Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka falënderuar Qeverinë e Malit të Zi dhe presidentin Gjukanoviq për mbështetjen e komunitetit shqiptar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, ka përshëndetur vizitën e pardjeshme (më 9 prill) të presidentit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, Komunës së Tuzit, si dhe mbështetjen e tij dhe atë të Qeverisë së Malit të Zi, komunitetit shqiptar, në këtë situatë të vështirë për të gjithë.

“Përshëndes vizitën e Presidentit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq në Komunën e Tuzit dhe mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Malit të Zi për komunitetin shqiptar në këtë situatë të vështirë për të gjithë.

Duke u uruar të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi shëndet të plotë, si dhe shërim të shpejtë të prekurve nga pandemia COVID-19, shpreh solidaritetin tim në këto momente për Kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj dhe për të gjithë komunitetin e dashur shqiptar. Do të jemi gjithmonë pranë jush!”, ka porositur presidenti Meta në Facebook faqen e vet.

Presidenti Gjukanoviq, të enjten, më 9 prill, në vizitën që ia ka bërë Komunës së Tuzit, ka biseduar me kryetarin e komunës, Nik Gjeloshaj, me bashkëpunëtorët e tij dhe me drejtorin e Shtëpisë së shëndetit në Tuz, dr. Halil Dukoviq, mbi situatën aktuale të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit Covid-19.

Në bisedën me nikoqirë, presidenti Gjukanoviq ka konstatuar se gjendja në Komunën e Tuzit është stabile dhe se vërehet se masat e ndërmarra nga ana e institucioneve kompetente shëndetësore dhe e organeve shtetërore në periudhën e kaluar, kanë dhënë arsyetimin e plotë.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version