Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se çështja e demarkacionit me Kosovën ka përfunduar në vitin 2015 dhe se dy shtetet fqinje duhet shikojnë përpara.
“Si fillim, Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u finalizua në vitin 2015. Marrëveshja u konfirmua nga të dyja qeveritë në vitin 2015 dhe hyri në fuqi në vitin 2018. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai malazez Filip Vujanoviq, nënshkruan një deklaratë të përbashkët në shkurt të 2018-ës. Ata i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi një muaj më vonë. Si dy shtete, ne duhet të ecim përpara për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, ka thënë Presidenca malazeze pasi u pyet nëse demarkacioni me Kosovën mund të anulohet, shkruan Vijesti, transmeton Gazeta Express.
Kjo përgjigje e presidentit malazez vjen pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në katërvjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pati thënë se në Mal të Zi do të vijë një qeveri e re së shpejti dhe me të cilin mund të bisedohet për çështjen e demarkacion, për dallim nga qeveria paraprake, që kishte përbrenda elemente pro ruse.
“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje Qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, pati thënë Kurti.
Derisa kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, e quajti provokim të papranueshëm deklaratën e Kurtit.
“Unë e konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri antikushtetues Dritan Abazoviq”, pati shkruar Krivokapiq në Twitter.