Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Përleshje mes policisë e protestuesve në Podgoricë, disa të lënduar dhe të arrestuar

Disa persona janë arrestuar, kurse tre policë dhe disa qytetarë janë lënduar në trazirat e së shtunës në mbrëmje në lagjen Zlatica të Podgoricës.

Deri te incidenti në lagjen Zlatica erdhi kur policia hodhi gaz lotsjellës në vendin ku qytetarët po kujdestaronin në mbrojtje të muralit ‘trengjyrëshi’ (trengjyrëshi simbolizon flamurin nga koha e mbretit malazez Nikolla, që ishte një mbështetës i madh i serbëve).

Sipas medieve malazeze, policia paraprakisht kishte urdhëruar qytetarët e grumbulluar që të shpërndaheshin, por ata formuan një mur të gjallë rreth muralit. Policia ia doli t’i largojë qytetarët e grumbulluar.

Kur zyrtarët policorë komunalë, të rrethuar nga oficerë të Drejtorisë së Policisë, filluan të ngjyrosin me të bardhë muralin në hapësirën publike, erdhi deri te trazirat e reja. Protestuesit filluan të gjuajnë me fishekzjarrë dhe gur mbi policinë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës, përcjell Telegrafi.

Rreth orës 21:40, qytetarët filluan të shpërndahen, pas thirrjeve të policisë. Murali u ringjyros, kurse policia u vendos në pyllin në Zlatica, përtej rrugës nga pasarela, duke shpërndarë një pjesë të protestuesve.

Mirëpo, protestuesit filluan të grumbulloheshin sërish, kurse policia përsëri gjuajti gaz lotsjellës.

Incidenti dhe përleshjet e protestuesve me policinë vazhduan deri pas orës 23:00, me ç’rast disa qytetarë dhe tre policë janë lënduar. Me këtë rast janë arrestuar disa qytetarë.

Të përkujtojmë se besimtarët ortodoksë të rreshtuar prapa Kishës Ortodokse Serbe, po protestojnë në gjithë Malin e Zi pas miratimit të Ligjit për lirinë e besimit fetar.

Ligji për lirinë e besimit dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918. Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte shtet i pavarur dhe ishte pjesë e mbretërisë serbo-kroate-sllovene.

Exit mobile version