Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri: BETEJA E NOKSHIQIT, 140 VJET TË FITORES MADHËSHTORE KUNDËR MALIT TË ZI

Universiteti Haxhi Zeka në Pejë dhe Klubi intelektualëve të Rugovës, Prishtinë, më datën 18 Janar 2020 organizuan një Përkujtim në Universitetin Haxhi Zeka me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Luftës   së Nokshiqit dhe mbrojtjen e Plavë Gucisë nga pushtimi malazez.

Dy fjalë për Nokshiqin

Nokshiqi është katund matanë krahinës së Rugovës. I përket krahinës tjetër shqi­p­ta­re, Plavës e Gucisë. Tradicionalisht, katund i banuar me fam­i­l­je No­kë­ni­kajsh të fisit Ke­lmend, sipas vijës etno­grafike të lisit të gjakut. Barqet e tij janë: Selimajt, Me­kulajt, Buçajt dhe Mehajt. Janë me përkatësi të vëlla­zë­r­isë së madhe të Laj­çit. Nga të pa­rët e tyre për­men­det si­domos stërgjyshi, Ni­kë Deda, që ka jetuar para rreth tre she­ku­jve. Ishte pjesë­tar i Lëvizjes Kombëtare kundër­os­ma­ne, supozohet, ashtu si krejt kelmendasit. Kur fisi i Kel­men­dit u shpa­ll i fa­j­shëm për krye­ngritjen e ma­dhe të vi­teve ’90 të shek. XVII dhe toka e Kelmendit u zbraz, edhe Ni­kë Deda me familje për 12 vjet u stre­hua ja­shtë Kel­me­ndit, në territorin e fisit Hot, në shtëpinë e mikut të vet, nga e kishte gru­an. Pas qer­shorit 1702, kur nga pushteti osman u hoq nda­le­sa kundër fisit Kel­mend, Nikë De­da u rikthye me djemtë: Ndrelë, Stakë, Pepë, Nokë e Nilë Nika, që nga vija e lisit të ta­mb­lit, pra, na­ty­r­shëm, ishin nipa të Hotit, sepse dajtë e tyre ishin nga fisi i Ho­tit. (Disa autorë, për shkak të dijes së pa­m­jaftueshme për traditën tonë etnokulturore e për lidhjet martesore jashtë fisit, ma­dje edhe në disa tekste serioze të albanologjisë e nga­tërr­o­jnë shumë keq prej­ar­dhjen e li­sit të gja­kut me atë të lisit të tamblit, që nuk do të du­hej asesi.). Sot, pasardhësit e Ni­kë De­­dës, i biri i De­dë Ndre Martinit, vija e lisit të gjakut, shtri­­hen në gja­­shtë ka­tu­nde, nga Nok­shiqi e deri në Shtu­p­eq, afër Pejës, për­f­shirë këtu edhe katër katunde të tjerë të Ru­go­vës: Sta­kajt, Pe­pajt, Drelajt, Ma­la­jt, me rreth një mijë familje, që je­to­jnë edhe ja­shtë, deri në Am­e­rikë. Këtu do shtua edhe pa­sa­r­dhësit e të afër­m­ve të Nikë De­dës, që je­to­­jnë në Du­­ka­ivë, Shkrel, Husaj e në disa lagje të ka­tu­ndeve të tjerë. Për fat të keq, nokshiqanët  në Nok­sh­iq nuk je­to­jnë më!

Ka pasur no­kshi­qanë e nok­shiqane të shq­u­ara, e disa nga të sot­mit janë: Sylë Imeri-Buçaj, Ahmet Elezi-Buçaj, vep­ri­m­ta­ri i njo­hur Ze­kë Nokshiqi, mjekja Drita Mekuli, mjeku Ba­jram Se­li­maj, intelektuali Gëzim Me­kuli, koreografja dhe aktorja Agnesa Nokshiqi, poetesha Xhe­mi Nokshiqi; pa­staj, të deridjeshmit: poetët e më­dh­enj Esad Me­kuli e Qerim Uj­ka­ni-Selimaj, stu­di­ue­si i përmendur i letërsisë Hasan Mekuli, mjekja e shquar Sadete Mekuli, ple­qnari i dalluar Galo Reku, baletani dhe koreografi Abdurrahman Nok­shi­qi, lahutari e rapsodi Xhemajl Ibishi-Bu­çaj. Në vijim, do përmendur të fam­sh­mit, luftëtarët e shquar të Li­dh­jes Shqi­p­tare të Pri­­zrenit, Nu­re Kurti, Kurt Asllani, Bali Bajrami, Hoxhë Nok­sh­iqi, nusja dhe he­ro­ina e Nokshiqit, Kajë Galja, pje­së­ma­rrëse edhe në luftërat më 1912,1918 e 1919, e bija e saj, luftëtarja dhe kaç­a­kja në zë, Be­ge Ma­liqja, të bijtë, luftëtarët po ashtu fort të njohur, heronjtë Zy­mer Ma­­liqi e Imer Maliqi dhe shu­më të tjerë. Në këngët e rapsodëve tanë ata janë edhe per­so­nazhe të njo­hu­­ra edhe të epikës sonë heroike historike dhe këndohen në shumë vise të at­dheut.

Nokshiqi në kujtesën e kombit shqiptar, 140 vjet pas betejës së famshme të fitores për mbro­j­ten e Shqipërisë

Mali i Zi dhe Evropa e bashkë me ta edhe Perandoria Osmane, kërkonin nga Shqipëria që Malit të Zi t’i dorë­zo­hen Plava e Gucia, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit. Lidhja Shqi­­ptare e Priz­re­nit tha: jo! Ajo organizoi ushtri vullnetare për mbro­jten e kufirit, në krye me Ali pashë Gu­ci­në. Ka­­loi ai vit, 1878, i kobshëm për shqi­ptarët, sepse Evropa në Berlin e vazhdoi co­pë­ti­m­in e Shqi­për­i­së, pak muaj pas Shën Stefanit. Por, Shqipëria nuk u për­­kul.

Kaloi gati edhe viti vi­ju­es, 1879, dhe, në fund të tij, Mali i Zi e humbi durimin. Fi­lloi me sulme provo­kuese. Pas betejës së humbur të nëntorit, pasoi edhe sulmi tjetër, beteja vijuese, gjithashtu e humbur, më 4 dhjetor 1879, pi­kër­isht në Nokshiq. Forcat ushtarake të Malit të Zi, të komanduara nga Mark Mi­­lani, i një familjeje shqi­p­ta­re të sllavizuar, vo­j­vodë (dukë) nga Meduni, pjesëtar i fi­sit Kuç, janë ndeshur me for­cat e Lidhjes Shqip­ta­re të Priz­re­nit, nga Plava e Gucia dhe nga viset tona përreth, e ndër to ishin edhe ato nga Ru­g­o­va e Pe­­ja me anën veriore të Rrafshit të Du­ka­gji­nit, nga vinin edhe Haxhi Ze­ka, drejtues i la­rtë politik e ushtarak i Li­dh­jes, si dhe ru­govasit Çelë Sha­ba­ni-Stakënikaj e Kadri Bajri-Pal­gje­kaj, per­so­na­litete të njo­hura ush­ta­ra­ke e politike të Lë­vi­z­jes Kombëtare. Më 4 dhje­t­or 1879 u hap një faqe e re e his­torisë së lavdisë shqi­p­tare dhe e turpit të ushtrisë pu­sh­tuese të Ma­lit të Zi në No­kshiq.

Para fillimit të Betejës së Nokshiqit, me kër­ke­­­sën e Mar­kut, që këtu i pri­n­­te fisit të vet, Kuç, një­rit nga dymbëdhjetë fiset tona të Ma­lë­sisë, që atje ka he­q­ur dorë nga për­ka­tësia shqiptare, pati një dy­luftim ndërmjet të dy më të mirë­ve nga të dy ush­tritë, thotë tradita gojore. Nga forcat shqiptare do­li në dy­lu­f­tim Adem Isufi. Ishte nga Rexhajt e Shkrelit të Ru­­­govës, i biri i Isuf Sma­j­lit, po ashtu i përmendur për dyluftime. Bu­rrë rreth dyzet vjeç. Ki­sh­te përvojë të gjatë dhe ishte trim i madh. Edhe kësaj he­re doli fitimtar. Ku­ndër­sh­ta­rit të mundur ia preu kry­et, sipas traditës së lu­ftës, dhe ashtu ata krye të prerë e çoi lart. Shokët dua­rtro­kitën dhe bro­horitën: ’’Dora të lumtë Adem Isufi e gji­th­mo­në prefsh krena shkjeshë!’’Ma­r­ku u tha ush­tarëve të vet: ‘’Çonje kryet, se kjo nuk asht fi­tore!’’ dhe u drejtua andej e tha: ‘’Rugovë, e dua mejdanin e dy­të me ju! Dhe, Ademi del për­së­ri në fushë të me­jdanit. Dhe, përsëri e bën zap edhe këtë ku­ndër­shtar të dytë dhe kryet ia pret. Dhe, përsëri shokët e urojnë me bro­horitje: ’’Dora të lumtë Adem Isufi e gjithmonë prefsh krena shkje­shë!’’ Ushtria e Markut pra­pë ra me krye përtokë, e Marku prapë foli: ’’Ru­go­vë, nuk i tho­në as kësaj fitore pa u nda edhe mejdani i tretë!’’ E qiti edhe të tretin. Edhe Ademi u nis për herë të tretë në pikën e dyluftimit, por Rexhë Avdia, djali i axhës, një trim i rrallë, i tha: Bac, po t’tërrnoj, se u lodhe! Por, ky iu përgjigj: -’Jo, nuk u lodha hiç! Zene se veç ni mejdan e pa­ta!’’ Vazhdoi guximshëm drejt kundërshtarit. Edhe ai pësoi si ata dy të parët. Mbe­ti pa krye. Uresa e brohoritjet ushtuan dhe u dëgjuan edhe larg No­k­sh­iqit: ’’Do­ra të lumtë Adem Isufi e gji­th­monë prefsh krena shkjeshë!’’ Kënga e ruan këtë dëshmi për histori:

