Jo vetëm presidenti malazez Milo Gjukanoviq ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të mos dërguar trupat ushtarake të këtij vendi në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Edhe ish- ministri malazez i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, ka thënë se heqja dorë nga dërgimi i një toge këmbësorie të Ushtrisë Malazeze në Kosovë nuk është e mirë për reputacionin e Malit të Zi si anëtare NATO-s.
Ish-ministri malazez ka thënë se me këtë veprim Mali i Zi tregon që nuk është në gjendje të respektojë detyrimet ndërkombëtare për shkak të rrethanave të brendshme politike.
Ushtria e Malit të Zi sivjet nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin KFOR në Kosovë, kështu u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes.
“Për shkak të situatës së shkaktuar nga virusi corona dhe kufizimeve buxhetore, Ushtria e Malit të Zi në 2021 nuk planifikon aktivitete në përgatitjet e përbashkëta, trajnimin ose angazhimin e togave të këmbësorisë në misionin e KFOR në Kosovë”, tha Ministria e Mbrojtjes për REL, në pyetjen se pse Mali i Zi ka hequr dorë nga dërgimi i ushtarëve malazezë në misionin e KFOR-it a.
Vendimi u parapri nga një paralajmërim i hapur ndaj ministres së Mbrojtjes, Olivera Injac dhe kryeministrit Zdravko Krivokapiq nga partia më e fortë në shumicën qeverisëse, Fronti Demokratik pro-rus (DF), se do t’i mbajë ata përgjegjës nëse dërgojnë trupa në Kosovë.
Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në qershor të vitit 2017 dhe një vit më vonë anëtar i KFOR, misionit më të gjatë të NATO-s. Në misionin në Kosovë aktualisht janë dy anëtarë malazezë, një oficer i Ushtrisë dhe një përfaqësues civil i Ministrisë së Mbrojtjes.
Mali i Zi u bashkua me NATO dhe KFOR gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviq, e cila humbi zgjedhjet në gusht të vitit të kaluar. Pushtetin e morën Fronti Demokratik, i cili është qartë i një orientimi anti-NATO, bashkë me Demokratët dhe lëvizjen qytetare URA.
Ata zgjodhën qeverinë e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq, i cili, si një person jo-partiak në zgjedhje, udhëhoqi listën e Frontit Demokratik dhe disa partive të tjera më të vogla.
DPS: Qeveria është peng i Frontit Demokratik
Ish Ministri i Mbrojtjes dhe funksionari i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Predrag Boshkoviq, i tha REL se vendimi i qeverisë aktuale për të mos dërguar ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë është një tjetër konfirmim se qeveria është një peng i Frontit demokratik dhe politikës retrograde.
“Është shqetësuese që shumica qeverisëse bie dakord për mbijetesën e thjeshtë të kësaj qeverie të paaftë dhe katastrofike për Malin e Zi, edhe pse ata nënshkruan një letër në fillim të shtatorit në të cilën u zotuan të respektojnë detyrimet ndërkombëtare të vendit tonë”, tha Boshkoviq, duke shtuar se në atë mënyrë, minon besueshmërinë e Malit të Zi tek partnerët e NATO-s.
Bartësi i atëhershëm i listës dhe tani kryeministri Zdravko Krivokapiq, së bashku me krerët e Demokratëve dhe URA, menjëherë pas zgjedhjeve, në shtator, nënshkruan parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme. Midis tyre janë bashkëpunimi me NATO-n, integrimi i vazhdueshëm në Bashkimin Evropian (BE) dhe mosvënia në pikëpyetje e njohjes së Kosovës.
Srgjan Periq, një ish-deputet dhe aktivist i Organizatës ‘Kod’, thotë se udhëheqësit e listave fituese atë kohë dolën me parime, por që është evidente se nuk kishin mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të qeverisë së re. Prandaj, siç thekson Periq, nuk duhet habitur që Qeveria vuan nga shantazhet e Frontit Demokratik (DF) në lidhje me dërgimin e ushtarëve në misionin e NATO-s në Kosovë.
“Ata atëherë morën përsipër të zbatojnë të gjitha detyrimet e marra ndërkombëtare, dhe nëse një temë e caktuar është e dhimbshme për dikë apo jo, është dashur atëherë të specifikohej dhe dakordohej. Kur marrëveshja nuk përcaktohet qartë në fillim, atëherë krijohet hapësira që të kemi një situatë në të cilën një nga subjektet do të shantazhojë të tjerët në kuptimin që unë dua të votoj këtë dhe nuk do ta votoj këtë”, thotë Periq.
