Site icon PLAVA E GUCIA SOT

PUSHTIMI ROMAK DHE MILITARIZIMI I DARDANISË

Mbretërinë Dardane ushtarakisht e okupoi perandori August pas përpjekjeve shekullore të paraardhësve të tij.Gjatë kohës së sundimit të tij treva e Dardanisë kishte gëzuar status të privilegjuar dhe një shtresë e popullatës ishte integruar në shoqërinë romake, por dardanët edhe shumë kohë pas kësaj i kishin rrezistuar Romës dhe romanizimit.

 

Monedhë bronci e kohës së Augustit e gjetur në Kosovë(shekulli I i erës sonë)

Prof. Dr.Naser Ferri

Mbretëria Dardane për herë të parë ishte përmendur në shkrimet e historianit romak Justin (Marcus Junianus Justinus) i cili përshkruan kohën kur atë e kishte pushtuar Filipi II i Maqedonisë (359-336 p.e.s), por përkundër këtij fakti mendohet se parardhësitë e dardanëve jetonin në Ballkan që nga shekujt XIII-XII p.e.s., ndërsa zbulimet arkeologjike dëshmojnë se një lloj shteti dardan në nivel të caktuar organizimi kishte ekzistuar qysh kah fundi i shekullit VI para erës sonë.

Pas vrasjes së Filipit në vitin 336 para erës sonë  edhe dardanët si edhe mjaft fise të tjera ishin çue në kryengritje dhe kishin arritur të çlirohen nga pushteti maqedonas.

Se sa ishin forcuar  dardanët pas çlirimit nga Maqedonia flet edhe fakti që mbreti dardan Monuni në vitin 279 para erës sonë, i kishte ofruar mbretit maqedonas Ptolemaios Keraunos (318-279 para erës sonë) 20.000 ushtarë si ndihmë për luftë kundër rrezikut të përbashkët, respektivisht kundër invadimit të keltëve, por i njëjti e kishte rrefuzuar ndihmën e ofruar, kishte pësuar disfatë dhe ishte vrarë në betejë.

Kontaktet e hershme të dardanëve me Maqedoninë

Oferta e dardanëve ndërkaq mund të jetë dëshmi e ekzistencës së një bashkësie politike me një mbret në krye, por përkundër kësaj oferte të ndihmës dardanët, sipas shkrimeve të Tit Livit Titus Livius Patavinus, 59 p.e.s-17 të e.s.), kishin qenë dhe kishin mbetur „gens semper infestissima Macedoniae“ (fis ose popull  gjithmonë armiqësor ndaj Maqedonisë) e sidomos nga vitet e tridhjeta të shekullit III para erës sonë,  kur kishin filluar luftërat e vazhdueshme të dardanëve kundër Maqedonisë.

Kontaktet e para të dardanëve me romakët kishin ndodhur qysh gjatë shekullit III para erës sonë dhe në fillim ato ishin aleanca ushtarake kundër Maqedonisë.

Në vitin 200 para erës sonë, dardanët me në krye Batonin, të birin e Longarit, i kishin ofruar ndihmë konsulit Publius Sulpicius Galba Maximus, i cili kishte zbarkuar në Iliri dhe prej kësaj kohe kishin filluar aleancat dardano-romake gjatë luftërave romako-maqedonase dhe këto aleanca ushtarake kishin zgjatur deri në vitin 168 para erës sonë, kur Roma e kishte pushtuar dhe në vitin 148 e kishte pacifizuar Maqedoninë dhe e kishte krijuar provincën romake Macedonia, kohë kjo kur apetitet e romakëve për pushtimin e territoreve në veri nga Maqedonia drejt Danubit  filluan të shtohen.

Monedhe e perandorit Trajan e gjetur ne Kosove (shekulli II i erës sonë)

Pushtimin e territorit mes Maqedonisë dhe Danubit romakët e kishin arsyetuar me nevojë të mbrojtjes së territoreve romake në Ballkan nga rreziku i fiseve barbare të cilët jetonin përtej Danubit e  të cilët kalonin lumin dhe plaçkisnin këtej.

