Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në Mal të Zi rritet numri i pacientëve të shëruar, kurse zvogëlohet numri i rasteve të reja të regjistruara me virusin Covid-19

Falë punës së përditshme dhe të pamohueshme dhe angazhimit e kontributit maksimal të të gjitha strukturave të përsonelit mjekësor e medicinal të institucioneve relevante shëndetësore në Mal të Zi, por edhe të qytetarëve në përfilljen dhe respektimin e pa rezervë të masave mbrojtëse, urdhëresave dhe rekomandimeve të organeve relevante të Qeverisë, gjendja epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme dhe stabile, por ende nën kontrollë, e këtë e dëshmojnë të dhënat se në ditët e fundit numri i pacientëve të shëruar nga virusi Covid-19 është në rritje graduale, kurse ai i rasteve të reja të infektuara në zvogëlim të dukshëm. Si rezultat i gjithë kësaj është vendimi i Trupit nacional koordinues për zbutjen e ca masave të përkohshme mbrojtëse në tërë territorin e Malit të Zi, ndër të cilat përmendim zgjatjen e kohës së lirë të lëvizjes së qytetarëve në të gjitha ditët e javës, prej orës 05:00 në mëngjes e deri në atë 23:00 të natës, dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Komunës së Tuzit sikurse për të gjithë qytetarët e të gjitha komunave të Malit të Zi, si dhe shkuarjen e tyre lirshëm në Podgoricë.

Të dhënat e Institutit të shëndetit publik tregojnë se në 492 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit, gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, është regjistruar vetëm një rast i ri i diagnostifikuar pozitiv në virusin Covid-19. Rasti është nga Budva, me burim infektimi nga kontakti i rasteve të mëparshme.

Në 210 mostrat e testuara dje (të martën) prej orës 08:30 deri në atë 16:00, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i infektuar me koronavirusin Covid-19, dhe në 282 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:00-8:30, është regjistruar një rast i ri me rezultat pozitiv në virusin Covid-19. Rasti është nga Budva.

Të dhënat e sipërshënuara dëshmojnë se numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në Mal të Zi, prej rastit të parë të regjistruar e deri më sot ka arritur në 314 (174 meshkuj dhe 140 femra), prej të cilëve 56 janë fëmijë dhe të rinj (22 të moshës 0-9 vjeçare dhe 34 të moshës 10-19 vjeçare).

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-161,

Tuz-37,

Nikshiq-33,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Plavë-6,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: drejtori i Institutit të shëndetit publik, prof. dr. Boban Mugosha dhe drejtori i Qendrës urgjente në Qendrën klinike të Malit të Zi dhe anëtar i shtabit të krizës medicinale, dr. Nermin Avdiq, në konferencën për media kanë dhënë një vistër përgjigjesh koncize me të dhëna të bollshme e shumë përfshirëse në pyetjet e parashtruara të gazetarëve.

Në fillimin e punës së konferencës, dr. Mugosha pas të dhënave të komunikuara me shifra e fjalë mbi gjendjen epidemiologjike në 24 orët e fundit në Mal të Zi, gazetarët dhe opinionin i ka njoftuar me vendimin e zbutjes të ca masave të përkohshme të mbrojtjes së shëndetit dhe të jetës së njeriut nga virusi Covid-19, i miratuar në mbledhjen e Trupit nacional koordinues, të mbajtur dje (të martën) në marrëveshje me Institutin e shëndetit publik.

Drejtori i Qendrës urgjente, dr. Avdiq, të pranishmit në konferencë në mënyrë koncize dhe analitike shprehur me shifra dhe fjalë, i ka njoftuar me gjendjen momentale të të hospitalizuarve në Qendrën klinike, por me vështrim gjithëpërfshirës në qendrën që ai e menaxhon. Ka theksuar se në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë janë të hospitalizuar 16 të sëmurë nga koronavirusi, 11 prej të cilëve janë në Klinikën infektive, gjendja e të cilëve është e mirë dhe stabile. Në Klinikën interne, janë 5 të sëmurë, 3 prej të cilëve për shkak të gjendjes së rënduar – në rrezik jete, janë në trajtim dhe përkujdesje intensive, dy janë të kyçur në respirator.

Dr. Avdiq, në vazhdim ka bërë me dije se në spitalet e caktuara të Malit të Zi, janë të hospitalizuar 34 të sëmurë nga koronavirusi: në Qendrën klinike në Podgoricë – 16, në Spitalin e Tivarit – 9, në atë të Nikshiqit – 8, dhe në Spitalin e Beranit – 1. Ai ka shtuar se deri më tani si pasojë e infektimit me koronavirus kanë vdekur 5 të sëmurë dhe 101 sish janë shëruar dhe për trajtim të mëtejmë gjenden në shtëpitë e veta: në Podgoricë – 37, Tuz – 30, Tivarë – 8, Andrijevicë – 7, Ulqin – 6, Budvë e Herceg Novi nga 4, Tivat e Bijello Pole nga 2 dhe në Danillovgrad – 1.

Gjendja epidemiologjike në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në 24 orët e fundit ka këta parametra:

Në Shqipëri: 634 të infektuar, 356 të shëruar dhe 27 të vdekur;

Në Kosovë: 604 të infektuar, 128 të shëruar dhe 18 të vdekur;

Në Serbi: 6890 të infektuar, 977 të shëruar dhe 130 të vdekur;

Në Kroaci: 1908 të infektuar, 801 të shëruar dhe 48 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1342 të infektuar, 437 të shëruar dhe 51 të vdekur;

Në Slloveni: 1353 të infektuar, 205 të shëruar dhe 79 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1231 të infektuar, 224 të shëruar dhe 55 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version