Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Përfundon gjykimi i “mbretit të kriptovalutave”në Malin e Zi, ja çfarë dëshmoi para gjykatës së Podgoricës

Mbreti i kriptovalutave, Hyeong Do Kwon dhe partneri i tij i biznesit Hon Chang Joon, të cilët po gjykohen në Gjykatën Themelore në Podgoricë për falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit, u shprehën se ishin të bindur se pasaportat e tyre ishin të ligjshme.

Pas seancës dëgjimore të tyre, gjyqtarja Ivana Beçiç ka njoftuar se do të nxjerrë aktgjykim të hënën, më 19 qershor.

Ata janë akuzuar për falsifikimin e pasaportave, me të cilat synonin të largoheshin nga Mali i Zi më 23 mars, me një fluturim privat për në Dubai. Asokohe, ata u arrestuan në aeroportin e Podgoricës, pasi përdornin pasaportë false të Kosta Rikës, ndërsa gjatë kontrollit, te Do Kwon u gjetën edhe dokumente të rreme udhëtimi nga Koreja dhe Belgjika.

Për Do Kwon, më herët, Interpoli kishte shpallur urdhër-arrest me akuzën e një mashtrimi ndërkombëtar prej 40 miliardë dollarësh, përmes kriptovalutave. Vitin e kaluar, kriptovalutat Terra dhe Luna të Do Kwon përjetuan kolaps. Për shkak të nisjes së hetimeve dhe akuzave se ai ka mashtruar kreditorët, ekstradimi i tij kërkohet nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ndërkohë, Gjykata e Lartë në Podgoricë urdhëroi paraburgim ekstradimi prej gjashtë muajsh për Do Kwon dhe Chang Joon. Brenda kësaj periudhe, gjykata malazeze duhet të vendosë lidhur me ekstradimin e tyre në Korenë e Jugut.

Institucionet e sigurisë në Mal të Zi nuk e dinë se si Do Kwon, me bashkudhëtarin e tij, ka hyrë në Mal të Zi.

Exit mobile version