Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Partitë politike shqiptare me lideruca – të përçara e pa sens politik

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË Mal të Zi – 11 qershor 2023

Nga Hajrullah Hajdari

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, zgjedhjet e radhës politike që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti, po i gjejnë më të papërgatitura e të përçara se kurrë më parë. Në zgjedhje do të marrin pjesë “vetëm” dy lista zgjedhore me atribut shqiptar: Aleanca Shqiptare me të përjetshmin Genci Nimanbegu në krye dhe Forumi Shqiptar me të pazëvëndësueshmin shumëvjeçar Nik Gjeloshaj. Të dyja listat, në mënyrë të vet, pretendojnë se janë përfaqësuesit më të denjë të shqiptrëve në Mal të Zi. Përderisa Aleanca Shqiptare pretendon se është lista zgjedhore më e madhe dhe gjithëpërfshirëse që do të përfaqësojë shqiptarët nga të gjitha trevat e Malit të Zi, Forumi Shqiptar pretendon se është e vetmja listë autentike që përfshin të gjitha tokat ku jetojnë shqiptarët! O Zot, sa bukur tingëllon, ose o Zot, na ndihmo që t’u besojmë, nëse ka kush që akoma u beson! Na ndihmo o Zot të dallojmë se cila listë zgjedhore vërtetë është autentike apo gjithëpërfshirëse?! Nuk do të kërkoja ndihmë kurrë, sepse do e kuptoja vet, nëse shqiptarët do të dilnin në zgjedhje vetëm më një listë zgjedhore dhe ajo do të ishte autentike dhe gjithëpërfshirëse. Kështu votuesi shqiptar është i hutuar, i çuditur dhe më të drejtë pyet:

Për këtë çështje mund të ketë shumë pyetje por edhe përgjigje të shumta e të ndryshme! Çudia e parë është Unioni Demokratik i Shqiptarëve që pa pritë e kujtuar apo pa sens të mjaftueshëm politik nuk iu bashkangjit asnjë liste zgjedhore shqiptare, por u fut në strofullin e vjetër të Partisë Demokratike Socialiste, tani më në opzitë dhe rënje të dukshme të populizmit apo popullaritetit të saj. Ndoshta Unioni s’ka pasur rrugë tjetër, sepse fuqia e saj me dal me listë në vehte është e vogël, ndërkaq partitë tjera politike nuk kanë treguar interesim për inkorporimin e Unionit në listat e tyre zgjedhore?! Është e vërtetë se FORCA i ka kërkuar Unionit takim për bisedime të cilën kërkesë Union Demokrati e pranoj (shkresa e Unionit dërguar Forcës nr.39/23, datë 02.05.2023) dhe kërkuan konfirmimin e kërkesës. Për mëtej s’ka përgjigje kështu që listave shqiptare u mungon një krah, ndoshta mungesë vendimtare, sigurisht për të keq. Aq më tepër kur një numër jo i vogël i shqiptarëve, sidomos në Ulqin e Anë të Malit, haptas përkrahin partinë qytetare URA! Atëherë, cila ishte llogoria e dy listave zgjedhore shqiptare? Të fitojë lista ime (cila do qoftë) se për të tjerë spo ma ndien do të thoshte tjetri! Kjo është e rrezikshme për qenjen shqiptare këtu në Mal të Zi sepse matematika apo llogoritja e mandateve sipas Ligjit zgjedhor, në fuqi që në vitin 2011e diskriminues për shqiptarët, nuk na jep më shumë se një mandat për legjislacionin e ardhshëm parlamentar! Kjo do të ishte katastrofë zgjedhore për shqiptarët dhe atëherë s’na ka faj më as PDP, as URA apo ndonjë parti tjetër qytetare, por kryekëput partitë politike shqiptare. Qofsha i gabuar o Zot!