Aleancat e para me Romën

Pikërisht për shkak të pushtimit të territoreve të reja edhe kishin filluar luftërat e  pergjakshme të dardanëve kundër romakëve të cilët kishin qenë aleatë të deriathershëm të tyre.

Sipas të dhënave nga shkrimet e autorëve antikë luftat e vazhdueshme ndërmjet dardanëve dhe romakëve kishin zgjatur deri në fushatën e konsulit Marcus Licinius Crassus të viteve 29-28 para erës sonë kur edhe ishte pushtuar Dardania, por në ndërkohë ishin zhvilluar luftëra të ashpra ndërmjet aleatëve të mëparshëm.

Informatat e para më të detajuara mbi luftërat romako-dardane të cilat i udhëhoqen konsujt Cneus Cornelius Marcellinus dhe Publius Licinius, i kishte shënuar Julius Obsequens, autor i veprës „Liber de prodigiis“ në vitin 97 para erës sonë.

Pas vitit 110 e para vitit 85 para erës sonë ishte shënuar fushata e madhe romake kundër dardanëve, ndërsa në kohën e Luftës së Parë  kundër mbretit të Pontit Mithridat (viti 85 para erës sonë) dardanët ishin organizuar në kryengritje, por konsuli Lucius Cornelius Sulla (138-78 para erës sonë) dhe legati Quintus (ose Lucius) Hortensius i kishin mposhtur dardanët, denteletët dhe fiset e tjera të rebeluara.

Sipas shënimeve të autorëve antikë në vitin 84 para erës sonë dardanët ishin bashkuar me medët dhe skordiskët dhe në fushatë ushtarake kishin arritur deri në Delfe të Greqisë duke plaçkitur, por konsuli Cornelius Scipio i kishte mposhtur ata dhe i kishte zmbrapsur në tokat e tyre.

Shndërrimi i aleancave në armiqësi të përgjakshme me Romën

Gjatë viteve 78-77 para erës sonë dardanët kishin luftuar kundër konsulit Appius Claudius Pulcher (139-76 pe.s.), i cili kishte pësuar disfatë dhe kishte vdekur në vitin 76. para erës sonë dhe të cilin e kishte trashëguar konsuli Caius Scribonianus Curio (125-53 para erës sonë).

Gjatë kryengritjeve dhe luftërave të përmendura dardanët kishin pasur rol dytësor ndërsa prej kohës së konsulit  Curio (ishte legat në Maqedoni prej vitit 75 deri në vitin 73 para erës sonë), dardanët ishin bërë cak kryesor të romakëve gjatë luftës së përgjakshme të njohur si Bellum Dardanicum.

Me qëllim të mposhtjes së dardanëve dhe të qetësimit të Dardanisë, Curio kishte zbarkuar me 5 legjione me rreth 30.000 ushtarë, nga të cilët një legjion ishte rebeluar duke rrefuzuar të luftonte kundër dardanëve gjë që dëshmon forcën ushtarake të dardanëve dhe frikën e romakëve nga ata..Megjithatë, konsuli Curio e kishte rivendosur rendin në ushtri të vetën me dënime të ashpra dhe i kishte mposhtur dardanët duke u hakmarrë për rebelimet e tyre të shpeshta.

Më të mposhtur dardanët Curio kishte vazhduar drejt veriut, i kishte mposhtur edhe mezet dhe kishte qenë gjenerali i parë i ushtrisë romake i cili „kishte shkelur“ bregun e Danubit.

Prej përfundimit të Bellum Dardanicum e deri në kohën e perandorit August, Dardania kishte mbetur për një kohë në gjendje të një lloj gjysmëpavarësie ndaj Romës dhe fal këtij fakti dhe të fakteve të tjera relevat perandori August dhe sundimi i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Dardanisë.

