Nga: Azgan HAKLAJ
Simboli kombëtar dhe shtetëror
Konstruktor i Shtetit të Përqendruar Arbëror, me bazë nacionale që sot quhet shtet komb.
Të gjithë studiuesit prestigjiozë të kohërave dëshmojnë se tribalët e Vjosava Kastriotit dhe Vrana Kontit janë ilirë. Ajo ishte mbesa e Lek Dukagjinit.
Arbërorët e quanin Kryezot.
Studiuesit e artit ushtarak e kanë vendosur në Panteonin e strategëve gjenialë përkrah Aleksandrit të Madh, Jul Qezarit, Kostandinit të Madh, Napoleon Bonapartit.
Shumë kritikë e krahasojnë me Rikard Zemërluanin, me Frederiko Barbarosën.
Disa studiues e krahasojnë me Babain e Evropës, Karlin e Madh.
Ndërsa unë në këtë rekuem do ta emërtoj;
Moisiu ynë.
Aureola e lavdisë me të cilën kryetrimi shqiptar u rrethua qysh në të gjallë të tij na shfaq një dimension të mahnitshëm të emblemës së shëndritshme të Shqipërisë dhe Evropës njëherësh.
Dimension i një prijësi, strategu, udhërrëfyesi të pagabueshëm të popullit të vet nëpër terrin dhe shtrëngatat e historisë.
Ashtu si Moisiu rreth 3300 vjet më parë, Gjergj Kastrioti ynë në betejat e tij epike u riktheu bashkëatdhetarëve të vet Tokën e premtuar, trojet amtare, mijëravjeçare të uzurpuara me zjarr e hekur, me dredhi e pabesi nga pushtuesit turq.
Kur u shfaq Gjergj Kastrioti në skenën e historisë për t’u bërë protagonisti absolut i epopesë që mban më meritë emrin e tij Arbëria ishte një vend i robëruar dhe stergjyshërit tanë vuanin në skllavërinë e sulltanit ashtu si izraelitët në skllavërinë e fareonit të Egjiptit.
Burrështetasi i madh e me vizion të jashtëzakonshëm, heroi ynë kombëtar e njihte me refleksion historinë e mbretërive iliro-dardane, atë të Shtetit të Arbërit dhe të dinastive të njohura të Balshajve, Arianitëve, Muzakajve, Topiajve, Dukagjinëve, Zenebishtëve, Shpatajve.
Ai nuk ja lejoi vehtes dhe princërve arbërorë të binin në gabimet e tē shkuares së largët dhe të afërt historike.
Me Besëlidhjen e Lezhës ju dha shqiptarëve kohezionin e brendshëm politiko- ushtarak dhe moral, i cili ju kishte munguar duke u bërë faktor themelor’ në betejat çlirimtare e në krijimin e shtetit të përqendruar arbëresh të trojeve shqiptare, si bazament i shtetit nacional që sot në gjuhën juridike e diplomatike emërtohet shteti komb.
Gjergj Kastrioti-Skenderbeu e nxori popullin e tij nga zinxhirët e skllavërisë aziatike dhe e riktheu atë në familjen e popujve të lirë të Europës Perëndimore duke e projektuar kështu të ardhmen e tij të shkëputur njëherë e përgjithmonë e jashtë demonit të perandorive turko-bizantine.
Heraldika, stema e flamuri që na la, shqiponja dy krenare në fushë të kuqe, e kurorëzuar me stemat mbretërore dhe yllin 6 cepësh të Balshajve, simbol ky i yllit të Davidit të Kombit të zgjedhur Hebre na tregojnë qartë e pa ekuivoke simbolikën e shtetit që Heroi Kombëtar krijoi në zjarrin e betejave.
Rendësinë që ky burrështetas gjenial i jepte historisë së lashtë të shqiptarëve e bënte për ti treguar botës se Atdheu i Tij, ishte një vend që duhet të respektohej, jo nga madhësia e territorit, por nga lashtësia e tij dhe kontributi që ka dhanë në historinë e njerëzimit, përmes personaliteteve të shquara shqiptare.
Kur princi Orsini i akuzonte arbërorët si njerëz të pagdhendur, pa kulturë e histori, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu shkruante;
Në mos me gënjevshin kronikat e vjetra ne jemi pasardhësit e Pirros që luftoi me romakët dhe u nda me nder, ne jemi pasardhës të fitimtarit Aleksandrit të Madh.
Per çfarë më flet ti për tarentinët e tu, rracë nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar.
