Site icon PLAVA E GUCIA SOT

NEOSHQIPTARIZMI  SI VIZION E MISION KOMBËTAR

Arian  Galdini, NEOSHQIPTARIZMI,Botimet Jozef, Durrës, 2025

Si ide e koncept neoshqiptarizmi  të shqiptarët është i njohur në mes dy luftërave botërore, ku personalitete të njohura  shqiptare të kohës kanë prezantuar pikëpamjet e tyre filozofike e sociologjike, që ishte në favor të mendimit politik dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Në sajë të rrethanave shoqërore e politike pas shëmbjes së ideologjisë moniste në vendet e ish kampit socialist, shqiptarët kanë nevojë për neoshqiptarizmin sepse është  një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, duke qenë  vizion dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën

Nail  Draga

Duke marrë parasysh se në kohën e monizmit në Shqipëri, autorët të cilët kanë trajtuar neoshqiptarizmin janë ekskomunikuar, por pas miratimit të pluralizmit nga viti 1990 e  më pas kjo çështje filloj të trajtohej nga një numër i kufizuar autorësh.  Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kohë më parë Arian Galdini, opinionit i është paraqitur me botimin Neoshqiptarizmi, botuar nga Jozef në Durrës, 2025.

Autori i librit çështjen e neoshqiptarizmit e trajton duke  analizuar një numër të konsideruar personalitetesh shqiptare, duke filluar me Sami Frashërin e përfunduar me Ismail Kadarenë.

Nuk ka dilemë se përfaqësuesit e Rilindjës  Kombëtare Shqiptare ishin ata të cilët kontribuan në ngritjen e vetëdijës e ndërgjegjës kombëtare shqiptare. Dhe në fillim autori  cekën Sami Frashërin, duke theksuar veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç është e  ç do të bëhët”, e cila ishte platforma politike kombëtare. Edhe personalitetet tjera të cilët  janë të prezantuar në këtë botim në forma të ndryshme kanë dhënë kontributin  e tyre  në lidhje me idenë dhe konceptin e neoshqiptarizmit.

Në mes dy luftërave botërore, te ne shqiptarët koncepti i neoshqiptarizmit lidhet me emrat e nderuar si Branko Merxhani, Ismet Toto e Vangjel Koça. Por, duhet cekur se në atë kohë i veçantë ishte B.Merxhani me revistën “Përpjekja Shqiptare”, që ishte tribunë e mendimit shoqëror e intelektual, duke qenë model për kohën. Madje ky përmes konceptit të tij të neoshqiptarizmit kërkonte të ndërtonte një Shqipëri të bazuar mbi një elitë intelektuale dhe morale, duke përqafuar modernitetin pa humbur autencitetin kombëtar.

Komunvelti shqiptar

Por, nga kjo plejadë e personalitetesh, të prezantuara në këtë botim duke marrë parasysh se ka jetuar në kohën tonë, veçoj Arbën Xhaferin, i cili është prezantuar me konceptin    Komunveltit shqiptar. Në këtë aspekt ai ishte ideolog si rrallë kush  duke theksuar se në rrethanat aktuale shoqërore e politike, pas shëmbjes së ideologjisë moniste ne vendet e ish kampit socialist, shqiptarët duhet të formojnë   hapësirën e  përbashkët  politike, ekonomike e kulturore. Një platformë e tillë, meriton qasje të veçantë, e cila duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti ma i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Nuk ka dilemë se për realizimin e një ideje të tillë, duhen kuadra të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake.

Doktrinë kombëtare

Trajtimi dhe mbeshtetja e neoshqiptarizmit  është obligim shoqëror dhe kombëtar duke dhënë shpjegimet e duhura, duke iu venë globalizmit dhe kosmopolitizmit. Një veprim i tillë nuk do të thot se ne nuk përfillin vlerat demokratike perëndimore, por në emër të modernitetit shoqëror nuk mund të humbin  vlerat identitetare, që është kundër identitetit kombëtar shqiptar. Neoshqiptarizmi, në këtë kontekst, bëhet jo vetëm  një doktrinë kombëtare, por edhe një model për të gjitha vendet që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre në një epokë të globalizmit dhe sfidave të mëdha globale.

Neoshqiptarizmi shfaqet si një doktrinë që synon të ripërtërijë frymën kombëtare, duke u bazuar në vlerat më të mira të traditës shqiptare, familjen, meritokracinë dhe duke i harmonizuar ato me mendimin modern  konservator.

E kaluara si mësim

Siç shkruante Burke, “një komb që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të mos këtë të ardhme”. Pikërisht, në këtë frymë, neoshqiptarzmi është një përpjekje për të kujtuar,  për të mësuar,  dhe për të ndërtuar. Neoshqiptarizmi  është një udhë që fton shqiptarët të lënë pas ndasitë dhe krizën e identitetit, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi vlerat më të mira të së shkuarës dhe potencialet më të mëdha të së ardhmes.

Neoshqiptarizmi kërkon të ringjallë shpirtin e shqiptarizmit, të ndërtojë një elitë të re mendimi dhe veprimi, duke u mbeshtetur në vlera, vizion e guxim. Më një fjalë neoshqiptarizmin duhet kuptuar si rinisje kombëtare, përkatësisht një përpjekje për të ringritur ndërgjegjën kombëtare shqiptare, që nderon të kaluarën, ndërton të tashmën  dhe përgatitë të ardhmën me guxim.

Leksion i obligueshëm shkollor

Duke marrë parasysh se nxënëseve  në shkollat fillore e të mesme,  iu mungon informacioni në lidhje me konceptin dhe semantikën e neoshqiptarizmit, mendoj se është e nevojshme që në programet mësimore shkollore(fillore e të mesme) neoshqiptarizmi  duhet të jetë njësi e veçantë mësimore e programeve mësimore shkollore.

Eshtë obligim i institucionit  shtetëror që harton programet mësimore si në Tiranë e Prishtinë  që neoshqiptarizmi mos të anashkalohet por të jetë pjesë e programit mësimor, duke nxitur meditimin në favor të vlerës së identitteit kombëtar, si kudo në botën demokratike, sa më parë sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët..

Vizion dhe mision kombëtar

Neoshqiptarizmi aspiron të jetë doktrina që udhëheq këtë mision, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, duke ndërtuar ura midis brezave dhe duke krijuar një frymë bashkëpunimi midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, luginë të Preshevës e diasporë. Përfundimisht neoshqiptarizmi është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, është vizion, guxim  dhe mision për të tashmën dhe të ardhmën.

(Maj  2025)

Exit mobile version