Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Tetor 2020
“La Croix” ka botuar, në fillim të muajit janar 1958, tre shkrime në lidhje me uljen e detyruar të një aeroplani ushatark amerikan asokohe në tokën shqiptare dhe largimin e tij nga atdheu ynë, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Një avion luftarak amerikan i detyruar të ulej në Shqipëri
La Croix, e enjte, 9 janar 1958, f.8 :
“Tetë ditë pas kapjes së Skymaster-it britanik, radioja shqiptare e dëgjuar në Beograd njoftoi se një pajisje ushtarake amerikane – aeroplani luftarak – kishte shkelur jugun e Shqipërisë dhe kishte fluturuar mbi qytetet e Përmetit, Këlcyrës dhe Beratit, duke u drejtuar kështu drejt Tiranës.
Forcat e detyruan aeroplanin të ulej në një aerodrom shqiptar, shtoi Radio Tirana, e cila tha se aeroplani pilotohej nga majori Howard Kennan dhe se një hetim ishte hapur nga autoritetet shqiptare.
Sipas autoriteteve amerikane, aeroplani i kapur u raportua i humbur më 23 dhjetor, gjatë një fluturimi Chateauroux-Napoli.”
Piloti amerikan i arrestuar nga shqiptarët do të lirohet së shpejti
La Croix, e shtunë, 11 janar 1958, f.2 :
“Oficerët e Forcave Ajrore të SH.B.A.-ve kanë njoftuar se Majori Howard Curran, pilot i aeroplanit që u zhduk para Krishtlindjeve, do të lirohet nga autoritetet shqiptare pas “dy ose tre ditësh”.
Në qarqet zyrtare të bazës amerikane të Châteauroux, deklarojnë se e kanë mësuar lajmin nga një telefonatë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Paris.
Sipas këtyre qarqeve, zyrtari i ambasadës njoftoi se Majori Curran dhe aeroplani i tij, një avion stërvitjesh T-33, do të liroheshin sa të përmirësohej koha (moti).
Ambasada e SH.B.A.-së në Paris ka shumë të ngjarë ta ketë marrë informacionin e saj në Quai d’Orsay.
Ne e dimë që z. Keller, ambasador i Francës në Tiranë, ka dhënë ndihmën e tij në zgjidhjen e kësaj çështjeje.”
Piloti amerikan i arrestuar nga shqiptarët ka pasur vetëm një defekt karburanti
La Croix, e diel, 12 janar 1958, f.2 :
“Majori amerikan Howard Curran, aeroplani i të cilit bëri një ulje të detyruar në Shqipëri më 23 dhjetor, arriti në Beograd. Majori u përshëndet ndërsa doli nga aeroplani nga konsulli dhe zëvendës atasheu i forcave ajrore amerikane, si dhe shumë gazetarë të huaj, fotografë të shtypit dhe televizionit.
I sulmuar me pyetje, ai tha se nuk e kishin detyruar të ulej, por i kishte mbaruar karburanti. Ai ishte duke udhëtuar nga baza e tij në Chateauroux për në Napoli, por humbi orientimin, pajisjet e tij të navigimit (fluturimit) nuk funksiononin normalisht. Pasi qëndroi në ajër për dy orë e gjysmë, i kishte mbetur karburant vetëm për dhjetë minuta.
Gjatë uljes, njëra prej gomave shpërtheu dhe ai nuk e dinte se ishte në një aerodrom shqiptar. Majori amerikan tha se ai ishte trajtuar mirë dhe se ishte marrë në pyetje në mënyrë normale. Ai ishte i lirë të lëvizte, por shoqërohej gjithmonë nga një ushtar shqiptar.”