Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Pse partitë politike shqiptare po e përkrahin Gjukanoviqin

Përkrahja e njërit nga dhespotët e fundit nga  mbeturinat politike  të ish Jugosllavisë nga ana e subjekteve politike shqiptare është skandal në vete. Politika e këtij  dhespotit në vazhdimësi është realizuar përmes formulës së mirënjohur dividi et imperá ( përçaj dhe sundo) dhe këtë formulë e ka përdorur në mënyrë perfide në tri dekadat e fundit. Kjo metodë ka rezultuar me përçarjen e shqiptarëve në mes veti,  ku sot në Mal të Zi kemi më se njëmbëdhjetë subjekte politike shqiptare, por njëkohësisht kjo përçarje ka rezultuar edhe me  defaktorizimin e  vetë faktorit politik shqiptar në Mal të Zi,

Orkestrimet politike të Gjukanoviqit janë implemetuar në hije,  përmes korruptimit dhe dekurajimit të votuesit shqiptar, metodë kjo që u tregua të jetë shume efikase për çorientimin e votuesit shqiptar siç u dëshmua  me rastin e deklarimit në  zgjedhje lokale për komunën e Tuzit.

Vallë për shumë kënd është dilemë se si duhet të veprojnë subjektet politike shqiptare; A të bëhen  pjesë e sistemit apo gjithnjë të rezistojnë ndaj shtetit dhe qeverisë malaziase.

Përzgjedhja e subjekteve apo përkrahja individuale e subjekteve të caktuara politike shqiptare për Gjukanoviqin dhe nomenklaturën e ti është jo produktive dhe kundër interesave të shqiptarëve. Edhe vetë fakti i ekzistimit të rreth 11 subjekteve politike është fryt i punës së Gjukanoviqit dhe metodave të tij  të mbjellës së farës së  keqe në njërën anë, ndërsa ana tjetër e medaljonit paraqet kvazin dhe patriotizmin e  disa subjekteve politike shqiptare që asgjë nuk kanë bërë në të mirë të interesave të vetë shqiptarëve në Mal të Zi tash e tri dekada.

Çorientimi i këtillë nga liderë jo korizmatik por liderë  të interesave personale ka sjellë klimën perfekte për  notimin e Gjuknoviqit dhe klikës së ti politike ku të dojë ai nëpër interesat  tona kombëtare.

Subjekte politike shqiptare  duhet të jenë vizionare, respektivisht ato që kanë vizion duhet të  unifikojnë qëndrimet e mos të bëhen pjesë e garniturës politike të shteti malazias sa për të qenë  dekor pa vlerë në mur, dhe çdo kyçje nuk guxon të jete selektive por me listë te përbashkët dhe me qëndrime të qarta dhe transparente për opinionin publik dhe votuesin shqiptar si dhe të kushtëzojnë  (duke i pasur parasysh mbi të gjitha interesat kombëtare) çdo kyçje në  aparatin e këtij shteti ku gjinden sot që quhet Mali i Zi.

Strategjia përçarëse  e Gjukanoviqit “Take the best leave the rest” (merri më të mirët dhe shporri të tjerët) për kauzës e dhespotit ka funksionuar  jashtëzakonisht mirë dhe si pasojë të saj sot ne shqiptarët  kemi mezi një deputet në  parlamentin e Malit te Zi.

Subjektet nacionale shqiptare nëse me  të vërtetë janë shqiptare duhet të gjunjëzohen para interesave kombëtare të shqiptarëve ne Mal Te Zi duke i lënë të gjitha interesat, mosmarrëveshjet dhe inatet anash, me qellim të vetëm të prosperitet të kombit shqiptar.

 

Esad Gjonbalaj

Exit mobile version