Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas votimit të Qeverisë së re të shtetit serb.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas votimit të Qeverisë serbe.
Ai ka thënë se kjo nuk është qeveri e re, por e njëjta qeveri sikurse e kaluara, shkruan Demokracia.com.
Sipas Kamberit, kjo është qeveri e vazhdimësisë e cila është autoritare dhe diskriminuese ndaj pakicave.
Reagimi i plotë i Kamberit, pa ndërhyrje:
Vazhdimsia e Serbisë problematike
Në Beograd, sot u zgjodh Qeveria e re. Qeveria e vazhdimësisë, siç u quajt.
Në bazë të ekspozesë së kryeministres së re (vjetër) Ana Bërnabiq, prioritetet e qverisë mbeten të njëjta.
Shefi i qeverisë mbetet i njëjtë.
Vazhdimësi në lojën me dy karrige, pa ide të qartë për integrimin evropian, me tendencë të refuzimit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së.
Vazhdimësi në mohimin e realitetit rreth Kosovës dhe tendencave të prolongimit të marrëveshjes finale.
Vazhdimësi në ambiciet për “Botën serbe”.
Vazhdimësi në mohimin e përgjesësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme.
Vazhdimësi në glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mbrojtjes së muraleve të tyre në rrugët e Beogradit.
Vazhdimësi në diskriminimin e pakicave.
Vazhdimësi me logjikën autoritariste të presidentit “shteti jam unë”.
Serbia, me qeverinë e saj të vazhdimësisë, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor.