Ne vazhdën e hulumtimëve dhe botimeve nga fusha e pedagogjisë, pas botimeve të dy vëllimeve në vitin 2006 dhe 2007, kohë më parë u botua dhe u lëshu në qarkullim vëllimi i tretë i dr.Palokë Berishës “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi 1949-1964”, botuar nga Bashkimi i krijuesve shqiptarë në Mal të Zi. Autori i këti botimi është i njohur në hapësirën shqiptare për hulumtimet dhe studimet në lidhje mbi arsimin e shqiptarëve në Mal të Zi, andaj botimi më i ri paraqet një vazhdimësi logjike, duke përmbledhur në mënyrë të sintetizuar mësuesit të cilët kanë dhënë mësim apo janë ende aktiv në ketë profesion ne vendbanimet e ndryshme në viset shqiptare në Mal të Zi, të cilët i përkasin kësaj periudhe kohore.
Nail Draga
Si në vëllimin e parë, të dytë dhe të tretin është shkruar për jetën, shkollimin, përgatitjen dhe përsosjen profesionale si dhe punën arsimore dhe edukative të këtyre 514 mësimdhënësve, në ato mjedise ku kanë jetuar dhe punuar.Nuk ka dilemë se vepra Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi, është një botim sa shkencorë po aq edhe njerëzorë. Nuk e teprojmë nëse themi se kemi të bëjmë me një monument për mësuesit, arsimtarët dhe profesorët shqiptarë dhe të tjerë nga Mali i Zi por edhe jashtë tij,. Eshtë kjo një pjedaë e mësimdhënësve të cilët punuan më pasion e dashuri në arsimimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë. Pa dyshim ata ishin pishtarët e arsimit në shqip, dhe iu takon merita e padiskutueshme për kohën kur jetuan dhe vepruan.
Plejadë e pishtarëve të arësimit
Edhe lexuesi i zakonshëm nëse lexon ndonjë pjesë nga biografia e mësuesve të prezentuar qoftë edhe në mënyrë fragmentare në ketë botim, nuk ka dilemë se ai do të përjetojë emocione për ca të dhëna të panjohura të cilat i kanë përjetuar mësuesit tanë. Ekzistojnë dëshmi të shumta se e kaluara për mëuesit shqiptarë ka qenë me shumë dilema sepse mohohej identiteti kombëtar, ndërsa shqiptari i shkollur shihej si elemnt i rrezikshëm, por pjesa dërmuese e mësuesve tanë në sajë të vullnetit dhe këmbënguljes kanë sfiduar rrethanat e kohës.
Nisma për mbylljen e shkollave në shqip
Duke lexuar këtë vëllim si dhe ato dy të mëparshmit, del qartë pozita dhe statusi social dhe politik i shqiptarëve në Mal të Zi, nga del qartë se ka qenë sakrificë me i përballuar rrethanat e kohës në Mal të Zi. Një konstatim itillë vlen sidomos për vitet 1956-58, kur në viset shqiptare nga ana e pushtetit u muar iniciativa për mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe. Një veprim i tillë eksperimental nga ana e pushtetit të kohës sa ishte kundër barazisë qytetare dhe nacionale ishte tërësisht antishqiptarë. Ishte kjo kohë kur u mbyll shkolla fillore e vetme në gjuhën shqipe në Ulqin por edhe gjetiu, me të vetmin qellim për të asimiluar shqiptarët. Por, edhe ne këto rrethana shqiptarët mbijetuan duke qendruar ne vatrat e tyre. Ndërsa kthesë e madhe në arsimin në gjuhën shqipe u bë pas vitit 1968, në sajë të demonstratave në Kosovë, ku edhe në Mal të Zi filloj barazia praktike për shkollat më mësim në gjuhën shqipe.
Sfidat e arësimit në shqip
Kështu për të parën herë u hapen shkollat e ciklit të ulët në shqip në ato vendbanime shqiptare nga Ulqini e deri në Rozhajë, që deri atëherë ishin në gjuhen serbe. Një veprim i tillë ndikoj dukshëm në edukimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarët. Por, një rilindje arsimore dhe kulturore e shqiptarëve në Mal të Zi, si duket nuk i konvenonte pushtetit të kohës. Pikërisht ishin ngjarjet e Kosovës në vitin 1981 si shkas për masa ndeshkuese ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.Goditjen e parë e pësoj shkolla në shqip, duke menjanuar nga procesi mësimor tekstet shkollore te botuara në Prishtinë, me arsyetimin se gjoja janë të papërshtatshme se nxisin nacionalizmin shqiptarë.Por, pushtetarët e arsimit nuk u ndalën me kaq, ndaj disa mësimdhënësve u muarën masa partiake, duke i dënuar disa nga to e më pas duke i larguar nga procesi mësimor si të papërshtatshëm. Ishte kjo fushata shtetëroreantishqiptare e cila zgjati deri në vitin 1990, më rastin e dështimit të sistemit monist dhe miratimin e pluralizmit politik. Ishin këto rrethana të papërshtashme për mësimdhënësit tanë, andaj një numër i tyre ishin të detyruar të emigrojnë në botën e jashtme, duke u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga ditari i shkollës.
Rrethanat shoqërore të kohës
Ndonëse në disa segmente autori prezenton rrethanat shoqërore të kohës për momentin është e vështirë të bëhën vlerësime si dhe të nxirren përfundime për veprimtarinë politike të arsimtarëve, edhe pse autori ka numëruar pjesëmarrjen e tyre ne funksionet tyre që kanë ushtruar në veprimtarinë politike.Ky dimension i veprimtarisë së tyre mbetet për tu hulumtuar në të ardhmen, duke eliminuar edhe dilemat për ata individë, të cilët ishin në shërbim të pushtetit.
Duke analizuar të dhënat e prezantuara, ne këtë botim si edhe ata të dy të mëparshmit del qartë se në shkollat më mësim në gjuhën shqipe ka pasur mësimdhënës të devotshëm, të cilët këtij profesioni të shënjtë iu janë përkushtuar me idealizëm. Si të tillë një numër i konsideruar i tyre kanë bërë emër, ku kujtohen më respekt e nderim nga ish nxënësit e tyre dhe mjedisi përkatës.
Përmbyllje e një projekti me vlerë
Autori i këtij botimi meriton mirënjohje për angazhimin dhe qasjen profesionale.Vëllimi i tretë është vazhdimësi logjike e një projekti madhor, që lirisht mund ta quajmë Enciklopedia e arsimit shqip në Mal të Zi. Po ashtu edhe ribotimi i dy vëllimeve të para më plotësime përkatëse dhe me një dizajn të ri, dëshmojnë seriozitetin e autorit si studiues në fushën e pedagogjisë. Andaj them me kënaqësi se botimi i këtyre tre vëllimeve bën përmbylljen e një projekti mevlerë shumëdimensionale për shqiptarët në Mal të Zi.
Dhe në fund iu mbetet studiuesve të tjerë që ta vazhdojnë këtë kolanë të botimeve në të ardhmen, duke e plotësuar dhe përmirësuar ndonjë të dhënë e cila do të jetë në favor të kompletimit te të dhënave biografike për mësimdhënësit përkatës. Nuk ka dilemë se në të ardhmën kur do të trajtohen tema dhe çështje nga fusha e arsimit në shqip në Mal të Zi, këto tre vëllime do të jenë referenca të obligueshme profesionale për të gjithë.
(Botohet me rastin e vdekjës së pedagogut dhe studiuesit Palokë Gj. Berishaj 1936-2024)