Nëse i vrejmë me kujdes dy listat shqiptare zgjedhore do të na brengos fakti se ato janë lista territoriale apo krahinore, ndonëse secila e ka nga një pjesë të vogël apo parti të vogël të krahinës tjetër. Ky fakt i pakëndshëm edhe mund të amortizohet nëse secila listë e fiton nga një deputet, në të kundërtën për këtë ndarje përgjegjës të vetëm do të jenë prijësit e listave zgjedhore! Po,po ata sepse nuk bënë mund për bashkimin e trupit zgjedhor shqiptar por u munduan të sigurojnë pozitën e parë të vetës së tyre në listën zgjedhore e kjo do të thotë “unë do të bëhëm deputet” , si një si dy është njësoj, vetëm të fitoj unë! Po vjen koha që ne shqiptarët të bëjmë vetë realitet thënjen e fëmshme të një deputeti shqiptar “më mirë dy mercedesa se 4 golfa” edhe atëherë duke menduar vetëm për veten e vet! Fatkeqësisht ashtu doli e ashtu ishte, herë nj e herë dy deputet kurr më katër!

Partitë shqiptare në Mal të Zi, vështirë se mund të kenë arsye të tjera për të mos dalë me një listë zgjedhore shqiptare?! Nëse dikush thotë se Nika nuk ka mund të shkonte  në koalicion me Gencin sepse ky i fundit i paska trathtuar sepse nuk e paska lëshuar gjysmën e mandatit të deputetit, atëherë Nika e ka shumë gabim sepse ai trathtoi i pari kur nuk ia lëshoi gjysmën e mandatit LDnë Mz-së! Po me Unionin?  Me një listë të përbashkët edhe me Unionin dy deputet do të ishin të padiskutueshëm e kështu pikë pyetje e madhe. Për këtë dy bartësit e listave në konventën me qytetarët duhet të zotohen se nëse kalon vetëm një deputet, i cilit do koalicion qoftë, atëherë të dy duhet të konsiderojnë veten fajtor  dhe duhet të japin dorëheqje. 

    Është bërë zakon që në fushatën zgjedhore partitë politike të shpalosin programet e veta, të bëjnë llogoritë e arritjeve e përmbushjes së premtimeve dhe bazuar në ato të kërkojnë edh një herë votën e tyre. Po cilat janë arritjet e partive shqiptare në aspektin ekonomoko-social e kulturor nga njëra anë dhe politike nga ana tjetër.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik vendet e banuara me shqiptar edhe sot e 145 vite më parë ishin dhe mbeten vendet më pak të zhvilluara në Mal të Zi, përkundër resurseve shumë të volitshme natyrore. Në Ulqin, Anë të Malit, Krajë, Dacaj, Plavë e Guci vite e vite me radhë, përkundër premtimeve të mëdha sidomos në kohën e zgjedhjeve, nuk ka investime kapitale as në turizëm,  as në industri e as në infrastrukturë! Nuk ka vende të reja pune, rinia shqiptare shpëtimin e shikon dhe e kërkon në emigrim, vendbanimet po boshatisen gjithnjë e më shumë! Këtu bënë përjashtim komuna e Tuzit e cila pas mëvetësimit si komunë në vete përveç investimeve në infrastrukturë ka arritur të thithë investime në objekte industriale dhe rrjedhimisht edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në aspektin politik asgjë të re, zhytemi thellë e më thellë! Përdorimi i dygjuhësisë në administratë, gjyqësi por edhe në ekonominë e vogël të sektorit privat apo shtetëror mbetet për të dëshiruar. Për çudi të madhe edhe komunikimi mes organeve të pushtetit vendor  në shumicën e rasteve bëhët në gjuhën malazeze e mos të flasim ne komunikim me organet shtetërore. Sot e kësaj dite, edhe pse për një gjë të tillë ka baza ligjore, vendimet gjyqësore sillen vetëm në gjuhën malazeze. Qytetari nuk është përgjegjës për këto anomali, përgjegjës janë njerëzit e politikës. Do të thonë ata: kemi kërkuar por nuk po shkon ndërsa unë po i pyes? Cilët mjete demokratike deri të mosndëgjimi qytetar i keni përdorur për të realizuar së paku ato të drejta që ligjet pozitive na i sigurojnë?! Informimi në gjuhën shqipe në servisin publik është nën çdo nivel- përqindje edhe pse me Kushtetutë dhe ligj është përcktuar maksimumi i mundshëm. Pyetja është e njëjtë si më parë!