Caius Octavius Thurinus – perandori August

Sipas biografisë së tij të shkruar nga autori Svetonius perandori më i famshëm- Augusti ishte lindur më 23 shtator të vitit 63 p.e.s. në Romë si Gaius Octavius Thurinus, i biri i Gaius Octavius, guvernator i Maqedonisë dhe i Acies (Acia Balba Caesonia), mbesës së diktatorit romak Gaj Jul Cezarit (Caius Iulius Caesar, 100-44 para erës sonë).

Gjatë jetës dhe karrierës së tij ai kishte bartur këto emra: prej vitit 63 deri 44 p.e.s. Caius Octavius, prej vitut 44 deri 42 p.e.s. Caius Cai filius Caesar, prej vitit 42 deri 38 Caius Iulius divi filius, prej vitit 38-37 Imperator Caesar divi filius dhe prej vitit 27 p.e.s. e deri në vitin 14 të e.s. (deri në momentin e vdekjes)  Imperator Caesar divi filius Augustus.Thuhet se emrin Octavianus (derivat nga Octavius) nuk e kishte përdorur kurrë zyrtarisht ndërsa pas vitit 27.p.e.s në dokumente zyrtare emri i tij përmendet si Imperator Caesar Augustus.

Në vitin 44 para erës sonë, Jul Cezari, pak para se ta vrisnin në Senat., e kishte emëruar Oktavianin ndihmës kryesor të vetin.Fill pas vrasjes së Cezarit, Oktaviani ishte kthyer nga Apollonia e Iliriisë në Romë, meqë ishte caktuar trashëgimtar i diktatorit.Senati e kishte përshëndetur kthimin e tij dhe gatishmërinë që të hakmerret për vrasjen e Cezarit.

Në nëntor të vitit 43 para erës sonë, bashkë me aleatët e vet Marcus Antonius Lepidus dhe Marcus Antonius, duke u mbështetur në ligjin Lex Titia,  Oktaviani kishte lidhur Triumviratin e Dytë (Tres viri reipublicae constituendae) në Bononia (Bolonja e sotme) dhe kishte nisur luftën qytetare kundër vrasësve të Cezarit, të cilën e kishte përfunduar me sukses,  Oktaviani kishte dal fitues  me ç’ rast ishte bërë kryekomandant i mbi 60 legjioneve, të cilat ishin krijuar nga ai dhe nga kundërshtarët e tij gjatë luftës qytetare.Me një politikë të mençur ai i kishte pensionuar më së 500.000 ushtarë ë 38 legjioneve (duke i shpërblyer për shërbimin e tyre), duke i lënë vetëm 25 legjione me njësite përcjellëse ndihmëse e logjistike me rreth 300.000 ushtarë të nevojshme për mbrojtjen e shtetit. Lidhur me këtë më 16 janar të vitit 27 p.e.s. Senati i Romës, për merita të tij ndaj shtetit romak,  ia kishte bashkangjitur emrit të tij zyrtar: Caius Iulius Caesar Octavianus, edhe titujt: “AUGUSTUS” që ka kuptimin “i ngritur” dhe “PRINCEPS”(i pari), dhe prej   këtij viti, i cili merret si vit i themelimit të Principatit respektivisht të Perandorisë Romake, Oktaviani  merr emrin Octavianus Augustus,  ndërsa emri i tij zyrtar do të jetë : Imperator Caesar Divi Filius Augustus,

Oktavian Augusti dhe Iliriku

Pas betejave tek Akciumi dhe afër Aleksandrisë në Egjipt, Oktaviani kishte forcuar pozicionet dhe kishte urdhëruar konsulin Marcus Licinius Crassus që  ti pushton territoret deri në Danub,  urdhër të cilin Crassus edhe e kishte zbatuar duke i sulmuar fiset e mezëve, të tribalëve dhe të dardanëve.

