Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Përurohet pllaka përkujtimore kushtuar viktimave të Reçit

Diskursi kulturor

Me 27 korrik në Reç të Ulqinit u bë përurimi i pllakës përkujtimore kushtuar katër viktimave të cilët janë likuiduar nga ushtria jugosllave e kohës me 10 nëntor 1935, ku  duke i kujtuar  dëshmojmë se  nuk janë harruar. Për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë

Nga Nail  Draga*

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi mbledhur sot për përurimin e pllakës përkujtimore në nderim të katër viktimave të cilët janë likuiduar me 10 nëntor në vitin 1935!

Dita e sotme  sa është e veçantë  është edhe  emocionale, sepse për herë të parë  mbahet një takim publik  në përkujtim të katër  viktimave te Reçit(Ulqin).

Pllaka përkujtimore e cila po përurohet sot  dëshmon nderimin e viktimave në 89 vjetorin e masakrës të realizuar  nga ushtria jugosllave e kohës.

Nuk ka dilemë se ata ishin  viktima të shoqërisë dhe të sistemit të kohës e cila kishte urrejtje patologjike kundër shqiptarëve.

Vrasja e katër  shqiptarëve në Reç në tokë të tyre, dëshmon se sa vështirë ka qenë për të jetuar  e punuar në zonën kufitare. Sipas informacioneve që disponojmë  vrasje kundër shqiptarëve kanë ndodhur edhe në vendbanimet tjera shqiptare në zonën kufitare por kjo ishte me e rënda, sepse brenda disa minutave u likuiduan katër  shqiptarë, tre  nga familjet Zagreda e një nga Gazivoda.

Nga ana tjetër duke ditur qasjen  e pushtetit ndaj shqiptarëve të cilët i trajtonte si element i padëshiruar, duke i diskriminuar në çdo aspekt, nuk ishte befasi  vrasja e tyre nga ushtria e kohës.

Nga ajo kohë dhe më pas kjo  masakër nuk është ndriçuar  dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi, sepse me sa jemi të informuar, nuk janë bërë hetimet, nga organet kompetente. Dhe jo vetëm kaq, por për këtë masakër çdo gjë ka mbetur enigmatike sepse ende nuk dihet shkaku i kësaj, sepse ka pasur spekulime të ndryshme.

Ndonëse kjo masakër ka ndodhur para Luftës së Dytë Botërore  mendojmë se duhet të angazhohemi për të hulumtuar  në këtë drejtim, sepse krimet nuk vjetrohen.

Përveç familjareve dhe banorëve  të Reçit,  për këtë masakër pak kush ka ditur si më parë edhe tash. Andaj nga sot kjo përkujtimore  është dëshmi autentike  për të gjithë ata që dëshirojnë të dijnë të vërtetën. Jo vetëm kaq, por ky vend nga sot është dëshmi autentike  për krimet  kundër shqiptarëve.

Nga ana tjetër sa herë  qe do të trajtohet zona kufitare, kjo masakër duhet të evidentohet  si e veçantë për kohën tonë dhe ato qe do të vijnë pas nesh. Sepse nuk është thënë kot “sepse  ka ndodhur ajo qe është shkruar”.

Andaj edhe vendosja e kësaj  pllake përkujtimore me emrat e katër  viktimave ka këtë mision informativ, për ti kujtuar e mos me i harruar.

Nderim për ata qe e kanë inicuar këtë ide dhe e ndërtuan këtë përkujtimore.

Ndonëse me vonesë por duke i kujtuar dëshmojmë akt qytetarie dhe nderimi!

Ndërsa ne jemi të nderuar qe sot jemi në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Reçin.

Nga sot të gjithë ata që duan të njihën me këtë ngjarje kriminale  si udhërrefim  do të shërbejë kjo pllakë përkujtimore, me emrat e martirëve: Kolë Gjini Zagreda(1897-1935), Mark Gjini Zagreda(1910-1935), Zekë Leka Zagreda(1918-1935) dhe  Gjin Laca Gazivoda(1904-1935).

Dhe në fund duhet të them se për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë.

Në vendet e qytetëruara dhe me kulturë demokratike, te tjerët edhe për ndodhi të rastit e jo ma për masakra ngrisin pllaka  përkujtimore e memoriale. Andaj me këtë përurim të kësaj pllake  përkujtimore që është nderim për viktimat, ne po veprojmë sikurse vepron bota e qytetëruar, duke qenë mesazh qe krime të tilla të mos ndodhin në asnjë vend.

Nderi i së cilit në vend të vet!

Ju faleminderit!

*Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të pllakës përkujtimore në Reç, më 27 korrik 2024

Exit mobile version