Mëngjesin e sotëm, policia e Malit të Zi ndaloi 11 persona, ndër të cilët edhe ish ministrin e ekonomisë, Branko Vujoviq. Sipas mediave, arrestimet janë bërë në lidhje me rastin e garancive shtetërore për huatë e Kombinat të aluminit në Podgoricë. Prokuroria Speciale e Shtetit (SDT) hapi një hetim në fillim të këtij muaji në rastin e garancive për këtë kombinat për çka po hetohen 14 persona. Shumica e tyre ishin anëtarë të komisionit të kontrollit të ndihmës shtetërore nga Ministria e Financave dhe zyrtarë të caktuar të Ministrisë së Ekonomisë , kurse Vujoviq ishte Ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Malit të Zi nga 2009 në 2013, gjatë periudhës së lëshimit të këtyre garancive. Raporti i Institucionit Shtetëror të Auditimit nga viti 2013 thotë se para lëshimit të garancive për Kombinatin e Aluminit nuk është kryer vlerësimi i rrezikut.
“Garancitë shtetërore të miratuara për Kombinatin e Aluminit në 2009 dhe 2010 janë lëshuar pa një analizë të hollësishme të pozitës financiare dhe qëndrueshmërisë ekonomike të Programit për Ristrukturimin Financiar të Përfituesve të Garancisë së Shtetit, si dhe pa një vlerësim të duhur të pasojave të mundshme të aktivizimit të tyre për buxhetin e vendit “, thuhet në raport.