Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Numri i të shëruarve nga koronavirusi në Mal të Zi, në rritje të vazhdueshme graduale

Të dhënat e Institutit për shëndetin publik tregojnë se numri i të shëruarve nga virusi Covid-19 në Mal të Zi çdo ditë është në rritje të dukshme. Këtë e argumentojnë rezultatet e laboratorëve të Institutit të cilët gjatë 24 orëve të fundit kanë kryer nga dy testime të njëpasnjëshme në ca persona të infektuar me koronavirus. Në mostrat e testuara në intervalet kohore 08:30-16:45, negativ kanë rezultuar 8 persona dhe në intervalin kohor 16:45-08:45, negativ kanë rezultuar edhe 5 persona. Andaj, në bazë të rezultateve të cekura gjatë 24 orëve të fundit janë shpallur të shëruar nga koronavirusi 13 persona, me të cilët numri total i të shëruarve deri më tani është rritur në 219.

Instituti për shëndetin publik, po ashtu ka njoftuar se laboratorët e mikrobiologjisë molekulare gjatë 24 orëve të fundit (prej orës 08:30, dje, deri në ora 08:45 sot në mëngjes), kanë testuar 193 mostra dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv në koronavirus.

Ndonëse, në testimet e fundit nuk ka raste të reja, numri i të prekurve me koronavirus në Mal të Zi deri më tanë mbetet i pandryshuar – ai i ditës paraprake 322, prej të cilëve 59 fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.

Tabela e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues, ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekulliq, drejtori i Institutit për shëndetin publik, prof. dr. Boban Mugosha, dhe drejtori i Klinikës interne në Qendrën klinike të Malit të Zi, dr. Sreten Kavariq, në konferencën e rregullt për gazetarë, në prononcimet e veta kanë dhënë një sërë të dhënash shumë përfshirëse, analitike dhe koncize përkitazi me situatën epidemiologjike në Mal të Zi, e pastaj në pyetjet e gazetarëve kanë dhënë përgjigje të drejtpërdrejta.

Ministrja e Ekonomisë, zonja Sekulliq, në fjalën e rastit të pranishmit në mënyrë koncize dhe kronologjike i ka njoftuar me kushtet e masave të reja të veçanta të prura në mbledhjen e Trupit nacional koordinues, të cilat prej 4 majit do të zbatohen në institucionet, ndërmarrjet, firmat, kompanitë, lokalet tregtare zejtare, etj., në Mal të Zi. Ajo i ka njoftuar detajisht edhe me kushtet të cilave duhet t’u përmbahen gjatë punës. Ajo po ashtu ka bërë me dije se prej 4 majit është e detyrueshme bartja e maskave në lokalet e mbyllura publike.

Drejtori i Institutit, prof. dr. Boban Mugosha, në vështrimin e vet gjithëpërfshirës ka konfirmuar të dhënat e lumtura nga subjekti që e drejton. Ai ka theksuar se numri i rasteve të reja të infektuara me virusin Covid-19 është minimal, e në pesë ditë deri më tani, nuk është regjistruar asnjë rast i ri, por ajo që me mburrje dhe optimizëm duhet vënë në dukje, është numri i të shëruarve nga koronavirusi, i cili çdo ditë është në rritje e sipër. Gjatë 24 orëve të fundit, në bazë të rezultatit negativ të të testuarve të prekur me koronavirus, 13 persona janë shpallur të shëruar dhe

se numri total i tyre ka arritur në 219, kurse ai i të infektuarve aktiv ka rënë në 96. Me keqardhje ka theksuar se 7 persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

Drejtori i Klinikës interne, dr. S. Kavariq, në elaborimin e vet ka konfirmuar se numri i të sëmurëve nga virusi Covid-19, të hospitalizuar në spitale është gjithnjë më i vogël. Për trajtim mjekësor në spitale momentalisht gjenden 7 të sëmurë: 4 në Qendrën klinike në Podgoricë, 2 në Spitalin e Tivarit dhe 1 në atë të Beranit. Në Klinikën infektive të Qendrën klinike në oksigjeno-terapi gjenden 4 të sëmurë, në gjendje të mirë dhe stabile. 3 pacientë janë në Klinikën interne në përkujdesje intensive, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në rrezik jete, sot me helikopter është transportuar për në Spitalin e Gracit në Austri.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të organeve të tyre relevante, situata epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 782 të infektuar, 488 të shëruar dhe 31 të vdekur;

Në Kosovë: 806 të infektuar, 271 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 9009 të infektuar, 1343 të shëruar dhe 179 të vdekur;

Në Kroaci: 2076 të infektuar, 1348 të shëruar dhe 69 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1757 të infektuar, 727 të shëruar dhe 69 të vdekur;

Në Slloveni: 1434 të infektuar, 238 të shëruar dhe 93 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1465 të infektuar, 738 të shëruar dhe 77 të vdekur.

Për faqen e Portalit “Plava dhe Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version