Kontaktet e para me Ilirikun Oktaviani i kishte pasur që nga gjysma e shekullit I para të erës sonë kur Jul Cezari e kishte dërguar për ta vazhduar arsimimin e lartë  në Apolloni të Ilirisë.Më vonë, gjatë luftërave civile kundër vrasësve të Cezarit, respektivisht  prej vitit 33 para erës sonë,  ai i kishte përgatitur dhe ushtruar në jug të Ilirisë legjionet për betejat përfundimtare të luftës në Egjipt kundër Mark Antonit dhe Kleopatrës.

Para se ta merrte postin e perandorit, respektivisht mes viteve 35 dhe 33 p.e.s.,  Oktaviani e kishte ndërmarrë një fushatë kundër fisit ilir  të japodëve dhe të disa fiseve të tjera ilire në Panoni dhe me këtë rast i kishte nënshtruar definitivisht edhe kundërshtarët shekullor të Romës, fisin luftarak të dalmatëve.

Sipas dëshmive të historianit romak me origjinë greke Apian i cili kishte jetuar në kohën e perandorëve Trajan, Hadrian, Antonin Pius dhe Mark Aureli (Appian 95-165 të erës sonë), Augusti po ashtu kishte pushtuar disa pjesë të Ilirikut dhe kishte shtypur kryengritjen e dy Batonëve (Batonit, prijës të fisit të breukëve dhe Batonit të desidiatëve) e cila  kishte zgjatur prej  vitit 6 deri në vitin 9 të erës sonë, pastaj kishte përfunduar pushtimin e Dardanisë (të filluar shumë më herët dhe përkundër luftërave të përgjakshme, deri në kohën e tij të papushtuar), meqë e kishte dërguar gjeneralin e vet Marcus Licinius Crassus, i cili gjatë fushatës së viteve 29-28 para erës sonë të nisur nga Maqedonia, me pretekst të ndëshkimit dhe të zmbrapjes së fisit të bastarnëve të cilët e kishin kaluar Danubin, e kishte okupuar territorin e Mbretërisë Dardane por edhe territoret e fiseve të tjera deri në bregun e djathtë të Danubit, duke ia dhënë për një kohë statusin e favorshëm autonom trojeve dardane dhe duke tentuar t’i kyç dhe t’i inkorporojë dardanët në ushtri, administratë, politikë, kulturë, arte  si dhe në segmentet e tjera të shoqërisë së asaj kohe.

Pushtimi i trojeve të fiseve ndërmjet provincës së Maqedonisë dhe të lumit Danub nuk qe definitiv, meqë kryengritjet e këtyre fiseve kishin vazhduar deri në vendosjen e garnizoneve të përhershme të ushtrisë romake në këto treva por edhe më vonë gjatë shekujve vijuese.

Gjeografi dhe udhëpërshkruesi  Ptolemeu (Claudius Ptolemaeus, 100-170 të e.s.) kishte shënuar se pas pushtimit nga ana e romakëve, respektivisht gjatë sundimit të Augustit, treva e Dardanisë kishte qenë regjion i veçantë në kuadër të provincës së re Mezia (Moesia).

Fushata e konsulit Crassus kishte përfunduar në vitin 28 para erës sonë dhe ky vit ndoshta mund të merret si fund i pavarësisë formale të Mbretërisë Dardane edhe pse rezistenca e dardanëve kundër romakëve kishte vazhduar edhe një kohë relativisht të gjatë pas kësaj.

Pushtimi i trojeve të fiseve që jetonin ndërmjet provincës së Maqedonisë dhe të Danubit nuk ishte përfundimtar meqë rezistenca dhe kryengritjet e këtyre fiseve kishin vazhduar deri në vendosjen e kampeve të përhershme të ushtrisë romake në këto treva e madje edhe pas kësaj.

