Në kuadër të gjuhës dhe kulturës shqipe, nxënës nga Rozhaja kësaj radhe vizituan Qendrën Rinore dhe Kullën e Mazrekajve, për t’u njohur me trashëgiminë dhe kulturën e lashtë shqiptare. Këta nxënës patën rastin dhe privilegjin të prekin me dorë, të shohin me sy dhe të ndjejnë shpirtërisht trashëgiminë e trungut të tyre. Krahas kursit të gjuhës shqipe, këta nxënës kanë filluar të ndjekin edhe kursin e valleve shqipe. Mësimet po i marrin nga koreografi Genc Tetaj, i cili udhëton javë për javë nga Deçani në Rozhajë.
Të gjitha këto aktivitete janë duke u realizuar me përkrahjen e Fondacionit “Trojet Tona” nga SHBA, ku shfrytëzojmë rastin të falënderojmë Fondacionin Lukaj (Viosa & Richard Lukaj), të cilët për vitin 2025 kanë dhuruar $10,000 në mbështetje të këtyre aktiviteteve, si dhe falënderojmë të gjithë donatorët e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”.
Duhet cekur se këtë aktivitet e ndihmuan edhe Fehmi Bicaj, Avni Ramaj dhe Xhevat Mulaj nga Gjermania.
Po në këtë ditë, grupi i nxënësve nga Rozhaja mori pjesë me një performancë të valleve shqiptare në Festivalin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë 2025”, organizuar nga Shoqata e Vëllazërisë Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” në komunën e Klinës.
Në kthim për në Rozhajë, nxënësit, me ftesë të Drejtorit të RTV Fontana, z. Zeqir Mehmetaj, vizituan këtë medium që tashmë ndiqet nga shumë shqiptarë nga Sanxhaku.
Aty, nxënësit panë për së afërmi të arriturat e këtij mediumi, në kuadër të të cilit, përveç informacioneve në shqip, u njohën me librarinë, radiot e vjetra unike, improvizimin e odës dhe sofrën shqiptare me ushqime tradicionale.