Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Qeveria e Kosovës miraton masa të reja për luftim të pandemisë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit në këtë shtet.

Në vendim është thënë se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.

Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Sa i përket procesit mësimor, në vendim është thënë që të gjitha institucionet e arsimit para-universitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuara më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar më parë tre skenarë për zhvillim të mësimit në kohë të pandemisë.

Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.

Exit mobile version