Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Përvjetori i Fishtës i harruar në Shkodër

Gjergj Fishta(1871-1940)

Përkujtimi i personalitetëve  të ndryshëm me rastin e përvjetoreve të tyre është obligim jo vetëm moral e profesional por edhe kombëtar nga ana e institucioneve lokale e shtetërore duke organizuar veprimtari të ndryshme kulturore e shkencore dhe inauguruar buste apo shtatore, duke dëshmuar nderim ndaj tyre si kudo në vendet e qytetëruara

Nail  Draga

Në fund të vitit të kaluar, pikërisht me 30 dhjetor janë mbushur 85 vjet kur është ndarë nga jeta Gjergj Fishta, i cili mbetet  një prej  personaliteteve të veçanta të letërsisë, gjuhësisë, publicistikes, meshtarisë, kulturës e diplomacisë shqiptare. Duke qenë i tillë françeskani  erudit me të drejtë është quajtur Homeri shqiptar, ku „Lahuta e Malcis“ është një  nga kryeveprat e letërsisë shqipe, simbol i atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. 

Me këtë rast si shkas kemi mosshënimin e 85- vjetorit të  vdekjës së poetit kombëtar Gjergj Fishtës(23 tetor 1871-30 dhjetor 1940), datë e cila është dashur të shënohet me veprimtari të ndryshme kulturore, sidomos në Shkodër. Por këtu kishim heshtje totale si nga institucionet shtetërore, vendore, kisha e shoqëria civile. Ndërsa përjashtim kanë bërë disa media elektronike lokale apo indvidë të ndryshëm në rrjetet sociale.

Përkujtimi në Tiranë e Lezhë

Në lidhje mbi këtë 85-vjetor  mediat informuan se Biblioteka Kombëtare nderoi At Gjergj Fishtën duke risjellë në kujtesë trashëgiminë e pavdekshme të tij, e cila vazhdon të jetojë dhe të flasë fuqishëm në kulturën, gjuhën dhe vetëdijen tonë kombëtare.

Ndërsa Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e qytetit të Lezhës kujtoi një fragment të fjalimit të Hoxhë Hafiz Ali Kraja, mbajtur në funeralin e At Gjergj Fishtës, ku thuhej: “Me ty, Patër Gjergj, Kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.

Në Shkodër mungon statuja e Fishtës

Opinioni i gjerë është i informuar se në Shkodër vite  më parë për të nderuar  klerikun, shkrimtarin, poetin e intelektualin Gjergj Fishta në hapësirën e parkut para bashkisë është inauguruar një monument kushtuar emrit dhe veprës së tij. 

Por, një objekt i tillë, mund të jetë gjithçka, por nuk i ngjanë ndonjë vepre artistike, e cila si atëherë edhe tash ka irrituar opinionin e gjerë. 

Pamje shqetësuese nga monumenti  kushtuar Gjergj Fishtës  në Shkodër

Por, të gjithë ata që kanë shkuar në Shkodër kanë pasur mundësi të shohin një monument  i cili është në shkatërrim të plotë, sepse ai është i mbuluar me shkarravina, e rrethuar me mbeturina, pamje të cilat janë trishtuese, që thënë më se buti  është fyerje për poetin kombëtar dhe Bashkinë e Shkodrës.

Dhe në një situatë të tillë me të drejt bëhët pyetja  nëse ndonjë indvid  dëshiron  të nderojë poetin  kombëtar  ku të vendosen lulet?  Kur gjindesh para një pamje të tillë zhgënjehesh, duke akuzuar ata të cilët nuk kanë treguar empati  ndaj një monumenti të tillë.

Nuk ka dilemë se Fishta meriton një statujë monumentale në qendër të Shkodrës, e jo një monument të tillë që nuk paraqet përmaset  e figurës së tij mbarëkombëtare. Ndërsa inicimi i realizimit të një projekti  të tillë  është në nderim të  Fishtës,  qytetarisë shkodrane dhe botës shqiptare.

Fishta nuk ishte rasti i vetëm

Duhet të cekim se në vitin 2025, përvjetori i Gj:Fishtës nuk ishte rasti i vetëm, sepse në këtë vit përvjetorët  i kanë pasur edhe personalitete të rëndësishme nga historia jonë kombëtare. Kështu 110-vjetorin e vdekjës e kanë pasur edhe  Dedë Gjon Luli(1840-1915), Mehmet Shpendi(1851-1915), Çerçiz Topulli (1880-1915) e Muço Qulli(1887-1915), të cilët në sajë veprimtarisë së tyre  kanë mbetur figura të rëndësishme kombëtare. 

Por, për fat të keq edhe për këta nuk u kujdes kush për të organizuar ndonjë takim të rastit përkujtimor, qendrim që është për çdo kritikë, sepse  punët tona nuk na i kryejnë të tjerët. 

Përfundim

Dukuria e mosangazhimit të institucioneve buxhetore, qofshin ata vendore apo shtetërore në Shkodër në   mos shënimin e përvjetorit të 85 të vdekjës së At Gjergj Fishtës, i cili është figurë emblematike e kulturës kombëtare, dëshmon mungesën e respektit dhe të qasjes  profesionale te individëve udhëheqës që paraqet dukuri me pasoja  shoqërore e kombëtare për të tashmën dhe të ardhmën.

Exit mobile version