Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë

Diskursi demografik

Të dhënat e publikuara nga Instituti  i Statistikave (INSTAT) në lidhje me regjistrimin e popullsisë në vitin 2023, dëshmojnë se në Shqipëri banojnë  2,402,113 banorë, ku 50.4% janë të gjinisë femër, ndërsa 49.6% janë meshkuj, ndërsa sipas strukturës kombëtare 91% janë shqiptarë, 2,8% minoritete dhe 5,6% nuk janë deklaruar. Ne krahasim me regjistrimin e fundit (2011) del se janë rreth 420 mijë banorë me pak, që është dëshmi e procesit të  emigrimit të popullsisë me pasoja të shpopullimit të vendit.

Dr. Nail Draga

Më së fundi me 28 qershor  nga Instituti i Statistikës(INSTAT)  u publikuan të dhënat nga regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, ku është vlerësuar  se më datë  18 shtator 2023,  në vend janë  2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa.

Ndryshimet demografike në kohën e tranzicionit

Ndonëse në regjistrimin e popullsisë në vitin 1989, popullsia e Shqipërisë kishte 3.2 milion banorë, pas vitit 1990, apo siç njihet koha e tranzicionit,  ajo  nisi të zvogëlohet duke shënuar  një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë.

Kemi të bëjmë me ndryshime shoqërore e politike, sepse nga viti 1990 edhe në Shqipëri u miratu pluralizmi politik, ku rol të veçantë ka luajtur dukuria e emigrimit të popullsisë, me ç´rast ndikoj në uljen e lindshmërisë, e me këtë  në zvoglimin e popullsisë, qe u dëshmu në regjistrimet vijuese të popullsisë: 3,1 milion(2001), 2,8(2011) dhe 2,4(2023). Pikërisht regjistrimi i fundit, është nën ate te mbajtur  në vitin 1979, ku popullsia e Shqipërisë ishte 2,6 milion banorë.

Numër i lartë i të emigruarve

Në dekadën e parë poskomuniste në Shqipëri 1990-2001, numri i të emigruarve llogaritet rreth 650 mijë individë, duke vazhduar me të njëjtin trend edhe në vitet vijuese. Kështu, nga viti 2001-2011 vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria,  nga del se kemi të bëjmë me një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Në disfavor të shtimit natyror të popullsisë është edhe lindshmëria, sepse  numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive.

Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive.

Nëse krahasojmë të dhënat nga regjsitrimi i fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, kur popullsia ishte 2.821.977 banorë, ajo pësoi rënie 420 mijë banorë më pak.

Në sajë të regjistrimit të popullsisë janë siguruar të dhëna të vlefshme për të hartuar strategji kombëtare, për të udhëhequr zhvillimin mbi ekonominë, arsimin, punësimin, shëndetësinë, kushtet e banimit, karakteristikat etno-kulturore dhe për të ndihmuar në kuptimin e nevojave në ndryshimet popullsisë si dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Popullsia sipas qarqeve

Në sajë të dhënave të publikuara sipas qarqeve në Shqipëri  pothuaj 1/3 e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës (32%) ndërsa më pas me 10% janë Fieri e Elbasani, Durrësi (9%), Korça (7%), Shkodër, Vlorë e Berat (6%), Dibër e Lezhë (4%), ndërsa si më parë edhe tash qarqet me më pakë banorë janë ai i Kukësit dhe i Gjirokastrës (3%), të cilët veçohen jo vetëm me emigrim të theksuar të banorëve.

Struktura kombëtare me ndryshime të minoritetet

Në sajë të dhënave për strukturën kombëtare të popullsisë dominojnë  shqiptarët  me 2.186.917 banorë(91%), ndërsa pjesën tjetër prej 2.8% e përbëjnë  minoritetet  e 5.6% janë të pa deklaruar në aspektin kombëtar.

Në kuadër të  minoriteteve  janë paraqitur ndryshime të theksuara. Në këtë aspekt  me të numërt vazhdojnë të  jenë grekët me  23.485 banorë, ndërsa të minoritetet tjera janë paraqitur ndryshime sasiore qe janë si ne vijim;  të deklaruar  si egjyptianë  12.375 banorë, romë 9813, bullgarë 7057, boshnjakë 2963,  arumunë 2459,  maqedonas  2281,serbë  584, malazezë  511, ndërsa pa përgjigje janë 134.507 qytetarë.

Struktura fetare pësoi ndryshime

Ne lidhje me strukturën fetare të popullsisë, del se kemi ndryshime ne krahasim me regjistrimin e fundit të popullsisë. Me të shumtë janë pjesëtaret e përkatësisë së fesë islame 45.7%, bektashi  4.8%, ateist 4.0%, ortodoks 7.2%, katolikë 8.4%, të papërcaktuar 19.4% dhe pa përgjigje 10%.

