Site icon PLAVA E GUCIA SOT

PËRFAQËSIM DHE PROMOVIM I ARKEOLOGJISË KOSOVARE NË SPLIT TË KROACISË

Në këtë tubim ndërkombëtar shkencor më datën 23 shtator do të përurohet libri i Prof.Dr. Naser Ferrit “Živa mitologija-Living Mythology“ i botuar në gjuhën kroate në Zagreb dhe i financuar nga Qeveria e Republikës së Kroacisë .

Në organizim të organizatës kulturore Književni krug, të Muzeut Arkeologjik dhe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Splitit, prej 22 deri më 28 shtator në Split të Kroacisë nën padronatin e lartë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë (HAZU) do të mbahet evenimenti kulturor Knjiga Mediterana në kuadër të cilës mbahet Simpoziumi Ndërkombëtar Shkencor “Salona od 119. godine prije Krista do kasne antike”(Salona nga viti 119 para Krishtit deri në kohën e antikitetit të vonshëm) mbi qytetin Salona (Spliti i sotëm) në të cilin ishte lindur dhe kishte jetuar perandori romak me origjinë ilire Diokleciani dhe të cilin e kishte bërë një nga qendrat e rëndësishme të Perandorisë duke e ndërtuar pallatin e vet të famshëm në të cilin edhe kishte vdekur. Në kuadër të këtij evenimenti do të paraqitet disa dhjetëra kumtesa shkencore dhe do të bëhen edhe përurimet e disa librave me peshë profesionale nga fusha e arkeologjisë.

Prof. Dr Naser Ferri

Në këtë tubim ndërkombëtar shkencor më datën 23 shtator do të përurohet libri i Prof.Dr. Naser Ferrit “Živa mitologija-Living Mythology“ i botuar në gjuhën kroate në Zagreb dhe i financuar nga Qeveria e Republikës Kroate, ndërsa më 24 shtator prof. Ferri, ish student i Universitetit të Zagrebit dhe njëherit i vetmi pjesëmarrës shqiptar në këtë tubim, do ta prezanton kumtesën me titull: „I membri del esercito romano nella Dardania anticha originarii da Salona“. Përndryshe prof.Ferri deri më tash ka marrë pjesë në shumë tubime ndërkombëtare shkencore në Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Itali, Austri, Shqipëri, Rumani e Qatar.

Për hir të pjesëmarrjes së profesor Ferrit në këtë tubim, organizatorët e kanë ftuar, sipas protokollit zyrtar, edhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci shkëlqesinë e tij z.Gëzim Kasapolli.

Është ky edhe një hap në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Kroacisë dhe mundësi e mirë për promovimin e arkeologjisë shqiptar.

/Plava e Gucia Sot

Exit mobile version