Ç’janë këto gjamë që po i bje era,

po liftojnë Rugova e Peja!

Adem Isufi, trim si rrfeja,

ra n’Nokshiq, po i xjerr tri krena!

Mark Milani foli aty, në Nokshiq, më 4 dhjetor 1879: -’’Rugovë, tash e dua mej­da­n­in e secillit me secillin!’’ Dhe, pas pak, filloi ndeshja trup më trup dhe fyt për fyt! Ishte shu­më e për­gja­k­sh­me. Betejë për jetë a vde­kje. Dë­shmi prapë është kë­nga jonë:

Re­­xhë Avdia, ni zog i atit,

top i kuq po m’del pej gjakut,

fyt për fyt me t’bitë e Markut.

 Shumë ushtarë të Markut në Betejën e Nokshiqit pësuan si ata tre të parët në dy­lu­ft­im me Adem Isufin dhe me krenat e tyre u mbush fushëbeteja, kurse të tje­rët mo­rën ikën dhe u kthyen mbrapa. Pos Mark Milanit të Kuçit, ishte edhe Todor Milani, një nga komandantët e forcave ushtarake të Ma­lit të Zi, po ashtu një shqiptar i slla­vi­zu­ar, me prejardhje prej fisit Vasoviq, një­rit nga dy­mbë­­­dhje­të fiset e Ma­lë­sisë, që tash nuk flasin më shqip, ashtu si Kuçi e Piperi. Në Lim u mby­tën mja­ft sish, duke ikur. Edhe kë­nga flet për kufomat e tyre në ujin e rrë­m­­by­­e­sh­ëm të Limit:

Nuk po i ço trupat for larg,

tej n’Tashlixhe, n’Vishegrad!

Ma­r­kun e shpëtoi kali i tij, që doli me suk­ses në bregun tjetër të Limit, thonë. Pas kësaj disfate të rëndë, Marku ra. Ma­dje, edhe kur vdiq, pas rreth njëzet vjetësh, në di­tën e vo­rri­mit, nuk e nderoi shteti i Malit të Zi.

Por, pa u bërë mu­aji, në janar 1880, filloi përsëri sulmi i Malit të Zi për pushtimin e Plavës e të Gu­­cisë. Ishte sulm me të gjitha forcat ushtarake që kishte ky vend, i njohur në hi­stori për sul­me e pu­­shti­me të tokave shqi­ptare, para e pas Kongresit të Berlinit, e sot i mban rreth dy të tretat e ty­re, pa i llogatitur edhe rreth 8 mijë hektarët e tashëm, që pa luftë i mori dhuratë nga 80 deputetët e Kuvendit të Ko­­­so­v­ës, më 21 mars 2018. Lu­fta mbro­jtë­se në janar 1880 e forcave të armatosura të Lidhjes Shqi­­p­ta­re të Pri­z­re­­nit ishte shu­­më­­di­të­she dhe heroike kundër sulmit të Malit të Zi për pu­shtimin e Plavës e të Gu­­cisë dhe ko­ma­nd­o­hej me sukses të madh nga Shtabi i luftës dhe Ali pa­shë Gucia, ko­ma­nd­ant i përgjithshëm.