Reagime ndaj rezultatëve të publikuara

Në atë ditë qe u publikuan të dhënat nga regjsitrimimi i popullsisë, reaguan nga Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), si e vetmja parti që përfaqëson interesat e komunitetit maqedonas në Shqipëri, shpreh indinjatën dhe mospranimin e rezultateve të publikuara të Censusit 2023, duke theksuar se shifrat për minoritetin maqedonas janë të manipuluara dhe të falsifikuara.

Procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ishte i drejtë dhe transparent, dhe nuk u zbatuan standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit, duke kërkuar që të bëhet një census i ri. AMIE shton se në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobordës ku jeton minoritet maqedonas është bërë presion nga ana e Bullgarisë dhe janë dhënë pashaporta për qytetarët shqiptarë.

Një nga problemet që kemi pasur gjatë periudhës përpara fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe gjatë tij   ështe presioni nga ana e Bullgarisë që minoritetit maqedonas të deklarohet bullgar.

Ky presion vinte pas njohjes nga Shqipëria në vitin 2017, të një minoriteti inekzistent bullgar brenda kufijve të saj, pas kërcënimit të Bullgarisë me vendosjen e vetos ne rrugën evropiane, ku sipas të dhënave zyrtare të censusve të realizuara ndër vite si dhe censusi i vitit 1989 dhe ai i fundit në vitin 2011, në Shqipëri nuk është vetdeklaruar asnjë banor si bullgar.

Nga publikimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë  përveç maqedonasve nuk ka ndonjë reagim tjetër ne lidhje me prezantimin e të dhënave sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë, çështje e cila ka të bëjë me identitetin e çdo qytetari në Shqipëri.

Ortodoksët e katolikët të pakënaqur me regjistrimin

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar lidhur me  regjistrimin e  popullsisë, duke kundërshtuar rezultatin e deklarimit të besimit fetar. Sipas regjistrave tanë të pagëzimeve, thuhet në deklaratën e kishës tregohet qartë se numri i të krishterëve ortodoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens, duke kujtuar se sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; ortodoksët 22.3% dhe katolikët 10%.

Në lidhje me regjistrimin e popullsisë  kanë reaguar edhe  nga  Konferenca Ipeshkvnore  e  Shqipërisë, ku kanë  shprehur dyshime për numrin e katolikëve të regjistruar. Siç duket ky regjistrim ka nxitur qe ky komunitet të angazhohen për të kryer një regjistrim në famullitë e dioçezat, për të eliminuar dilemat e prezantuara  për pjesëtarët e komunitetit katolik në Shqipëri.

Nga të dhënat e prezantuara për regjistrimin e popullsisë sipas strukturës fetare del qartë se qytetarët nuk kanë treguar ndonjë përkushtim personal ne lidhje me këtë strukturë  që dëshmohet edhe nga të dhënat numerike. Kështu, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (13.8%), të atyre që preferuan të mos përgjigjen (10.2%), dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm (5.6%) – që  në total  janë 29.6% – e bën të paplotë tablonë e besimeve fetare në  Shqipëri. Kemi të bëjmë me  një te dhënë  e cila meriton një analizë të veçantë, për të dhënë përfundime të pranueshme se cili ishte ai faktor për një deklarim të tillë, si asnjëherë deri më tash.

Popullsia po plakët

Në krahasim me regjistrimin e vitit 2011, kur mosha mesatare e popullsisë ishte 35 vjeç, kësaj here ajo pësoi ndryshime dhe është 42.5 vjeç, pra për 7 vjet më shumë  që është dëshmi se popullsinë e Shqipërisë e ka përfshi moshënimi demografik, proces i cili do të jetë me pasoja afatgjate në popullsinë e vendit.

Shpopullimi proces me pasoja

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se në regjistrimin e popullsisë i cili ishte i dymbëdhjeti në historinë e shtetit shqiptar,   popullsia rezidente ishte 2,402,113 banorë. Ndërsa dymbëdhjetë vjet më parë, në regjistrimin e vitit 2011, popullsia faktike ishte 2.8 milionë banorë ndërsa shtesa natyrore për periudhën 2012-2023, pra diferenca mes qytetarëve të lindur dhe atyre të vdekur, është 88 mijë vetë. Kjo do të thotë se në rast se Shqipëria nuk do të kishte emigrim, popullsia do të shtohej me 88 mijë vetë në vend që të tkurrej me 400 mijë.

Por, nuk ka dilemë se numri i shqiptarëve që kanë përjetuar emigrimin ka gjasa që është më i lartë për shkak se në popullsinë rezidente 2023, përfshihen edhe shqiptarët që emigruan në dekadat e mëparshme dhe  u  rikthyen në vend në dekadën e fundit.

Pikërisht nga këto te dhëna del  qartë  se  në çdo vit përgjatë 12 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar së paku  40 mijë vetë ose gati 1.5% e popullsisë rezidente. Kjo e dhënë dëshmon në mënyrë transparente  se Shqipëria po shpopullohet, me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare tash e në të ardhmën.

(Korrik 2024)

Exit mobile version