Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Një rrugë në Nju Jork emërtohet “Fan Noli”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një rrugë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marr emrin e rilindësit shqiptar Fan S. Noli.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Përkujtimi i këtij rilindësi, njeriut të letrave dhe figure historike shumëplanëshe, me anë të emërtimit sot të një rruge në Nju Jork, është një ngjarje simbolike e përbashkuese e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili vijon veprimtarinë e tij patriotike me të njëjtin gjallëri e përkushtim si edhe brezat e mëparshëm”.

“Në sajë të kësaj veprimtarie mbahet gjallë e pasurohet identiteti shqiptar në ShBA, si edhe forcohet aleanca e shkëlqyeshme e kombit shqiptar me kombin amerikan. Urime shqiptaro-amerikanëve për kurorëzimin e punës së tyre për vendosjen në Nju Jork të kësaj shenje simbolike me domethënie të madhe!”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

“Kur Fan Noli shkoi në vitin 1906 në Amerikë, u nis nga Egjipti për në ShBA. Ndoshta e ndiente se ky ishte një hap i rëndësishëm për jetën e tij, por rezultoi në një pikë kthese për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për historinë moderne të kombit shqiptar. Në fillimet e shekullit XX pesha ekonomike dhe politike e Amerikës në botë po rritej me shpejtësi dhe kjo po vihej re edhe në koloninë shqiptare në këtë shtet që po ia kalonte për nga numri kolonive shqiptarë në shtete të tjerë. Roli që Noli dhe më pas edhe Konica do të luanin në organizimin e mërgatës shqiptare në ShBA do të linte gjurmë të pashlyera, jo vetëm te komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe për fatet e kombit shqiptar. Themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i Federatës Panshqiptare Vatra, i lobimit të vazhdueshëm pranë qeverisë amerikane dhe fuqive evropiane për fatet e kombit shqiptar, mbajnë firmën e Nolit, krahas shqiptaro-amerikanëve të tjerë. Në Amerikë, Noli shkroi edhe një pjesë të mirë të veprave dhe përkthimeve të tij, në radhë të parë “Historinë e Skënderbeut” dhe studimin për Bethovenin, që pasuruan fondin atëkohë ende të pakët të historiografisë, letërsisë dhe muzikologjisë shqiptare.

Përkujtimi i këtij rilindësi, njeriut të letrave dhe figure historike shumëplanëshe, me anë të emërtimit sot të një rruge në Nju Jork, është një ngjarje simbolike e përbashkuese e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili vijon veprimtarinë e tij patriotike me të njëjtin gjallëri e përkushtim si edhe brezat e mëparshëm. Në sajë të kësaj veprimtarie mbahet gjallë e pasurohet identiteti shqiptar në ShBA, si edhe forcohet aleanca e shkëlqyeshme e kombit shqiptar me kombin amerikan. Urime shqiptaro-amerikanëve për kurorëzimin e punës së tyre për vendosjen në Nju Jork të kësaj shenje simbolike me domethënie të madhe!”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version