Mbrojtja heroike e krahinës së Plavës e të Gu­cisë edhe në janar 1880

Ja­na­ri 1880 për mbro­jtjen e krahinës së Plavës e të Gu­cisë ishte fort i për­gja­­­k­shëm. Pra, prapë No­­­kshiqi ishte në lu­ftë, ishin në luftë disaditëshe të gjitha ka­tu­ndet për­r­eth, si­do­mos Pepajt, një luftë tejet e ma­dhe për të shpëtuar nga pushtimi krahinën e Plavës e të Giucisë nga Mali i Zi. Mbahet mend  sidomos ndeshja e përgjakshme e 8 janarit, që zgjati po ashtu disa ditë dhe që ish­te më e ma­dh­ja dhe më e vështira deri atëherë, ku ra­në shumë e shu­më dë­sh­mo­rë dhe he­ronj nga vi­set shqiptare. Si­pas tra­di­tës së lu­ftës, lu­­ftëtarët e Malit të Zi, kundërshtarit të mu­nd­ur ia prenin hu­ndë e buzë dhe i me­rr­nin si trofe lufte, ose e merrnin kokën e tij të prerë.

Në luftën e janarit 1880 ranë edhe ko­ma­­n­da­ntët e shquar Ja­kup Feri (Plavë, familja Shabaj) e Çe­lë Sha­bani (Stakaj, Ru­govë, nga vëllazëria Nikë­dedaj e Lajçit), që të dy perso­na­litete shumë të shqu­a­ra në traditën gojore dhe në kë­n­g­ët popullore. Qe edhe vargjet e rapsodit:

Kush e nisi luftën ma i pari,

Jakup Feri e Çelë Shabani…

N’mejdan Markut donë me i dalë…

Pra, përsëri Mali i Zi pësoi, u kthye mbra­pa dhe hoqoi dorë nga Plava e Gucia. Në pranverë 1880, Evropa i tha Malit të Zi: -Merre Hotin e Grudën, për zë­ve­ndë­s­im të Plavës e të Gucisë! Por, edhe aty ai u thye nga forcat shqiptare. Dhe, në vje­sh­të, i erdhi radha Ul­qinit, si zë­ve­ndësim i ri, po nga Evropa, për Plavën e Gucinë, kurse detyrën e kreu Dervish Pa­sha i Pera­ndo­­risë Os­mane, duke e sulmuar vendin tonë me forca shumë të mëdha ushtarake, dhe ia dorë­zoi Ul­qi­nin Malit të Zi. Ato di­të, për ta trembur Turqinë, fo­rcat ush­ta­rake evro­pi­ane e ki­shin mbu­sh­ur me anije të luftës një pjesë të Ad­ri­a­tikut. Evropa ashtu ve­proi edhe më 1913, me rastin e ricopëtimit të Shqipërisë, kur Plavën e Gucinë e la bre­nda kufirit të Malit të Zi, pas lu­f­tës së saj të ma­dhe e he­ro­ike, në tetor 1912, kundër Mark Mil­a­nit të ri, gjeneralit Janko Vukotiq.  

Për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit kanë shkruar dhe janë mbajtur tubime shkencore, ku ve­çohen ato për për­vje­torët e saj, sidomos për 100-vjetorin e themelimit, kurse veçmas për  Be­te­jën e No­k­­shiqit dhe për betejat e janarit 1880 kanë shkruar: Xhafer Be­le­gu, Kristo Fra­shëri, Elmaz Pla­va, Ma­renglen Verli, Georgi Daniel, Riza Rexha, Shyqri Ball­vora, Demush Sha­la,  Hasan I. Gjo­n­ba­laj, Ali M. Ahmeti, Zymer U. Neziri, Shefqet Can­hasi, Xheladin Gosturani, Rexhep Dedushaj, Ar­bër Ahmeti, Bajram Re­xh­aj, Xhe­vat Ha­­sani, Idriz Ul­aj e Agron Selimaj (gje­ne­­alogji), Gë­zim Zilja, Gë­zim Mekuli, Fitim Rifati, Esad Gjonbalaj etj.

