Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Pagën me rritje ka refuzuar edhe Ministri i AAK’së, Rrustem Berisha

Pos Bedri Hamzës, edhe dy ministra tjerë të PDK’së në Qeveri kanë refuzuar pagën me rritje që e ka vendosur Ramush Haradinaj. Ata janë: Abelard Tahiri e Besim Beqaj. Pagën me rritje ka refuzuar edhe Ministri i AAK’së, Rrustem Berisha.

Këta ministra nuk i kanë dërguar listat e pagave, në Ministrinë e Administratës Publike, me rritje qysh ka vendosur Shefi i Qeverisë. Në këtë mënyrë del se kundër vendimit të Haradinajt është të paktën edhe një zyrtar i lartë i AAK’së.

Tre ministra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe një nga radhët e AAK’së, nuk po e duan pagën me rritje, vendim të cilin e mori muaj më parë Kryeministri Ramussh Haradinaj, miratimin e së cilës e dha edhe Gjykata Kushtetuese, ani pse Vetëvendosje pretendonte që në vendimin e shefit të qeverisë janë bërë shkelje ligjore.

Kësisoj, kundër Haradinaj për mos pranim të pagës 100 për qind me rritje, kanë dalë vetë vartësit e tij.

GazetaExpress merr vesh nga burime të sigurta në Ministrinë e Administratës Publike se katër ministrat e kësaj qeverie nuk e kanë proceduar listën e pagave në këtë ministri, rrjedhimisht pagat e tyre mbesin ashtu siç kane qenë.

Bedri Hamza

Ndërkaq, i gjithë kabineti qeveritar nga e premtja i kanë marrë superpagat e tyre me rritje, e po ashtu edhe pjesën retrokative.

Kjo nënkupton se kabinetit qeveritar u janë dalë dyfish më shumë para, që nga muaji dhjetor kur edhe shefi i Qeverisë vendosi për rritjen e tyre.

Nga ana tjetër, është e paqartë arsyeja pse ministri nga radhët e AAK’së ka dalë kundër Ramush Haradinajt.

 

 

Reagime për vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritje të pagave ka pasur edhe nga shoqëria civile dhe partitë opozitare. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kallëzim penal lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.

Abelard Tahiri

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.

Besim Beqaj

Vendimi për rritjen e pagave ka marrë tashmë edhe një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila pavarësisht pretendimeve të opozitës nuk e kishte cilësuar atë si jokushtetues.

Exit mobile version