Dardania në kohën e sundimit të perandorit August

Pas pushtimit, perandori  August ia kishte mundësuar një status të privilegjuar Dardanisë dhe ua kishte hapur rrugën dardanëve për inkuadrim në shoqërinë romake fal të cilës gjë mjaft dardanë gjatë periudhave të mëvonëshe kishin arritur pozita të larta në ushtri dhe në administratë shtetërore e madje disa nga ata e kishin arritur edhe pozitën e perandorit të Perandorisë Romake dhe kishin arritur t’ia ndërrojnë kahjet e historisë romake e në këtë kontekst edhe të asaj botërore.

Në vitin 14 të erës sonë ishte krijuar provinca Mezia (Moesia) në kuadër të cilës gjatë sundimit të Augustit Dardania kishte qenë regjion i cili kishte gëzuar status të veçantë.

Në vitin 86 të erës sonë perandori  Domician (81-96) e kishte ndarë Mezinë në Mezi të Poshtme (Moesia Inferior) dhe Mezi të Epërme (Moesia Superior), në kuadër të së cilës kishin hy tokat dardane.

Lidhur me çështjen se kur kishte filluar Roma dislokimin e njësiteve ushtarake nga Maqedonia e pacifizuar (provincia inermis) dhe vendosjen e tyre në territorin e dardanëve dhe të fiseve të tjera deri në Danub  ka mendime  të ndryshme sipas të cilëve kjo gë kishte ndodhur në vitin 27 para erës sonë, në vitin 12-11 para erës sonë, në vitin 1 të erës sonë, në vitin 9 apo në vitin 11 të erës sonë,  që cilësohet si datë më e arsyeshme, meqë pas këtij viti nuk janë shenuar kryengritje të mëdha në Mezi.

Të dhënat e autorëve antikë si dhe gjetjet arkeologjike dëshmojnë që kampet e para të përhershme të ushtrisë romake në territorin  e banuar me dardanë ishin vendosur fill pas pushtimit romak në Shkup (Scupi) dhe Nish (Naissus), e më vonë edhe në Ravne (Timacum minus: cohortes Prima et Secunda Dardanorum) dhe në disa qendra të  tjera ku ishin vendosur repartet e legio VII Claudia dhe IV Flavia, të cilat ishin të stacionuara ne Viminacium (Kostollaci i sotëm në bregun e djathtë të Danubit në Serbi) dhe në Singidunum (Beograd).

Vendosja e ushtrisë romake në territoret e pushtuara

Lidhur me militarizimin, respektivisht me vendosjen dhe qëndrimin e njësiteve të ushtrisë romake janë gjetur mjaft dëshmi epigrafike në territorin e banuar me dardanë gjatë shekullit I të erës sonë përmes monumenteve të cilët i kishin ngritur veteranët (ushtarët e pensionuar), oficerët, nënoficerët dhe ushtarët aktiv të disa legjioneve dhe njësive ndihmëse (kohortat dhe alat).

Në Scupi  janë dëshmuar monumentet epigrafike dedikuesit e të cilëve kishin qenë veteranët ose ushtarakët aktiv të njësiteve ndihmëse të ushtrisë romake : cohors I Italica (janë gjetur monumentet me mbishkrime të 2 veteranëve), njësitit elitar të gardës perandorake cohors II Praetoriae (monumenti i 1 veterani), Ala I  Flavia (1 ushtar), pastaj të njësiteve legio IV Macedonicae (1 veteran), V Macedonicae (1 veteran dhe 1 ushtar-miles), legio V Alaudae (1 veteran), VII Claudiae (3 veteranë, dhe në një rast i tërë legjioni), legio XIV Gemina (oficer i lartë-praefectus castrorum) .

Në Kaçanik është gjetur monumenti i një pjesëtari (beneficiarius) i legio VII Claudia, kurse në Naissus janë gjetur monumentet me mbishkrime në tekste e të cilëve përmenden pjesëtarët e cohors I Cretum (një veteran) dhe cohors I Cilicum (1 ushtar- miles).

