Site icon PLAVA E GUCIA SOT

NEVOJTARËVE TË GUCISË DO T’U NDAHEN 200 PAKO ME ARTIKUJ USHQIMOR DHE MJETE HIGJIENIKE

“Me donacionin e Kryqit të Kuq të Plavës dhe në mbështetje logjistike të Komunës së Gucisë”

Guci – Në koordinim dhe komunikatë të mirë të Organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Plavë, në krye me sekretaren e Organizatës në fjalë, zonjën Ellvira Mulliq, në takimin e mbajtur të enjten, më 2 prill 2020, në kabinetin e kryetares së Komunës së Gucisë, zonjushës Anella Çekiq, në të cilin ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i komunës, mr. Huso Brdakiq, i cili njëherit është edhe anëtar i Këshillit drejtues të Kryqit të Kuq, është arritur marrëveshja që donacioni i arritur nga Kryqi i Kuq në formë të pakove me ushqim dhe mjete higjienike, të ndahet edhe në territorin e Komunës së Gucisë. Ndryshe, donacioni është siguruar përmes Kryqit të Kuq të Malit të Zi, i cili një pjesë të pakove në fjalë ia ka orientuar Organizatës së Kryqit të Kuq në Plavë të dedikuara për ndihmë nevojtarëve në komunat e Plavës dhe Gucisë.

          Sekretarja e Organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Plavë, zonja Ellvira Mulliq, ka informuar kryetaren dhe nënkryetarin e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq dhe mr. Huso Brdakiq, mbi planin e Kryqit të Kuq që 200 pako t’ua ndajë familjeve të rrezikuara sociale, familjeve pa të ardhura materiale, si dhe prindërve vetushqyes dhe të vetmuarve. Andaj, në komunikatë të ndërsjellë të mirë, është arritur marrëveshja që ndihma në formë pakosh përmes vullnetarëve, ditëve të ardhshme t’u distribuohet familjeve të cilat kanë nevoja të përmendura sociale. Me ndarjen e ndihmës në fjalë do të përfshihet edhe vendbanimi i refugjatëve në Vrujë, si dhe të gjitha familjet e rrezikuara sociale nga territori i Komunës së Gucisë. Pakot e ndihmës përbëhen nga artikujt themelor jetësor, një thes miell dhe mjete higjienike.

          Me këtë rast, Komuna e Gucisë falënderoi sekretaren e Kryqit të Kuq të Plavës, zonjën Ellvira Mulliq, për bashkëpunim me organet komunale, kujdesjen për qytetarë, si dhe për zbatimin e aktiviteteve të Kryqit të Kuq, të cilit Komuna e Gucisë do t’ia sigurojë mbështetjen logjistike për këtë aksion. Po ashtu, është arritur edhe marrëveshja që Komuna e Gucisë, Kryqit të Kuq në Plavë, t’ia sigurojë mbështetjen logjistike dhe financiare për aktivitetet e ardhshme që do të zbatohen në territorin e Komunës së Gucisë.

Shaban Hasangjekaj, gazetar dhe publicist

Exit mobile version