Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Pasivizimi i adresave nga Serbia, shqiptarët paralajmërojnë protestë gjithëpopullore në Luginë e Preshevës

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka bërë thirrje për protesta gjithëpopullore si kundërpërgjigje ndaj pasivizimit të adresave nga autoritetet serbe, një politikë që është përshkruar si diskriminuese dhe shpopulluese ndaj komunitetit shqiptar. 

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, përmes një video-incizimi në Facebook, tha se ky proces ka sjellë pasoja të rënda për banorët e Luginës, duke u hequr atyre të drejtën e votës dhe duke i detyruar të largohen nga trojet e tyre.

“Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar ka arritur kufijtë e racizmit. Nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare pa u prekur nga ky proces. Për këtë arsye, po përgatitemi për të organizuar një protestë paqësore, gjithëpopullore, në të tri qytetet e Luginës,” u shpreh Lutfiu.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin e tyre për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo praktikë bie në kundërshtim me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar.

Shaip Kamberi, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Serbisë, në një letër drejtuar të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në muajin janar të 2023-ës ka shkruar se autoritetet serbe po bëjnë çaktivizim të ashtuquajtur të adresave në vendbanimet e shqiptarëve, me qëllim zvogëlimin e numrit të tyre në Luginën e Preshevës.

Ai, po ashtu, ka theksuar se shqiptarët në Serbi janë viktima të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Deri tani, sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkohë që regjistrimi i fundit i popullsisë në Serbi numëroi rreth 62 mijë shqiptarë në këtë zonë

Exit mobile version