Prishtinë – FC Prishtina ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me profesorin e njohur Malsor Gjonbalaj, i cili i është bashkuar klubit në cilësinë e udhëheqësit të Këshillit Profesional.
Sipas njoftimit të klubit, Prof. Gjonbalaj, përveç angazhimit të tij të suksesshëm akademik, ka dhënë ndër vite një kontribut të çmuar në futbollin kosovar. Kualifikimet dhe përvoja e tij në fushën akademike, shkencore dhe profesionale konsiderohen si vlera të rëndësishme që përputhen me vizionin e FC Prishtinës për të afruar pranë klubit personalitete të shquara të sportit dhe shoqërisë kosovare.
Me përvojën dhe ekspertizën e tij, Prof. Gjonbalaj do të ketë një rol kyç në hartimin e planeve zhvillimore të klubit, me theks të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve dhe në ngritjen e mëtejshme të standardeve profesionale brenda organizatës.
Drejtuesit e klubit kanë shprehur bindjen se angazhimi, vizioni dhe përkushtimi i tij do të ndikojnë pozitivisht në forcimin e FC Prishtinës dhe në realizimin e objektivave afatgjata, me synimin për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.
“Mirë se u ktheve në familjen bardhekaltër, Prof. Gjonbalaj!”, thuhet në mesazhin e mirëseardhjes së klubit.
Redaksia e Portalit Plava e Gucia Sot i uron profesor Malsor Gjonbalajt shumë suksese në detyrën e re dhe FC Prishtinës arritje të reja në rrugëtimin e saj sportiv.

