Vuthaj 18 Korrik 2018
Me 18 Korrik të vitit 1951 në fshatin Vuthaj, të Plavë Gucisë gjakatarët okupues serbo-malazias të stërmbushur me urrejtje antishqiptare kishin vendosur ta rrethojë shtëpinë e atdhetarit dhe fisnikut vuthjan, Çung Tahirit Dedushaj.
Sot, kur mbushen plot 67 vite që kur dora barbare e regjimit kriminel titist pushkatoi Çung Tahirin Dedushaj e bashkë me të edhe nipin e tij Isuf Zymer Dedushaj i përkujtomë me krenari dhe nuk i harrojmë dot, sepse 18 korriku i vitit 1951 ishte një ditë e rëndë për fshatin Vuthaj, për tërë Plavë e Gucinë dhe për të gjithë atdhedashësit shqiptar.
Njësite të shumta ushtarako-policore e kishin rrethuar shtëpinë e kësaj familje atdhetare, i kishin marr me dhunë dhe i kishin keqtrajtuar në mënyrën më mizore, vetëm e vetëm që ta përulin dhe ta cenojnë dinjitetin e tyre dhe të krejt vuthjanve, dhe më në fund i kishin pushkatuar pa gjyq e pa aktgjykim Çungun dhe Isufin në vendin e quajtur Shtrejt në dalje të Vuthajve.
Okupuesi serbo-malazias sikur nuk u ngop me këto dy vrasje, meqë serbo-malezezët kishin arrestuar edhe dy kushërinjtë e tyre: Ibër Hutin Dedushaj dhe Brahim Çalokun Dedushaj, i kishin dënuar me nga katër vite burg të rënd dhe i kishin dërguar për vuajtje të dënimit në burgun famëkeq të Goli Otokut.
Edhe pse pushtuesit serbo-malazias e bënë këtë akt makabër barbar, ata nuk ia arritën dot që ta ndalin dhe shuajnë flakadanin e atdhetarisë së trungut të fisnikëve vuthjan. Po nga trungu i Çung Tahirit dhe Isuf Zymerit mugulloi dhe i rrit një lozë e tërë e fuqishme e diturisë dhe e njerëzve të aftë e të suksesshëm, pasardhës të tyre, ku sot kemi shumë doktor shkencash, shumë magjistra dhe intelektual të profileve të ndryshme, duke u nisur nga Prishtina, Tirana e New Yorku e madje gjerë në Japoninë e largët, që me krenari dhe mburrje vazhdojnë misionin e paraardhësve në shërbim të kombit në fushën e dijes dhe zhvillimit.
Po ashtu pasardhësit e këtyre martirëve, duke mos i harruar ata dhe veprën e tyre, në vendin e ekzekutimit ua kanë ngritur një lapidar i cili bart mesazh të qartë për vrazhdësinë e atyre që shqiptarëve nuk ua deshën të mirën kurrë.
Për të nderuar veprën dhe jetën e Çung Tahirit Dedushaj dhe Isuf Zymerit Dedushaj institucionet e Kosovës, ne komunën e Pejës kanë bërë edhe emërtimin e dy rrugëve me emrat e këtyre dy martirëve, bashkëvendësve tanë për çka u jemi shumë mirënjohës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Çung Tahirin Dedushaj dhe Isuf Zymerin Dedushaj !
Vuthajt, dhe Plavë dhe Gucia gjithnjë do e përkujtojnë më mburrje dhe krenari sakrificën e familjes Dedushaj.
Por, si edhe vendi i pushkatimit që rastësia e deshi të jetë vendi i quajtur “Shtrenjti i Vuthajve” edhe gjaku i Çungut dhe Isufit është i shtrenjtë dhe nuk do të harrohet kurrë.
Esad Gjonbalaj
/Plava e Gucia Sot