Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në Plavë edhe një rast i ri i diagnostifikuar me koronavirus

Laboratorët e Institutit të shëndetit publik në mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit, kanë identifikuar edhe një rast të ri të infektuar me koronavirus nga Plava.

“Fjala është për personin me vendbanim në Plavë, i cili është i vendosur në karantinin institucional në Ulqin dhe i cili para 13 ditësh ka udhëtuar nga Bota e jashtme”, thuhet në komunikatën e ISHP-së.

Ndërkaq, nga të dhënat e shërbimit të institucionit në fjalë rrjedh se në 243 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, janë regjistruar 2 raste të reja të infektuara me virusin Covid-19: në Nikshiq – 1 dhe në Plavë – 1. Rasti në Nikshiq është rast i kontaktit familjar, kurse për rastin e ri në Plavë, burimi i infektimit është në hulumtim.

Në 88 mostrat e testuar dje (të mërkurën), prej orës 08:30 e deri në atë 16:45, është identifikuar një rast i ri me rezultat pozitiv me koronavirus. Rasti është nga Nikshiqi, dhe në 155 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:45-08:45, është regjistruar një rast i ri, rasti është nga Plava, siç u theksua edhe më lart.

Parametrat e sipërshënuar, dëshmojnë se numri i të infektuarve me virusin Covid-19, prej rastit të parë e deri më sot në Mal të Zi, ka arritur në 316 (175 meshkuj dhe 141 femra), prej të cilëve 57 janë fëmijë dhe të rinj (23 të moshës 0-9 vjeçare dhe 34 të moshës 10-19 vjeçare).

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-161,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: shefja e repartit epidemiologjik për sëmundje infektive në Institutin e shëndetit publik, dr. e shkencave medicinale, Sanja Medenica, dhe ndihmësi i drejtorit të Qendrës klinike të Malit të Zi, dr. Sasha Radoviq, në konferencën për media, kanë dhënë një sërë përgjigjesh koncize e analitike me të dhëna shumë përfshirëse në pyetjet e gazetarëve, mbi gjendjen epidemiologjike në vend.

Doktoresha Medenica, në prononcimin e vet në fillim të punës së konferencës, të pranishmit i ka njoftuar mbi gjendjen dhe situatën e përgjithshme epidemiologjike në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit, duke theksuar se numri i të infektuarve në Mal të Zi ka arritur në 316 dhe se gjatë 24 orëve të fundit janë shpallur të shëruar 15 persona pas rezultateve të dyta negative në koronavirus (në Podgoricë – 10, Nikshiq – 3 dhe Danillovgrad – 2) dhe se numri i të shëruarve ka arritur në 116, duke shtuar në vazhdim se nga koronavirusi 5 persona kanë vdekur dhe se momentalisht me koronavirus janë të infektuar 195 persona.

Ndërkaq, kolegu i saj, dr. Sasha Radoviq, të pranishmit i ka njoftuar se momentalisht në spitalet e caktuara për të prekur me koronavirus janë të hospitalizuar 29 të sëmurë për trajtim mjekësor: në Spitalin e Tivarit – 7, në atë të Nikshiqit – 4, në Spitalin e Beranit – 1 dhe në Qendrën klinike në Podgoricë – 17. Në Klinikën infektive të kësaj qendre,

gjenden 10 të sëmurë në gjendje të mirë dhe stabile, në Klinikën interne janë të shtritë 4 të sëmurë, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë – të rrezikuar me jetë, 2 të kyçur në respiratorë.

Gjendja epidemiologjike në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në 24 orët e fundit ka këto parametra:

Në Shqipëri: 663 të infektuar, 385 të shëruar dhe 27 të vdekur;

Në Kosovë: 630 të infektuar, 138 të shëruar dhe 18 të vdekur;

Në Serbi: 7114 të infektuar, 1025 të shëruar dhe 134 të vdekur;

Në Kroaci: 1950 të infektuar, 869 të shëruar dhe 48 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1368 të infektuar, 460 të shëruar dhe 53 të vdekur;

Në Slloveni: 1366 të infektuar, 211 të shëruar dhe 79 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1259 të infektuar, 272 të shëruar dhe 56 të vdekur.

Theksojmë se në bazë të të dhënave statistikore mbi numrin e të infektuarve dhe të vdekurve në shtetet e rajonit, shkalla e vdekshmërisë (mortalitetit) nga virusi Covid-19 është më e ulëta në Mal të Zi, këtë e ka vërtetuar edhe drejtori i Organizatës botërore të shëndetit për Evropë, z. Hans Kuge, duke theksuar se shkak janë masat e ndërmarra me kohë.

Në krahasim (raport) me numrin e të infektuarve, shkalla më e madhe e vdekshmërisë nga koronavirusi është në Slloveni – 5,56%, në Shqipëri – 5,16%, në Maqedoninë e Veriut – 4,23%, në Bosnjë e Hercegovinë – 3,63%, në Kroaci – 2,51%, në Serbi – 1,91% dhe në Mal të Zi – 1,63%. Për shkallën e vdekshmërisë në Kosovë nuk ka të dhëna statistikore nga organi relevant.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version