Në Ravna afër Knjazhevacit janë gjetur gjurmët e cohors I Montanorum (oficer-preafectus coh), I Thracum Syriaca (një praefectus cohortis, një ushtar (miles)  dhe 1 veteran (veteranus).

Njësitet e përmendura, ushtarët e të cilëve kishin qenë të rekrutuar në Maqedoni, Thraki, Kretë, Kiliki, Siri e provinca të tjera të Perandorisë Romake, kishin marrë pjesë në pushtimin e Dardanisë dhe të territoreve në veri deri në brigje të Danubit dhe të Detit të Zi, duke i krijuar kushtet për formimin e provincës së re Mezia e cila në vitin 86 të erës sonë ishte ndarë në Mezi të Poshtme dhe Mezi të Epërme.Natyrisht një pjesë e këtyre njësiteve, edhe pas pushtimit për një kohë  të caktuar janë kujdesur bashkë me legjionet e përmendura, për çështje të sigurisë së qarkullimit të  njerëzve dhe mallrave, për çështje doganore dhe për ndërtimet e infrastrukturës dhe të objekteve publike.

Të dhënat të cilat i ofrojnë tekstet e mbishkrimeve nga monumentet epigrafike si dhe shkrimet e autorëve antikë dëshmojnë se pas pushtimit nga romakët territoret e banuara me dardanë përfshinin territorin e Maqedonisë Veriperëndimore të sotme, tërë Kosovën dhe pjesën e Serbisë së sotme deri mbi lokalitetin Timacum minus në veri (Ravna e sotme, afër Knjazhevacit në Serbi), territor ky ku ishin të vendosura qendrat e mëdha urbane siç ishin Colonia Scupi, Municipium Ulpianum, Municipium DD, Municipium Naissus, disa municipiume (emrat e të cilëve nuk janë ruajtur) në Dukagin, disa vendbanime më të vogla (Vendenis, Vicianum, Theranda e tj.), si dhe një varg stacionesh doganore apo ushtarake si: Statio Lamud, H(erculana?), Timacum maius, Timacum minus e po ashtu edhe stacionesh të beneficiarëve në territoret e vendbanimeve të përmendura (në Banjë të Novi Pazarit, Mitrovicë, Vushtrri, Banjë të Malishevës, Kaçanik, Zhur afër Prizrenit e tjera).

Pas ndarjes së Mezisë, trojet dardane ishin bërë pjesë integrale të Mezisë së Epërme (Moesia Superior) dhe prej kësaj kohe e deri në fund të antikës për mbrojtjen dhe sigurinë e saj kujdeseshin legjionet VII Claudia, i cili ishte transferuar këtu në vitin 62 të erës sonë nga Dalmacia dhe legio IV Flavia, i cili  kishte arritur në Mezi në vitin 86 të erës sonë po ashtu nga Dalmacia, dhe këto dy legjione së bashku me disa njësite ndihmëse nga të cilat me rëndësi ishin cohortes I et II Aurelia Dardanorum, të krijuara ekskluzivisht nga ushtarët dardanë (pos oficerëve komandues)  kishin qëndruar në këtë provincë deri në fund të antikitetit.

Rezistenca e dardanëve kundër romanizimit

Sipas dëshmive të autorëve antikë pas pushtimit të ish Mbretërisë Dardane nuk kishte pushuar rezistenca e banorëve të saj, meqë ajo kishte vazhduar në mënyrë sporadike ose edhe në mënyrë të organizuar edhe pas shekullit II të erës sonë kur perandori Mark Aureli (Marcus Aurelius) kishte filluar të krijojë njësitet etnike dardane dhe dalmate (cohortes I et II Aurelia Dardanorum  et I et II Aurelia Delmatarum) me qëllim të përkujdesjes për siguri në provinca por edhe me qëllim të inkorporimit të kryengritësve dardanë dhe dalmatë në ushtri romake dhe të evitimit të rrezikut nga latronët e në të njëjtën kohë të inkorporimit edhe të kryengritësve nga Dardania e Dalmacia (dhe të integrimit të tyre në kuadër të ushtrisë romake dhe të evitimit të rrezikut nga trazirat edhe gjatë shekullit II të erës sonë), të cilët faktikisht përbënin një lëvizje specifike të rezistencës popullore kundër romanizimit.

