foto ilustrim
Podgoricë, 10 maj 2026 — Grupe dhe organizata nacionaliste pro-serbe kanë organizuar sot në Podgoricë një protestë kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga Mali i Zi.
Protesta është paralajmëruar të mbahet në ora 11:00 nën sloganin:
“Tubim mbështetës për anulimin e vendimit për njohjen e ‘Kosovës’”.
Sipas organizatorëve, protesta synon të ushtrojë presion politik ndaj institucioneve të Malit të Zi për tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës, vendim i marrë nga Podgorica në vitin 2008.
Kjo iniciativë po mbështetet nga lideri i Democratic People’s Party (DNP), Milan Knežević, një nga figurat më të njohura të kampit pro-serb në Mal të Zi, i cili prej vitesh kundërshton njohjen e Kosovës dhe orientimin euro-atlantik të shtetit malazez.
Mediat malazeze kanë raportuar javëve të fundit për këtë iniciativë dhe për tensionet politike që ajo ka shkaktuar në opinionin publik. Ndërkohë, deri më tani nuk ka asnjë sinjal zyrtar nga qeveria e Malit të Zi se mund të rishqyrtohet vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës.
Analistët politikë e konsiderojnë këtë protestë si pjesë të retorikës dhe mobilizimit të forcave nacionaliste pro-serbe në Mal të Zi, në një periudhë të ndjeshme politike për rajonin.
Portali “Plava e Gucia Sot” do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet dhe reagimet lidhur me këtë protestë në Podgoricë.

