Site icon PLAVA E GUCIA SOT

“Pandora Papers”, të përfshirë edhe Gjukanoviq dhe familja e tij, si dhe ministri i Financave të Serbisë – ja ‘si e kanë fshehur pasurinë ata’

Një rrjedhje masive dokumentesh zbuloi se dhjetëra udhëheqës të mëparshëm dhe të tanishëm botërorë, plus qindra të tjerë kanë përdorur kompani jashtë vendeve të tyre, për të fshehur pasurinë.

Gjetjet janë pjesë e një hetimi të kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues.

Ato ekspozojnë marrëveshje të ndryshme financiare të rreth 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm, si dhe të më shumë se 300 zyrtarëve, përfshirë: Mbretin e Jordanisë, presidentin e Rusisë, Ukrainës, Azerbajxhanit, Malit të Zi dhe kryeministrin e Republikës Çeke.

Dokumentet e emëruara si Letrat e Pandorës e lidhin presidentin rus, Vladimir Putin, me asete sekrete në Monako, ndërsa për kryeministrin çek, Andrej Babis, thonë se nuk ka deklaruar një kompani investimesh jashtë vendit, të cilën e ka përdorur për të blerë dy vila, në vlerë prej 16 milionë dollarësh, në jug të Francës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas Letrave të Pandorës, i ka transferuar aksionet e tij në një kompani sekrete jashtë vendit, pak kohë para se t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2019. Një zëdhënës i Zelenskyt nuk ka pranuar të komentojë për gjetjet.

Dokumentet gjithashtu tregojnë se Zelensky dhe rrethi i tij i ngushtë janë përfitues të një rrjeti të kompanive jashtë vendit, përfshirë disa që zotërojnë prona të shtrenjta në Londër.

Dokumente të tjera zbulojnë se si familja e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka blerë fshehurazi prona në Londër, në vlerë prej 700 milionë dollarësh, duke përdorur kompani jashtë vendit.

Administrata e Aliyevit nuk u është përgjigjur kërkesave për komente, e as anëtarët e familjes së tij.

Sipas Letrave të Pandorës, Mbreti i Jordanisë, Abdullah, ka blerë fshehurazi prona në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA, me vlerë mbi 100 milionë dollarë. Por, avokatët e Mbretit kanë thënë se të gjitha pronat janë blerë me pasurinë e tij personale, të cilën ai e përdor për të financuar edhe projekte për qytetarët e Jordanisë.

Qendra hulumtuese malazeze Mans, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës, ka thënë se presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe djali i tij, Bllazho, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.

Kabineti i Gjukanoviqit ka thënë se publikimi i qendrës Mans është një tjetër “përpjekje për të diskredituar presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”.

Në reagim thuhet se Gjukanoviq ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës Mans janë të pavërteta, shkruan rel.

Në Serbi, organizata Krik, e cila po ashtu ka marrë pjesë në hetimet për Letrat e Pandorës, ka zbuluar se ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, është pronar i 24 apartamenteve luksoze në bregdetin bullgar.

Si pronar i dy kompanive nga Ishujt e Virgjër Britanikë, Malli ka blerë 23 apartamente, ndërsa një tjetër e ka blerë në emrin e tij, thuhet në dokumente.

Malli nuk i është përgjigjur thirrjes nga Krik për intervistë, ndërsa më herët ka mohuar se ka 24 apartamente në Bullgari, shkruan më tej rel.

Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues ka siguruar 11.9 milionë dosje konfidenciale nga 14 firma në të gjithë botën, që kanë krijuar kompani joaktive për klientët. Kompanitë e tilla përdoren kryesisht për manovra financiare.

Publikimi i Letrave të Pandorës vjen pesë vjet pas publikimit të Letrave të ngjashme të Panamasë.

Në hulumtimin, që cilësohet si më i madhi në historinë e gazetarisë, kanë marrë pjesë mbi 600 gazetarë nga 150 media.

Exit mobile version