Ka edhe shumë doku­me­­nte të botuara për këtë betejë dhe për betejat e janarit 1880 kundër Malit të Zi, si­­domos të Fuqive të Më­­dha të Evropës. Pre­s­im që të ke­mi edhe një stu­dim më të thelluar për të dy palët ndër­lu­f­tu­ese, sidomos për sa­sitë e buxheteve të luftës, numrin e for­ca­ve të ar­ma­to­su­ra, aftë­si­­min e tyre ushtarak, pi­kat stra­­tegjike të sulmit dhe të mbrojtjes, llogoret, prapavinë, kujdesin shën­detësor për të plagosurit, fur­ni­zi­met me ushqim e me municion, numrin e be­tejave, të ar­ma­ti­­mit dhe të llo­jeve të armëve, të ko­ma­­nduesve dhe të nive­leve të gradave të ty­re, të for­ma­cio­neve ush­ta­rake, të stra­te­gji­së së ko­ma­nd­imit, sidomos të hum­bje­ve, ku ka mjaft luhatje të shi­frave ndër autorë, që bën të jetë edhe një di­­se­r­ta­­ci­on do­ktorate, për mb­ro­­­jten e Pla­vës e të Gu­­­­­c­isë, dhje­­­tor 18­79 – ja­nar 1880. Ësh­të i nevojshëm. Ma­dje, shumë i do­mo­s­do­shëm për historinë to­në më të re.

Pra, ky ishte një vë­sh­trim për Be­te­jën e Nok­sh­i­qit, në nderim të 140-vjetorit të saj, edhe sipas tra­di­tës so­në go­­­jore, që është aq e pa­sur, duke i kujtuar me respekt udhëheqësit e Lidhjes Shqi­ptare të Prizrenit, sidomos: Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Haxhi Zekën, Sylejman Vok­sh­in, Ali pashë Gucinë, drejtuesin e luftës, dhe prijësit e saj: Jakup Feri, Çelë Shabani, Nuco Sha­hmani, Kadri Bajri, Bilko Shehu, Murteza agë Batusha, Melko Bashulaj, Mulla Jaha, Ajdin agë Kurtaj, Ali Kojaj, Rrustem Uka, Nure Kurti, Kurt Asllani, Selman Bashulaj, Fazli Syla, Ah­m­et Rama, Halil Sharkinaj, Bali Dema, Adem Bajraktari, Binak Alia, Bec Nikolla, Col Nikaj, Pre­luc Gjoka, Kolë Tomë Prëla, Gjelosh Nikçi ((Plava 2002: 60-62), si dhe luftëtarët e tyre: nga Plava e Gucia, Sanxhaku i Pazarit, Rugova, Rrafshi i Dukagjinit, Hasi, Luma, Dibra, Malësia e Gja­ko­v­ës, Nikajt e Mërturi, Du­kagjini, Malësia e Madhe, si dhe nga shumë krahina të tjera.        

Shembulli nga Shkreli, vendlindja e heronjve të Betejës së Nokshiqit

Shkreli i Rugovës, vendlindja e heronjve të Betejës së Nokshiqit, Adem Isufi dhe Rexhë Av­d­ia, për ta dhe për dëshmorët e tij në Nokshiq e në beteja të tjera, me rastin e shënimit të 130-vjetorit të kësaj beteje, më 4 dhjetor 2009 zbuloi një pllakë përkujtimore në Qa­fë të Rexhajve dhe, pas dy vje­tësh, po aty përuroi një qe­ndër për­kuj­ti­­more, që ka 9 varre. Aty janë Adem Isufi me të at­in Is­uf Smajli, Rexhë Avdia me atin Avdi Sma­jli, Ha­j­dar Feku e Hajredin Feku, Ah­met Isufi, Bul Isufi e Zhuj Isufi. Qendra Për­ku­jti­mo­re e Re­xha­jve të Shkrelit u për­urua më 10 qershor 2011, në shëni­m­in e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo është ndër më të mëdhatë e këtij lloji dhe u krye pa ndihmën e shte­tit.  

Beteja e Nokshiqit edhe sot, në 140-vjetorin e saj, duhet të ko­n­si­­derohet be­tejë ma­dhë­shtore dhe fi­tore ma­dhë­sh­tore. Kënga e saj u bë himn lufte dhe u këndua duke shkuar në shumë beteja, por këndohet edhe në dasma, kur kru­sh­qit nisen për të marrë nuse. Ajo është kë­nduar edhe në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Be­te­ja e No­k­shiqit ishte be­­­­te­jë mbi be­­te­ja dhe edhe sot vle­rë­so­het se ish­te nderi ush­­­ta­r­ak dhe po­litik i Li­dh­jes Shqi­p­ta­re të Pri­z­re­nit. Shënimi i këtij përvjetori është borxh ndaj atyre që i kanë da­­­lur zot vendit të vet, që u kanë thënë jo Fuqive të Më­dha të Evropës e Perandorisë Osmane dhe që janë flijuar për atdhe duke luftuar kundër pu­sh­tu­esit, Ma­lit të Zi.

Prishtinë, dhjetor 2019

Exit mobile version