Pas pushtimit romak, edhe në disa pjesë të tjera të Ilirisë rezistenca kundër romakëve dhe romanizimit kishte filluar qysh në kohën e sundimit të perandorit August, siç ishte rasti më kryengritjen disavjeçare të dy Batonëve  në Panoni dhe Dalmaci, ndërsa rezistenca e kryengritjet nuk kishin pushuar shekuj me radhë siç ishte rasti me Dalmacinë dhe Dardaninë, ku romakët u detyruan të luftojnë kundër kryengritësve të njohur si: “latrones Dalmatiae atquae Dardaniae”(latronët e Dalmacisë dhe të Dardanisë) madje edhe në kohën e perandorit Mark Aurelit (161-180).

Përkunder kësaj, Augusti kishte bërë përpjekje që sa më shumë iliro-dardanë t’i inkorporojë dhe t’i integrojë në shoqërinë romake duke iu hapur rrugën atyre në të gjitha sferat e jetës (në ushtri, administratë shtetërore, politikë, kulturë, ndërtimtari e tj.), duke u hapur dyert e shoqërisë romake, gjë që më vonë atyre u kishte mundësuar ta arrinin edhe fronin perandorak siç ishte rasti me Aurelianin (270-271), Probin (276-282), Dioklecianin (286-305), Maksimianin (286-305), Konstandinin e Madh (306-337) e disa të tjerë të cilët e kishin drejtuar Perandorinë por edhe ia kishin bërë ndërrime radikale në kahje historike.

Meritat historike të perandorit August

Përkundër shëndetit të lig që e kishte, Augusti ishte dhe mbeti vigan me vend të posaçëm në histori të njerëzimit duke pasur parasysh që i kishte  përfunduar luftërat civile të cilat kishin zgjatur pothuaj një shekull, e kishte reformuar ushtrinë romake duke e ngritur profesionalizmin dhe efikasitetin e saj në nivel i cili ishte dhe ka mbetur edhe sot model i ushtrisë së përsosur, i kishte sjellë Romës territore të reja., kishte ndërprerë luftërat dhe kishte shpallur paqen afatgjate (Pax romana ose Pax Augusta, si shenjë të së cilës në vitin 13 p.e.s. e kishte ngritur altarin e paqes të kushtuar hyjneshës së paqes Pax-Ara Pacis Augustae në fushen e Marsit në Romë), me politikën e vetë të mençur  tatimore e doganore kishte sjellë përparim, rend dhe zhvillim të ekonomisë së shtetit romak, dhe e kishte ngritur Romën në nivel të Perandorisë, duke i dhënë fund sistemit të mëhershëm republikan dhe duke e themeluar sistemin e ri shtetëror -të Principatit, ku Senati kishte teorikisht pushtetin mbi ushtrinë dhe mbi provincat dhe kishte të drejtën e emetimit të monedhave prej bakri dhe bronci, por në praktikë Augusti kishte sunduar në mënyrë autokratë.

Sistemi i Principatit, i krijuar nga Augusti,  kishte zgjatur deri në kohën e perandorit Dioklecian (Caius Valerius Aurelius Diocletianus, 284-305 të erës sonë). i cili në kuadër të reformave të veta, pos të tjerash, e kishte themeluar edhe sistemin e Dominatit (lat. dominus- Zot, zotëri, sundues) dhe të Tetrarkisë (gr. tetra=katër), duke e ndarë Perandorinë në katër pjesë, me katër kryeqytete dhe katër perandorë bashkësundues të barabartë.

