Disa qytetarë të Kosovës sonte kanë pritur me orë të tëra në pikën kufitare në Bozhaj të Malit të Zi, pasi sistemi i Interpolit vazhdimisht u ka treguar policëve kufitar një paralajmërim se bëhet fjalë për dokumente dhe persona të kërkuar në sistemin policor ndërkombëtar.
Problemi u shfaq në funksionimin e softuerit të Interpolit, i cili për të paktën tre orë tregonte se po kërkoheshin vetëm dokumente nga Kosova.
Kreu i Drejtorisë së Policisë ka konfirmuar për “Vijesti” se problemi me softuerin është rregulluar rreth orës 20:30, pas së cilës policia ka mundur të lejojë së paku tetë shtetas të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe gazetarë të “Kohës Ditore”, të vazhdojnë rrugën për në Prishtinë, transmeton Telegrafi.
Policët në pikën kufitare e kanë pasur të qartë se ndoshta ka pasur problem me aplikacionin e Interpolit, por për shkak të verifikimit nuk kanë mundur t’i lënë qytetarët e Kosovës të kalojnë kufirin.
Bashkëbiseduesi nga policia tha se ky lloj problemi në përdorimin e aplikacionit Interpol ndodh shumë rrallë.
“Prandaj do të kontrollojmë se çfarë e ka shkaktuar këtë”, ka thënë burimi i portalit malazez.