikas, në të cilin fëmijët tanë, në kushte të volitshme do të kenë rastin të pasurojnë dituritë e veta bashkë me mësimdhënësit e tyre. Natyrisht, kapaciteti i tërësishëm i këtij objekti është në nivelin prej afro 100 nxënësve dhe se në ditët në vijim, një numër i nxënësve tanë, do të kenë kënaqësi të ulen në bankat e saj dhe prej ditës në ditë t’i pasurojnë dituritë e veta. Këtu dëshiroj të theksoj se pa marrë parasysh ndërtimin e këtij objekti të bukur, i cili nuk është i vetmi nga fusha e objekteve të infrastrukturës arsimore, i realizuar me sukses në territorin e Komunës së Plavës”, ka theksuar ministri Shehoviq dhe ka shtuar: “Para një apo dy muajsh, kemi pasur kënaqësinë që zyrtarisht t’i hapim terrenet sportive para Shkollës fillore ‘Hajro Shahmanoviq’ në Plavë, në të cilat kemi investuar rreth 250 mijë euro, e të cilat, kam guximin të them se paraqesin njërin ndër poligonet sportive më moderne në Mal të Zi. Në të njëjtën shkollë, pak kohë më parë kemi destinuar afro 20 mijë euro në rregullimin e infrastrukturës së brendshme të saj. Po ashtu, në objektin e shkollës pesëklasëshe në Brezojevicë kemi orientuar 15 mijë euro në rikonstruksionin e saj, kurse 10 mijë euro i kemi destinuar në rregullimin e poligonit sportiv të shkollës fillore katërklasëshe në fshatin Arzhanicë të trevës së Murinës. Rreth 15 mijë euro, po ashtu i kemi orientuar për rregullimin e bravarisë në Kopshtin e fëmijëve në Plavë, kurse 70 mijë euro për rikonstruksionin e brendshëm të Shkollës fillore ‘Petar Dedoviq’ në Murinë”.

                Ministri Shehoviq ka shtuar se “në ditët në vijim do të kemi kënaqësinë që zyrtarisht t’i hapim terrenet sportive para Shkollës fillore ‘Xhafer Nikoçeviq’ në Guci, në të cilat bashkë me miqtë tanë Fondacionin ‘Gusinje’, kemi investuar rreth 300 mijë euro. Afro 30 mijë euro kemi ndarë për rregullimin e hyrjes dhe shkallëve në shkollën e përmendur. Kemi ndarë po ashtu 50 mijë euro për rregullimin e mbulesës së pullazit të shkollës në Vojno Sellë.

                Mirëpo, pa marrë parasysh numrin e realizuar me sukses të projekteve, dua të shfrytëzoj rastin të bëj me dije se këtu nuk do të ndalemi. Andaj ju informoj se në muajt në vijim, do t’i fillojmë aktivitetet serioze në ndërtimin e kopshtit të ri të fëmijëve në Plavë, në të cilin do të investohen mbi 1 milion euro. Po ashtu dëshiroj t’ua bëj me dije se kemi ndarë 120 mijë euro për rikonstruksionin e sallës së sportit të Shkollës së mesme të përzier ‘Beqo Bashiq’ në Plavë, dhe se në realizimin e këtij projekti shumë shpejt do të fillojmë. Natyrisht, nuk do të lëmë pas dore trevën e Murinës. Shfrytëzoj këtë rast t’u informoj se me 70 mijë euro të siguruara, do të bëjmë rikonstruksionin e objekteve shkollore katërklasëshe në vendbanimet Arzhanicë dhe Velikë, dhe në këtë mënyrë besoj se do të krijojmë parakushtet që fëmijët në tërë territorin e Komunës së Plavës, do të kenë hapësirë që të shkollohen duke shfrytëzuar kushtet e qëndrimit të cilat janë të përshtatshme për moshën e tyre”.

                Ministri Shehoviq, në vazhdim të elaborimit, ka shtuar: “Kur t’i mbledhim vlerësimet e tërësishme të projekteve të përfunduara pak kohë më parë në fushën e infrastrukturës arsimore në territorin e Komunës së Plavës, si dhe të projekteve të cilat i planifikojmë t’i realizojmë ne, nga Ministria e arsimit, vijmë deri te e dhëna se ajo është vlerë në nivel të rreth 2 milion eurove. E dini se kjo nuk është shumë as e vogël e as modeste dhe mendoj se do të jetë e mjaftueshme që në nivel të duhur t’i përshtatim kushtet në të cilat të rinjtë tanë do të qëndrojnë. Nëse këtyre ua shtojmë faktin se në Plavë momentalisht janë aktive gjashtë kantiere ndërtimi, vlera e tërësishme e të cilave është rreth 6 milion euro, definitivisht mund të përfundojmë konstatimin se në Plavë, kurrë më shumë nuk është punuar, e as ndërtuar, e pse mos edhe të thuhet se për të gjitha këto, merita të mëdha ka një shoqëri e re e shkathtë – udhëheqësia e re e Komunës së Plavës, e cila me qëndrimet e veta vitale ka bërë për vete qytetarët e Plavës, por edhe Qeverinë e Malit të Zi, me të cilën në partneritet, bashkë realizojnë çdo projekt, por edhe me shpresë që me një tempo të tillë do të vazhdohet në realizimin e projekteve të përmendura”, ka përfunduar ministri i arsimit, dr. Damir Shehoviq.

                Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktareviq, me admirim është shprehur: “I nderuari ministër Shehoviq, i respektuari drejtor Vukaniq, të dashur vojnoselase dhe vojnoselanë, të nderuar bashkëqytetarë dhe gjithë të tjerë të pranishëm, më ka takuar një detyrë vërtetë e pavolitshme që të flas pas ministrit Shehoviq dhe drejtorit Vukaniq dhe më besoni se ajo fare nuk është e lehtë për mua, por megjithatë, unë do të shfrytëzoj rastin që publikisht t’u falënderohem para të gjithë juve dhe opinionit të gjerë malazias, ministrit Shehoviq, jo vetëm për projektet që bashkë me Ministrinë e arsimit i realizojmë, por edhe bukvalisht në përkrahjen e përditshme të parezervë të cilën ministri Shehoviq ia kushton udhëheqësisë së qeverisjes lokale. Po ashtu do të shfrytëzoj rastin që t’u falënderohem bashkëpunëtorëve të mi, pa të cilët nuk do të kisha mundur të jam këtu ku jam, pa të cilët, çdo ditë nuk do të kisha rastin t’i hapi punishtet, shkollat, rrugët, e të përkujtohemi se në Plavë në 30 vitet e fundit, që nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nuk është investuar, aq sa është investuar në vitin e fundit. Siç tha ministri Shehoviq, bashkë me Qeverinë e Malit të Zi e Ministrinë e arsimit, në Plavë investohet diku rreth 8 milion euro. Nuk dua të them se çdo gjë më parë ka qenë keq, nuk dua të them se Qeveria e Malit të Zi nuk ka dashur. Ajo ka dashur, ka pasur vullnet të investojë, por mjerisht në Komunën e Plavës nuk ka pasur partner. Kjo më nuk është rast. Komuna e Plavës nuk është më bastion deri te i cili nuk mund të arrihet. Ajo tani është e hapur për bashkëpunim më të gjerë. Do të përmendi atë që bashkë me OJQ-të e klubet sportive kemi ringjallur Plavën në atë nivel që numri i manifestimeve gjithëpërfshirëse është shumë më i madh sesa ka qenë më herët. Dua t’ju përkujtoj se në verën që e lamë pas kemi pasur kampionatin evropian në Fly Fishing, kemi hapur terrene sportive pra Shkollës fillore ‘Hajro Shahmanoviq’ të Plavës dhe dua të jem plotësisht modest të them se jemi më të mirët në Mal të Zi dhe falë ndihmës së terreneve sportive kemi pasur mundësi që të organizojmë, ndoshta, turnirin më të madh të futboll të vogël në Mal të Zi. Falënderimin e posaçëm ia kam borxh nënkryetarit të Komunës së Plavës, z. Nihad Canoviq, i cili maksimalisht ka qenë i kyçur në organizimin dhe mbajtjen e atij eventi, i cili në një vend ka arritur t’i tubojë rreth më se 500 bashkëqytetarë në ditë”.

                Kryetari Bajraktareviq, në vazhdim ka thënë se “bashkë me miqtë e Plavës, po ashtu kemi ndërmarrë një aksion të madh në rikonstruksionin e rrugës kah Liqeni i Hridit, dhe ashtu, njërin prej margaritarëve më të bukur në trevën e Komunës së Plavës, qytetarëve tanë, turistëve dhe gjithë të tjerëve, ua kemi bërë më të afrueshëm. Do të mund të flisja orë e ditë të tëra për të gjitha ato që bashkë i kemi bërë, por mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se ato janë të qarta. Dhe në fund, dua të ceki atë që e kam thënë edhe në hapjen e shkollës. Ajo që ka qenë në kompetencën tonë, e kemi bërë, e tani ju vendës, bëni atë që ju përket juve, që këtë shkollë ta mbushni me fëmijë”, ka përfunduar kryetari i komunës, Mirsad Bajraktareviq.

                Hapjen solemne të shkollës së rikonstruktuar e ka bërë ministri Shehoviq bashkë me kryetarin Bajraktareviq dhe drejtorin Vukaniq me prerjen solemne të shiritit të kuq.

                Manifestimi solemn i hapjes së shkollës është përcjellur edhe me program të begatë kulturo-artistik të përformuar me këngë e valle nga anëtarët e SHKA “Plavsko Jezero” nga Plava dhe me recitale të nxënësve të shkollës së Vojno Sellës.

Për faqet e gazetës KOHA JAVORE

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version