Simbolet kombëtare po ashtu nuk përdoren sipas ligjit në fuqi, pra çfarë kanë ndërmarrë në këtë drejtimet ligjvënësit tanë (përfaqësuesit në Parlament), pse në komunat me shumicë shqiptare organet shtetërore nuk e ngrisin flamurin kombëtar shqiptar?! Kufiri i të “Mirave Detare” aq i kontestueshëm nga shqiptarët, sa që lidershipi shqiptar që në themilim i quante “të këqijat detare”,  mbeti i pandryshuar edhe pse më diskriminuesi  në krahasim me komunat tjera bregdetare! Paritë shqiptare e kishin edhe kryetarin e këshillit drejtues, premtuan, u besuam dhe i votuam, por kufiri nuk ndryshoj! Pyetja është si më lart, arsyetim s’mund të ketë!

Po të drejtat e arritura  dhe Ligji zgjedhor diskriminues për shqiptarët,  po decentralizimi i pushtetit për të cilin sa herë që vinë zgjedhjet politike premtohet se do të bëhët? Pra, votuesi shqiptar me të drejtë pyet? Çfarë na premtoni kësaj rradhe?!

Së paku deri në këto zgjedhje politike, partitë politike shqiptare kanë bërë një fushatë zgjedhore relativisht të paqtë me njëra-tjetrën, pa sulmuar e degredar, pa ndonjë shije të keqë sepse kritikat kanë qenë të drejtuara me të drejtë të pushteti qendror. Ndërkaq, në fillimin e fushatës të zgjedhjeve të rradhës, më 11 qershor, shigjeta e kritikave dhe degradimeve e ka ndërruar kahjen. Tani partitë politike shqiptare thumbojnë e degradojnë njëra-tjetrën si asnjëherë më parë. Në mungesë të rezultatevë, për të cilat votuesi të voton ose jo, si duket dy listat shqiptare kanë zgjedhur të bëjnë propogandë kundra njëra-tjetrës me qëllim që nga thumbimet, degradimet apo nënvlerësimet të përfitojnë ndonjë votues të palës tjetër sepse siç cekëm më lart qëllimi i vetëm është “të fitoj unë” qoftë edhe “golf” e jo “mercedes”. Si duhet të mendoj votuesi shqiptarë kur një lider i një partie tjetër quhet “lideruc” apo tjetri fatkeqësi “ala Fatmir Gjeka” ani pse deri dje ishin në koalicion. Në mungesë të ideve sulmi është arma më e mirë për të arritur qëllimin. Pra, kësaj rradhe do të kemi më shumë propogande se sa fushatë të mirëfilltë zgjedhore.

Sidoqoftë, përkundër gabimeve në të shkuar, përkundër paraqitjes në dy kolana e më shumë se kaq (Unioni, DPS, URA….), listat shqiptare zgjedhore duhet të fukosohen në fushatë të mirëfilltë duke redukuar premtimet marramendëse e të parealizueshme, sepse nuk bëson kush më në premtime boshe, të gjithë kanë mësuar mend. Duhet të premtohet më mirë pak e të realizueshme e ajo kryesorja është që të parët e listave të marrin zotimin e përgjegjësisë për mosrealizimin e premtimeve vetiake sepse e dimë se na mungon Platforma e përbashkët politike e cila mund t’i vente para përgjegjësisë ato persona që nuk u përmbahen apo nuk i realizojnë parimet politike.

Gjithsesi është bukur të votojmë shqip edhe kësaj here!

Exit mobile version