Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Nis puna për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë

NATO

Në Kuçovë ka nisur puna për të realizuar projektin për modernizimin e bazës ajrore të NATO-s. Në aktivitetin që shënoi nisjen e këtyre punimeve ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe zyrtarë të tjerë të lartë të ushtrisë shqiptare.

Kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë si një lajm të mirëseardhur. Sipas tij, ky projekt nuk do të ketë ndikim vetëm në fushën e mbrojtjes në rajon, por edhe në ekonominë e Kuçovës.

“Vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë aleancë e cila bashkon vende që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ja vlen të luftohet. Natyrisht që për ne lajmi i kësaj vendimmarje të NATO ishte një lajm shumë i mirëseardhur, sepse jo vetëm krijonte vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik por edhe ushtarak.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët që është realisht një punë që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA në një nivel tjetër dhe falë mbështetjes që po gjejmë nga SHBA dhe nga strukturat e mbrojtjes së SHBA, ne po vetëdijësohemi se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake ashtu siç duhet, ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera. Sot ne po shohim të realizuar një projekt i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd.

Do zbatohen 5 projekte të ndara në 4 paketa të rëndësishme. Do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia dhe në aspektin social zona e Kuçovës do të ketë një përfitim si të ardhur nga qielli në këtë rast. Ne sot së bashku me qeverinë e SHBA përmes angazhimit të ambasadores së SHBA jemi duke folur për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike jo vetëm për Shqipërinë por edhe si një vlerë tjetër e shtuar për gjithë NATO-n”, u shpreh Edi Rama.

Exit mobile version