Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Në Tiranë është themeluar Këshilli Koordinues i Diasporës shqiptare

Përveç diskutimeve, Këshilli ka zgjedhur edhe drejtuesit e tij, ku kryetar u zgjodh Mark Gjonaj, Nënkryetare Anila Hyka Smorgra dhe Sekretare, Ardiana Fishta Bejko.

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës në Shqipëri, më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës, me qëllim diskutimin për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli.

Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, i cili në fjalën e tij, falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm.

Më tej, ministri Majko theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.

“Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat, përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.

Mbledhja u drejtua nga anëtari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Takimin e përshëndeti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, të cilët theksuan rolin e Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë dhe solidaritetin dhe kontributin e saj me familjet e prekura nga tërmeti.

Këshilli Koordinues i Diasporës, i përbërë nga 15 anëtarë, të cilët kanë status të veçantë, është krijuar me qëllim nxitjen e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.

Me këtë rast Lazim Destani, është shprehur i lumtur për formimin e këtij Këshilli, i cili ka për qëllim t’i përfshijë gjithë shqiptarët kudo në botë transmeton Plava e Gucia Sot.

“Jam i gëzuar që ëndrrat e shqiptarëve të Diasporës po realizohen. Jemi të bashkuar e të organizuar. Për dy ditë me radhë, Këshilli Koordinues i Diasporës u mblodh në Tiranë, ku bashkërisht takuam drejtuesit e shtetit shqiptar, diskutuam së bashku me ta nevojat e Diasporës mbarëshqiptare dhe u shprehëm të gatshëm që të japin kontributin tonë, të bëjmë më shumë për atdheun!” ka shkruar Destani.

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version