Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vizitë në Malin e Zi (VIDEO)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta nisi të hënën një vizitë shtetërore dy ditore në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij malazez, Milo Gjukanoviç.

Në konferencën për gazetarë Presidenti Ilir Meta, tha se të dy vendet kanë çdo arsye për të ndërtuar themelet e një rruge të përbashkët..

“Marrëdhëniet tona janë shembull në rajon dhe jam krenar për kontributin e shqiptarëve në Mal të Zi,që ishin vendimtarë në mbështetjen e integrimeve euroatlantike të Malit të Zi, “tha Meta.

Ai vuri në dukje se shqiptarët në Mal të Zi po ashtu kontribuan në forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

“Të drejtat e shqiptarëve duhet të përmirësohen dhe të përfshihen më shumë në nivelin lokal dhe shtetëror. Ndërkohë që edhe në Shqipëri do të vazhdojmë angazhimin tonë në afirmimin e të drejtave të malazezëve “, shtoi ai.

Zoti Meta veçanërisht përgëzoi përparimin e Malit të Zi drejt BE-së.

“Së shpejti në Tiranë do të organizohet samiti i Bërdo-Brionit, dhe me këtë rast shpreh vlerësimin tim në mbështetjen e Malit të Z, që e njohu Kosovën. Mali i Zi ka kontribuar dukshëm në zhvillimin e Ballkanit, ” tha zoti Meta.

Presidenti shqiptar e vlerësoi si tejet të rëndësishëm dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Dialogu është i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor,” – tha në fund presidenti shqiptar Ilir Meta.

Edhe Presidenti malazez Milo Gjukanoviç theksoi marrëdhëniet e mira mes dy shteteve fqinje dhe bashkëpunimin ekonomik në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Zoti Meta është pritur me nderime të larta shtetërore nga Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç.

Me rastin e kësaj vizite, në rrugët e Podgoricës janë vendosur flamujt kuqezi për nder të Presidentit të Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, përveç takimeve me zyrtarët e lartë të Malit të Zi, Presidenti Meta do të vizitojë edhe qytetet ku jetojnë shqiptarët, Tuzin dhe Ulqinin, si dhe do të ndalet në Arqipeshkvinë e njohur të Tivarit.

Exit mobile version