Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Nimanbegu takim me ambasadorën e SHBA-ve

Nënkryetari i kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu pranoi sot ambasadoren e SHBA-ve në MZ, SHS Judy Rising Reinke dhe në atmosferën miqësore shkëmbyen mendimet dhe informata mbi situatën politike në Mal të Zi, në shtetet e rajonit, si dhe mbi përparimin e Malit të Zi në negociatat për integrimin në BE.

Nënkryetari Nimanbegu e njoftoi ambasadoren me aktivitetet e Kuvendit në grupin për reformën zgjedhore, me qëllim të përmirësimit të klimës zgjedhore në Malin e Zi, që momentalisht është në bllokadë. Gjithashtu, e njoftoi edhe me zgjidhjet ligjore dhe kërkesat e partive të popujve pakicë, në veçanti të atyre shqiptare, që do të sillte deri te përfaqësimi autentik i pakicave në Kuvend.

Nimanbegu e njoftoi SHS me çështjet e rëndësishme lidhur me avancimin e pozitës së komunave me shumicë shqiptare, para së gjithash në fushën e zhvillimit ekonomik, ekologjisë dhe mjedisit jetësor (çështja e Kripores), privatizimit (çështja e hoteleve të Ulqinit) dhe restitucionit (kthimit të pronave të nacionalizuara pronarëve të vërtetë). Gjithashtu, ambasadorja e vlerësoi diasporën shqiptare nga Mali i Zi në SHBA si dhe kontributin e saj në çështjet kyçe për zhvillimin e shoqërisë demokratike si në Malin e Zi, ashtu edhe në SHBA.

Fokus i posaçëm interesimi i SHS Reinke ishte edhe mbrojtja e mjedisit jetësor, me theks të veçantë në zgjidhjen e çështjes së Kripores së Ulqinit, si oazë unike jo vetëm e Ulqinit dhe Malit të Zi, por edhe më gjerë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i SHBA-ve dhe Malit të Zi të vazhdojë edhe më tutje në dobi të interesit të përgjithshëm të demokratizimit të shoqërisë dhe qytetarëve të të dy shteteve dhe administratave, duke theksuar se Ambasada do të ketë në fokus të posaçëm të rinjtë dhe edukimin e tyre, si bartës të zhvillimit të ardhshëm të shoqërisë.

Exit mobile version