Orientimi politik i Shtetit Arbëror dhe aleancat e fuqishme që Gjergj Kastrioti-Skenderbeu krijoi me Mbretërinë Hungareze, atë të Napolit, me Raguzën, Venedikun e Papatin krijuan de fakto një aleancë europiane antiturke në krye të së cilës qëndronin arbërit të udhëhequr nga Prijësi i tyre legjendar.
Se kush ishte dhe çfarë është akoma statura e Gjergj Kastriotit si simbol i lirisë së Shqiperisë, dhe njëherësh si strateg e burrështeti i koalicionit botërorë, që frenoi për 25 vjet vershimin e armatave turke drejt perëndimit duke i hapur rrugë Rilindjes Europiane, e tregon pupullariteti i jashtëzakonshëm me të cilën u prit botimi i parë i veprës së Barletit në Romë, në vitin 1510-të.
Brenda një dekade kjo kryevepër e historisë shqiptare u ribotua 30-të herë në gjuhët kryesore të kontinentit, duke i dhënë Heroit tonë Kombëtar dhe Epopesë së udhëhequr prej tij një vend nderi e të pavdekshëm në historinë e kombeve.
Sot bibliografia e veprave kushtuar Gjergj Kastriotit Skenderbeut i kalon 1200 titujt, duke e berë kampionin tonë të lirisë një nga personazhet më të lançuara të historisë, figura e të cilit jo vetëm nuk është zvetënuar gjatë shekujve, por përkundër është kthyer në burim frymëzimi për popujt që luftojnë për liri.
Ai vjen në ditët tona me staturën e një heroi modern siç shprehet me të drejtë një autor i njohur italian në librin e tij të titulluar;
“Skenderbeu një hero modern”.
Pertej portretit të strategut gjenial të betejave, Heroi ynë ishte dhe një diplomat e humanist i kalibrit të lartë.
At Dhimiter Frangu biografi e bashkohësi i tij na tregon se në Shtetin e Gjergj Kastriotit- Skenderbeut ishte hequr denimi me vdekje, një fakt mahnitës, të cilin Europa e qytetruar e ka bërë vetem para 2-3 dekadash.
Marrëdheniet diplomatike dhe aleancat me fuqitë e mëdha europiane të kohës mbretëritë Polake, Hungareze, Aragonase, Papatin, Republikën e Raguzës e të Venedikut tregojnë jo vetëm vizionin e jashtëzakonshëm të Prijësit Shqiptar por dhe faktin se stërgjyshërit tanë arbërorë së bashku me hungarezët shiheshin në Europën Perëndimore si faktori detërminues në rezistencën antiosmane dhe si forca kryesore goditëse në planet e Vatikanit e të Papa Piut të Dytë, me rastin e organizimit të një kryqëzate paneuropiane antiturke.
Pushtimi i Kostadinopojës nga Sulltan Mehmeti i Dytë në vitin 1453 i tregoi Europës së çfarë rreziku i kanosej nga fuqia e Mehmetit Dytë, i cili e kishte shpallur vehten Perandor të dy Romave.
Sulltani turk i dërgon me anë të ambasadorit të tij Prijësit Shqiptar një letër me dy fraza ku shkruhej;
“Kostadinopoja ra” Sulltan Mehmeti.
Luani Shqiptar i kthen po ashtu një përgjigje të shkurtër e krenare;
” Kruja nuk do të bjerë kurrë” Gjergj Kastrioti.
Pritja që i banë Heroit Kombëtar Shqiptar papët e Romës, kolegji i kardinalëve, paria e populli i qytetit të përjetshëm në viziten e tij në Vatikan, janë evenimente që nuk i janë rezervuar asnjë perandori, mbreti apo burrështetasi në shekujt e mëvonshëm.
Emrimi nga Papa Piu i Dytë si Kapiten i Përgjithshem i Selisë së Shenjtë, apo thënë ndryshe Komandant i Ushtrisë Aleate të Europës, na sjell në mendje se qysh në të gjallë të tij Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ishte ngjitur në Apogjeun e lavdisë së përjetshme, duke u bërë personaliteti më i fuqishëm i epokës.
Nëse Karli i Madh me të drejtë quhet Babai i Evropës, katër shekuj më vonë historia e vendosi Heroin tonë Kombëtar në piedestalin e kryembrojtësit e të kampionit të lirisë së saj.
Këtë fakt e thekson fort albanologu me famë botërore Milan Shuflaj kur shprehet;
“Produkti më hyjnor, luftëtari më i tmerrshëm që prodhoi perplasja e Evropës me turqit është Gjergj Kastrioti.
