Dje, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër, kështu shkruan kryetari i LW në Kosovë Albin Kurti për këtë arritje të znj. Fanaj.
Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More” e cila shprehë si kujtesën e mallin për atdhe ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen, përfundon shkrimin e tij z. Kurti duke i dëshiruar suksese dhe punë të palodhshme.