Sot, nën petkun e “drejtësisë”, në Hagë po zhvillohet një nga përpjekjet më të rënda për të njollosur luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kërkesat drakoniane për dënime ekstreme nuk janë drejtësi – janë hakmarrje politike, të orkestruara për t’i shërbyer Serbisë dhe qarqeve të njohura antishqiptare.
Treva e Plavës dhe Gucisë nuk hesht dhe nuk do të heshtë. Kjo trevë ka qenë qartë dhe pa ekuivok në krah të UÇK-së, sepse e ka ditur se ajo luftë ishte luftë për jetë a vdekje, për liri a zhdukje. Plava e Gucia jo vetëm që e mbështetën UÇK-në moralisht, politikisht dhe financiarisht, por i dhanë asaj edhe luftëtarë të shumtë, burra të guximshëm që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për lirinë e Kosovës Dardane.
Veçanërisht na bëjnë krenarë dëshmorët e trevës sonë, bij të Plavës dhe Gucisë, që dhanë jetën në altarin e lirisë, duke u bërë pjesë e përjetshme e historisë së rezistencës shqiptare. Gjaku i tyre është dëshmi e pakontestueshme se kjo luftë ishte e drejtë dhe çlirimtare, jo ajo që sot po tentohet të paraqitet në sallat e gjykatave politike.
Një rol vendimtar pati edhe mërgata jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila dha kontribut maksimal financiar, organizativ dhe politik, duke e mbështetur UÇK-në dhe duke e çuar zërin e së vërtetës shqiptare deri në qendrat më të larta vendimmarrëse amerikane.
Sot, e njëjta mërgatë, e njëjta trevë dhe e njëjta ndërgjegje kombëtare dënojnë ashpër tentativën për ta shpallur kriminale luftën më të pastër të historisë sonë moderne. Ky nuk është sulm ndaj disa individëve – është sulm frontal ndaj dinjitetit kombëtar shqiptar, ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe ndaj themeleve të shtetit të Kosovës.
Ne e themi qartë dhe pa frikë:
BOLL me drejtësi selektive!
BOLL me aktakuza të shkruara në Beograd!
BOLL me barazimin e viktimës me agresorin!
Historia është e qartë. Krimet kanë emër. Gjenocidi ka autor. UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale – ishte ushtri çlirimtare, e lindur nga dhuna, shtypja dhe spastrimi etnik. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë politike.
Plava e Gucia, bashkë me Kosovën, Shqipërinë dhe mërgatën në SHBA, thërret për unitet kombëtar. Sot nuk ka parti, nuk ka ideologji, nuk ka dallime – ka vetëm një qëndrim: mbrojtjen e së vërtetës, të lirisë dhe të gjakut të dëshmorëve tanë.
Nëse sot heshtim, nesër do të gjykohet historia jonë.
Nëse sot përkulemi, nesër do të turpërohemi.
Prandaj themi qartë: UÇK-ja ishte, është dhe do të mbetet krenaria jonë kombëtare.
/Plava e Gucia Sot
https://plavaeguciasot.com/en/djemte-e-beses-28-prill-1983-plave-guci-historia-e