Pas goditjes së tmerrshme që mori në Albulenë me dt 7 shtator 1457-të Sulltan Mehmeti nuk guxoi të sulmonte Shqiperinë për 5 vjet.
Kanë mbetur proverbiale fjalët e tij kur mori vesh për vdekjen e Kryetrimit tonë;
”Luan të tillë nuk do ta lindë më dheu kurrë.
Mjerë krishtërimi që i iku shpata e mburoja”.
Personalitetet më të shquara të Europës përgjatë shekujve janë përulur para tij dhe kanë evokuar historinë e figurën vigane të Gjergjit të Madh.
Mbreti Ferdinand e quante Baba, Papët Nikola, Kalisti e Piu i Dytë Atlet i Krishtit.
Mbretëresha Elisabetë e Parë shfarosës i turqëve.
Volteri shprehej;
” Sikur perandoret e Bizantit të ishin si Skenderbej, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar”.
Perandori Napoleon Bonaparti e radhiste Gjergjin e Madh me pesë gjeneralët më të medhenj të kohrave.
Simbolika e Besëlidhjes së Lezhës dhe krijimi i Shtetit Arbëror të përqendruar i dhanë fund separatizmit e tradhëtisë i cili jetësoi projekt idenë gjeniale të shtetit që përfshinte të gjitha trojet shqiptare, që sot quhet Shteti Komb.
Jo vetëm Heraldika e shtetit të tij, flamuri e stama me yllin e Balshajve por së pari gjeografia e betejave çlirimtare nga jugu nē veri, nga lindja në përendim të trojeve etnike na tregojnë se Prijësi i lirisë veshtronte përtej egocentrizmit e partikularizmit të krerëve të principatave dhe e kishte qëllim të jetës së tij bashkimin e trojeve etnike arbërore nën një shtet të vetëm e nën një flamur’.
E nëse kjo nuk u realizua plotësisht në ato kohëra heroike e të trazuara amaneti i Gjergjit të Madh për bashkim kombëtar në emër të lirisë, flamuri i tij ngadhnjimtar e Kastriotizmi si filozofi nacionale janë sot premisat mbi të cilat klasa politike panshqiptare duhet të funksionojë si ansambël e të konstruktojë Shtetin Komb sipas porosisë, amanetit të Atit e Kryezotit të Arbërit Gjergjit të Madh.
Klasa politike panshqiptare duhet ta ketë të qartë se amanetin e bashkimit kombëtar të Gjergjit të Madh nuk e tret as dheu.
Sëfundmi për origjinën e Vjosava (dhe jo Vojsava) Kastriotit nënës së Gjergjit tonë theksoj se të gjithë studiuesit më me zë të kohërave deshmojnë se ajo është e bija e princit të triballëve (tribalëve) gjak me Vrana Kontin, mbesa e Lek Dukagjinit.
Këtë e deshmon Johan George Von Han.
Edhe Marin Barleti, Gjon Muzaka ashtu deklarohen. Studiuesi grek Apiani thotë se tribalët ishin fis ilir.
Po kështu edhe Stefan Bizanti, leksikolog nga Kostadinopoli i quan tribalët ilirë.
Të gjitha burimet historike të kohërave theksojnë të njëjtin fakt tribalët janë ilirë.
z Milo të lexojë e përkthejë mirë Srtabonin, Plinin, Ptolemeun dhe Dion Kassin.
Të gjithë pohojnë të njëjtën gjë:
Tribalët ishin fis ilirë.
Bota i ndërton nga balta simbolet kombëtare kurse ish ministri i jashtëm i Shqipërisë mundohet ta përbaltë simbolin e identitetit kombëtar dhe shtetëror të shqiptarizimit.
Ky është sherbimi i fundit antishqiptar.
Milo kujdes me simbolet kombëtare.
Shkëputur nga libri im Gjergj Kastrioti -Moisiu Ynë.
Vijon.
Referenca.
Marin Barleti”Historia e Skenderbeut”.
Dhimiter Frangu” Veprat e lavdishme tē Skenderbeut”.
Frang Bardhi “Përse fajsohet Skenderbeu”.
Virgjil Kule”Gjergj Kastrioti kryqtari i fundit”
Mark Milani”Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”.
Mis Edit Durham ” Brenga e Ballkanit”.
Dr. Milan Shuflaj”Akta Albania”
Dr. Abaz Ermenji” Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë”
Ak. Kristo Frashëri ” Historia e Skenderbeut”
Rezoluta e Kongresit Amerikan për Pavarësinë e Kosovës.