Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Përfaqësues të KKSh-së në Mal të Zi u priten në takim nga kryeministri i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika dhe përfaqësuesit e këtij këshilli.

“Përfaqësuesit shqiptar nga Mali i Zi e njoftuan kryeministrin për objektivat e punës së këtij këshilli, në fushat të cilat janë me interes jetësor për shqiptarët. Theksuan qëllimin për zhvillimin e aktiviteteve me qëllim të parandalimit të ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë në zonat ku jeton popullata autoktone shqiptare”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së kryeministrit të Kosoëvës.

Siç, bëhet e ditur, në takim poashtu “U bisedua për thellimin e bashkëpunimit institucional, me qëllim mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe politike të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe avancimin e identitetit kulturor e gjuhësor’.

“U theksua nevoja për mbështetje nga Republika e Kosovës për çështje të arsimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi, si dhe për realizimin e projekteve të ndryshme kulturore që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore”, theksohet në njoftim.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi: Smajl Maliq Çunmulaj, Nënkryetar i Këshillit Kombëtar përfaqësues nga Malësia; Bujar Hasangjekaj, Kryetar i Kuvendit të Komunës së Gucisë; Ali Gjeçbritaj, mësimdhënës në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krajë, përfaqësues i Krajës dhe Tivarit; Ali Daci, mësimdhënës në shkollën fillore “Dacaj” në Rozhajë, përfaqësues nga Rozhaja; si dhe Ariana Zherka–Hoxha, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Hydajet Hyseni, kryesues i grupit të miqësisë me Malin e Zi, dhe Gani Krasniqi, kryesues i grupit të miqësisë me Shqipërinë.

Exit mobile version