Site icon PLAVA E GUCIA SOT

NGA TRASHËGIMIA KULTURORE E MITROVICËS


Prof Dr Naser Ferri

Në përvjetorin e 118 të lindjes së zt. Xhafer Deva ( 21. Shkurt 1904- 25.maj 1978)

Xhafer Deva

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë e ndërtuar në vitin 1930 sipas normave të arkitekturës dhe ndërtimtarisë evropeiane ishte ndërtesa më e lartë jo vetëm në Mitrovicë, me pêrdhesë të lartë e 2 kate, më fasadë dhe dritare të  dekoruara me girlande dhe me  derë të hyrjes të ngritur mbi disa shkallë dhe të dekoruar me shtylla që imitojnë stilin klasik korintik, me bodrum dhe infrastrukturë më moderne të asaj kohe.Në vitin 1941 në këtë godinë ishte vendosur Shtabi i ushtrisë okupuese gjermane, ndërsa në vitin 1945 tërë pasurinë e Devës (fabrikën, 3 shtëpi e mjaft patundshmëri të tjera) e kishin konfiskuar komunistet. Gjatë periudhës 1946-1959 në këtë shtëpi ishin të vendosura zyrat e Këshillit Popullor e më vonë ato të Komunës së Mitrovicës.Në vitin 1959 kjo ndërtesë ishte shndërruar në ambulancë të qytetit dhe ashtu ka funkcionuar deri në ndërtimin e Ambulancës së re në Mitrovicë( e madje edhe sot njihet me emrin Ambulanta).Para luftës së fundit  në Kosovë aty ishin vendosur refugjatë serb nga Kroacia e Bosnja, ndërsa pas vitit 1999 shqiptarët e zhvendosur nga Drenica e rajonet tjera të shkatërruara gjatë luftës.

Prej vitit 2011 kjo ndërtesë është futur nën mbrojtje si monument i kulturës dhe elaborati për restaurimin e saj ishte përgatitur  tash e disa vjet dhe punët duhej të fillonin në mars të vitit 2018, por gjatë 4 viteve të plota që kaluan për shkak të neglizhences së MKRS  dhe te Qendres Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të komunës së Mitrovicës (punonjësit e të  cilës, edhe pse paguhen nga taksapaguesit mitrovicas e  kosovarë, merren me çështje dytësore) nuk është kryer ASNJË punë në këtë drejtim (madje ky objekt është dëmtuar edhe më shumë gjatë 4 viteve të shkuara të “restaurimit”) ndërsa “shtëpia me doksat” e familjes Deva (afër Bezistenit) e ndërtuar në shekullin XIX ishte restauruar më 2011/2012.

Vlen të përmendet se asnjë nga pronat e konfiskuara të ing. Xhafer Devës nuk iu është kthyer akoma trashëgimtarëve.

Përndryshe zt. Xhafer Deva ishte intelektual i lartë, me profesion inxhinier i pylltarisë, i arsimuar në Selanik e Stamboll, i cili pos shqipes fliste edhe disa gjuhë të tjera botërore dhe ishte ithtar i flakët i çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar.Zt.Deva ishte kryetar i Mitrovicës prej vitit 1941, organizator (bashkë me Shaban Polluzhen- i cili u vra më 21 shkurt 1945) i mbrojtjes së popullatës në Pazar të Ri nga çetnikët e Kosta Peqancit, organizator (me Ernest Koliqin) i hapjes se shkollave në gjuhë shqipe në Kosovë.

Zt.Deva kishte bashkëpunuar me gjermanët jo për shkak të simpative ideologjike per nazizmin,  për fuqitë e boshtit apo hollokaustin, por e kishte shfrytezuar momentin historik kryekëput  me qëllim të përmbysjes së politikave kolonizuese e sllavizuese të Jugosllavisë që ishin  zbatuar në Kosovë nga fillimi i shekullit XX dhe me qëllim të fitimit të sa më shumë të drejtave për shqipetaret e Kosovës (pushteti lokal, përdorimi i

 simboleve kombëtare, shkollat në gjuhën shqipe e tj.) dhe për realizimin e synimeve për bashkimin kombëtar.

Në vitin 1943 kishte marrë pjesë në themelimin dhe ishte zgjedhur Kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pastaj kishte qenë Minister i punëve të Brendshme të Shqipërisë (1943-44), ndërsa pas largimit nga Kosova në SHBA (Kaliforni) ishte organizator i forcave politike shqiptare në mërgim me qëllim të bashkimit të trojeve etnike dhe të bashkimit kombëtar shqiptar.

Kohëve të fundit ishte ripërtrirë iniciativa e vitit 2018 për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës e cila është  ndaluar për shkak të reagimit të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë dhe të disa personave në Kosovë, me pretekste jo të arsyeshme meqë, pa marrë parasysh historinë e pronarit,  kemi të bëjmë me  një objekt të trashëgimisë tonë kulturore, i cili madje gjendet në listen e monumenteve të mbrojtura kulturore tash e sa vite më herët.

Exit mobile version