Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Prof. Dr. Gazmend Rizaj: Homazh te varri i Haxhi Zekës-140 VJETORI I LUFTËS SË NOKSHIQIT

Universiteti Haxhi Zeka në Pejë dhe Klubi intelektualëve të Rugovës, Prishtinë, më datën 18 Janar 2020 organizuan një Përkujtim në Universitetin Haxhi Zeka me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Luftës   së Nokshiqit dhe mbrojtjen e Plavë Gucisë nga pushtimi malazez.

Ne kuadër të këtij përvjetori Këshilli organizativ i shënimit të këtij përvjetori fjalën e rastit pran varrit të heroit Haxhi Zeka në Pejë  ia kishte besuar Prof. Dr. Gazmend Rizaj, Universiteti i Prishtinës

Fakulteti Filozofik – Departamenti i Historisë

Homazh te varri i Haxhi Zekës – Prof. Dr. Gazmend Rizaj

Në ditën e sotme kur po  e shënojmë 140 vjetorin e Betejës së Nokshiqit dhe mbrojtjes së Plavës e Gucisë nga pushtimi malazez, e kujtojmë me admirim Haxhi Zekën, atdhetarin dhe liderin më të spikatur të Shqipërisë së Sipërme në fazën e fundit të Rilindjes kombëtare Shqiptare.

Ishte kudo ku e kërkonte atdheu. Asnjë vendim i rëndësishëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Ymer Prizrenin nuk u mor pa konsultimin dhe miratimin e Haxhi Zekës, i cili ishte edhe krah i djathtë i Ymer Prizrenit kundër krahut prosulltanist të Lidhjes.

Pas vendimit të Kongresit të Berlinit për t’ia dhënë Malit të Zi krahinat shqiptare të Plavës, Gucisë e të Rugovës, Haxhi Zeka organizoi vullnetarë të shumtë të trevës së Pejës e të Gjakovës, me të cilët u gjend në vijën e parë të luftës kundër ushtrisë malazeze, e cila pasi nuk arriti t’i merrte me forcë këto krahina shqiptare, shpresonte në vendimet përfundimtare të Kongresit të Berlinit. Roli i Haxhi Zekës ishte po ashtu i rëndësishëm në dëbimin e nëpunësve osmanë dhe futjen në dorë të qyteteve-krahinave të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. Ndërkaq, edhe pas shuarjes së përkohshme të Lidhjes Shqiptare, roli i Haxhi Zekës në kundërshtimin e reformave të imponuara nga Porta e Lartë ishte tejet i rëndësishëm. Kryengritja e vitit 1893 e organizuar nga Haxhi Zeka u bë posaçërisht kërcënuese për Portën e Lartë, sepse kjo kryengritje po i bashkonte krahinat shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit, Drenicës dhe Prishtinës kundër pushtetit osman. Pikërisht, për shkak të këtij aktiviteti antiqeveritar, Haxhi Zeka u internua në Stamboll deri në vitin 1896.

Koincidenca e kthimit të Haxhi Zekës nga internimi me hapjen e së ashtuquajturës  “Çështje Maqedone” me të cilën synohej copëtimi i ri i trojeve etnike shqiptare, ishte tejet e rëndësishme. Pikërisht, në saje të autoritetit të Haxhi Zekës u arrit Besëlidhja Shqiptare si rimëkëmbje e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për t’i paraprirë skanerëve të mundshëm të copëtimit të Shqipërisë.

Dhe jo rastësisht, në vitin 1897 ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Austro-Hungarisë, Viskonti Venosta dhe Goluhovski lidhën Marrëveshjen verbale në Monza të Italisë me ç’rast u precizua që “në rast se Shqipëria del nga kuadri i Perandorisë Osmane, ajo duhet të bëhet shtet autonom.” Me këtë u dëshmua se veprimi në terren në kohë të duhur mund t’i përshpejtonte në drejtim pozitiv madje edhe vendimet e rëndësishme të diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Dhe, pikërisht për shkak të fuqisë së personalitetit të Haxhi Zekës, Sami Frashëri e quajti Lidhjen e Pejës Qeveri provizore të Shqipërisë.

Kundërshtarët e shqiptarëve shpresonin se me vrasjen e Haxhi Zekës përfundimisht do të shuhej lëvizja shqiptare. Mirëpo, llogaritë qenë të gabuara, sepse programin kombëtar, vizionin dhe frymën patriotike që e kishte kalitur ndër shqiptarët e këtyre anëve, nuk arriti ta shuante asnjë komplot antishqiptar.

Figura e Haxhi Zekës zë një vend të veçantë në panteonin e baballarëve të shtetit kombëtar shqiptar. Personaliteti i Haxhi Zekës ka marrë një dimension pothuaj mitik, sidomos në Shqipërinë e Sipërme, duke e shpërfaq modelin më reprezentativ të një lideri kombëtar me tipare të një burrështetasi unifikues dhe vizionar, të guximshëm në kohë lufte, por të urtë dhe jo lakmitar në kohë paqe, tolerant ndaj dallimeve etnike dhe religjioze, dhe bujar për njerëzit në nevojë.

LAVDI!

18 janar 2020, Pejë

Exit mobile version