Pikërisht përzierja e elementeve të sistemit republikan me atë monarkist e kishin bërë Principatin sistem të pranueshëm nga të gjitha shtresat, ndërsa vetë Augustin perandor të dashur, kurse Perandorinë Romake e kishin ngritur në nivel të patejkalueshëm nga asnjë perandori tjetër.Perandoria Romake kulmin e zhvillimit në çdo aspekt e kishte arritur në shekullin II të erës sonë gjatë sundimit të perandorëve Trajan, Hadrian, Antonin Piu e Mark Aureli dhe trashëgimtarëve të tyre, kur shteti romak përfshinte pjesën më të madhe të botës së njohur asokohe dhe pjesën më të civilizuar të njerëzimit dhe kjo ishte edhe koha e lulëzimit të trojeve të banuara me dardanë.

Fal kushteve të volitshme ekonomike, në kohën e Augustit arti dhe kultura kishin arritur nivel shumë të lartë kurse Augusti i kishte kushtuar kujdes edhe ndërtimeve publike me ç‘rast, pos të tjerash, kishte ndërtuar apo rindërtuar  edhe 82 tempuj dhe shumë rrugë në Itali e nëpër provinca, por kishte ndërtuar edhe ndërtesa të tjera sidomos në Romë për të cilën thuhet së “Augusti e kishte marrë prej tjegullave dhe e kishte shndërruar në qytet prej mermeri,” ndërsa koha e sundimit të Augustit konsiderohet “periudhë e artë e Romës dhe e shtetit romak.”

Biografinë e kësaj figure të rëndësishme historike e kishte shkruar autori antik Suetoni (Gaius Suetonius Tranquillus, 69-122 të erës sonë, ose 71-135 të erës sonë), por shumë të dhëna lidhur me jetën e Augustit ofrojnë edhe veprat e vetë Augustit :“Res gestae divi Augusti” dhe “Monumentum Ancyranum”

Perandori August kishte vdekur më 19 gusht të vitit 14 në Nola afër Napolit me ç’rast nga ana e Senatit  ishte divinizuar (ishte shpallur perëndi) dhe ishte varrosur në mauzoleun cilindrik me diametër prej 87 m. të ndërtuar enkas për te dhe për familjen e tij në Romë, mbetjet e të cilit ishin zbuluar në vitin 1934 brenda godinës mesjetare Castel Sant’Angelo në kompleksin Parco Adriano, buzë lumit Tibër, afër Vatikanit.

Populli romak në shenjë respekti dhe nderimi e kishte riemëruar muajin e tetë të kalendarit romak Sextilis ( lat.=i gjashti, sipas kalendarit të lashtë dhjetëmujor romak, kurse në vitin 46 para erës sonë, me shtimin e muajve Januarius dhe Februarius në fillim të vitit, ishte bërë muaji i tetë i Kalendarit Julian), gjatë të cilit kishte vdekur ky perandor, duke e pagëzuar me emrin  Augustus, sipas titullit  perandorak të Augustit, të cilin më vonë e bartnin të gjithë perandorët si element trashëgues. Emërtimi Augustus për muajin e tetë të vitit kalendarik ka hy në përdorim në kalendarët e shumë popujve (Agosto, August, Août, Augusztus) e këtë emërtim të adaptuar sipas rregullave të gjuhës shqipe (Augustus-gusht) e përdorim edhe ne sot.

 

 

* Pjesë nga punimi “La conquista Romana e la militarizzazione della Dardania”(Pushtimi dhe militarizimi i Dardanisë) i publikuar në librin:“The century of the brave, Roman conquest and indigenous resistance in Illyricum during the time of Augustus and his heirs – Proceedings of the international conference Zagreb, 22-26. 9. 2014,  Edited by Marina Milićević-Bradač and Dino Demicheli, Department of Archaeology, Faculty of Humanities and Social Sciences, University of Zagreb, të botuar në Zagreb 2018, f.175-183.

Kopertina e librit botuar në Zagreb
Exit mobile version