Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në Mal të Zi, edhe gjashtë raste të reja të prekur me koronavirusin Covid-9

​Gjendja epidemiologjike në Mal të Zi, e shkaktuar nga koronavirusi Covid-19, gjatë disa ditëve të fundit është kryesisht konstante, me variacione të vogla. Numri i rasteve të reja të prekura me virusin Covid-19 të identifikuara në testimet e laboratorëve mikrobiologjik, gjatë 24 orëve është nën 10. 

​Instituti i Shëndetit Publik njofton se në 164 mostrat e testuaragjatë 24 orëve të fundit në laboratorët mikrobiologjik të Institutit, janë identifikuar gjashtë raste të reja të infektuar me koronavirusin e ri: pesë në Podgoricë dhe një në Tivat. Pesë raste janë të kontakteve të rasteve të mëparshme, kurse për një rast nga Podgorica, burimi i infektimit është në kërkim. 

​Në 128 mostrat e testuara dje, prej orës 08:30 deri në atë 21:00, pozitiv në koronavirus kanë rezultuar pesë persona: katër në Podgoricë dhe një në Tivat, dhe në 36 mostrat e testuara në intervalin kohor 21:00-08:30, me rezultat pozitiv ka dalë një person – nga Podgorica. 

​Nga të dhënat e sipërshënuara, rrjedh se numri i të infektuarve me virusin Covid-19 prej rastit të parë e deri më sot në Mal të Zi ka arritur në 273 (150 meshkuj dhe 123 femra), prej të cilëve 45 janë fëmijë dhe të rinj (14 të moshës 0-9 vjeçare dhe 31 të moshës 10-19 vjeçare). 

​Pasqyra numerike e komunave të prekura me koronavirusin Covid-19 është:

​Podgoricë-147, 

Tuz-36, 

Nikshiq-31, 

Tivarë-21, 

Ulqin-10, 

Andrijevicë-7, 

Bijello Pole-6, 

Herceg Novi-6, 

Budva-4, 

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

​Përfaqësuesit e Këshillit nacional koordinues, në deklaratat për media dhe opinion, kanë bërë me dije se 42 të sëmurë nga virusi Covid-19, për trajtim mjekësor janë të hospitalizuar në spitale, 21 prej të cilëve në repartet gjegjëse të Qendrës klinike në Podgoricë, tre prej të cilëve me shëndet të keqësuar (në rrezik jete) janë në përkujdesje intensive të kyçur në respirator. Në klinikën në fjalë, dje ka ndërruar jetë një i sëmurë 74 vjeçar (i kyçur në respirator), ashtu që numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit është rritur në tre. Pesë persona të shëruar janë përcjellë në shtëpi për trajtim dhe përkujdesje të mëtejme shëndetësore.

​Nga Drejtoria e policisë është kumtuar se për shkak të shkeljes dhe mospërfilljes së masës së përkohshme të ndalesës së daljes nga shtëpia dhe të lëvizjes dhe qarkullimit të njerëzve pa dhe me automjete të ndryshme pa leje dhe autorizime në hapësira publike, dje (të dielën) prej orës 11:00 deri sot në mëngjes në ora 5:00 në disa qytete të Malit të Zi, policia ka procesuar 65 qytetarë. 

​Në shtetet e rajonit, nga pasojat e pandemisë Covid-19, gjendja epidemiologjike ende është alarmante. Në Kosovës sidomos, situata ditëve të fundit ka eskaluar dhe është emergjente. Numri me raste të reja të prekura me koronavirus është gjithnjë më i madh. Në ditën e djeshme, e cila padyshim është më e rënda dhe më e hidhura për Kosovën, është arritur kulminacioni i numrit me raste të reja të prekura me virusin Covid-19. Në testimet laboratorike të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Republikës së Kosovës, janë zbuluar 79 raste me rezultat pozitiv në trevat e disa komunave të saj. 

​Të dhënat e fundit dëshmojnë se numri i të infektuarve, të shëruarve dhe të vdekurve është i dukshëm, ku më shumë e ku më pak:

​Në Shqipëri: 467 të infektuar, 217 të shëruar dhe 23 të vdekur;

Në Kosovë: 362 të infektuar, 59 të shëruar dhe 7 të vdekur;

Në Serbi: 3630 të infektuar, 400 të shëruar dhe 80 të vdekur;

Në Kroaci: 1600 të infektuar, 373 të shëruar dhe 23 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1018 të infektuar, 206 të shëruar dhe 39të vdekur;

Në Slloveni: 1212 të infektuar, 152 të shëruar dhe 55 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 828 të infektuar, 41 të shëruar dhe 34 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version