DF kërcënoi me interpelancë nëse ushtarët shkojnë në Kosovë
Dërgimi i ushtarëve malazezë në misionin në Kosovë ishte gjithashtu temë e debatit në seancën e Komitetit të Sigurisë më 7 maj, kur u diskutua buxheti ushtarak për vitin 2021.
Milan Knezheviq nga Fronti Demokratik në pushtet, përndryshe kryetar i Komitetit, njoftoi se do të votojë kundër një vendimi të mundshëm për të dërguar një togë këmbësorie në Kosovë.
“Çdo herë do të votoj kundër dërgimit të ushtarëve tanë në ‘Kosovë dhe Metohi’, sepse është një pjesë integrale e Republikës së Serbisë. Pavarësisht nga fakti që unë e mbuloj këtë pozicion, unë do të përfaqësoj pozicionet që kam avokuar më parë”, tha Knezheviq, i cili është pjesëmarrjen e ushtarëve malazezë në Kosovë, e quajti “turpi më i madh i ushtrisë malazeze që nga ekzistimi i saj”.
Knezheviq e kishte porositur ministren e Mbrojtjes, Injac, se ajo dhe kryeministri Zdravko Krivokapiq, në rast se marrin një vendim për dërgimin e trupave në Kosovë, do të përballen me një interpelancë të cilën do ta iniciojë ky koalicion [Fronti Demokratik].
“Sepse më 30 gusht i morëm në pozicione të qarta elektorale ideologjike, të cilat mbrojnë identitetin shpirtëror, historik, kombëtar të popullit serb dhe malazez dhe lidhjet midis Malit të Zi dhe Serbisë”, tha Knezheviq.
Duke folur në lidhje me dërgimin e ushtarëve malazezë në misionin e KFOR në Kosovë, në të njëjtën seancë të Komitetit të Sigurisë, Ministrja e Mbrojtjes Olivera Injac tha se ajo “gjeti atë propozim (për dërgimin e ushtarëve) duke marrë detyrën”.
Nga partia opozitare Partia Social Demokrate (SDP) kërkuan që ministrja Injac të merr vendim të qartë për dërgimin e ushtarëve malazezë në misionin paqeruajtës në Kosovë.
“Cili është qëndrimi juaj? Nëse nuk keni një mendim, thoni se nuk keni një mendim. Ju jeni ministre e Mbrojtjes dhe ju lutemi tregoni qëndrimin tuaj”, kishte thënë Rashko Konjeviq nga SDP.
Mirëpo, ministrja Injac, nuk iu kishte përgjigjur kësaj pyetjeje.
Politika e Ministrisë së Mbrojtjes në marrëdhëniet me Kosovën deri më tani ka qenë shkas për sulme dhe provokime të vazhdueshme të DF kundër ministres Olivera Injac, përfshirë takimin e saj më 11 maj me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.
Çfarë do të thotë NATO?
“Heqja dorë nga dërgimi i një toge këmbësorie të Ushtrisë Malazeze në misionin në Kosovë nuk është veprimi i mirë për reputacionin e Malit të Zi si anëtar i NATO-s”, thotë ish-ministri i Mbrojtjes Predrag Boshkoviq.
Srxhan Periq nga Organizata ‘Kod’ thotë se pritet që shteti dhe qeveria të respektojnë atë që nënshkruan si partnerë dhe atë për të cilën u zotuan.
“Kjo sigurisht do të regjistrohet në Bruksel si një lloj pavendosmërie në shumicën e re parlamentare, megjithëse Qeverisë deri tani nuk mund t’i përshkruhet ndonjë shkelje rrënjësore e politikave të jashtme të shtetit. Ne kemi detyrime nga anëtarësimi në NATO dhe një shtet serioz dhe një sistem serioz duhet t’i përmbushë ato detyrime”, thotë Periq.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike (NATO), Jens Stoltenberg tha të martën në Bruksel se përfshirja e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë, do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Këto komente të Stoltenbergut vijnë pasi Qeveria e Malit të Zi është shprehur kundër dërgimit të një toge të këmbësorisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për këtë si arsyetim është përmendur pandemia.
“Do të mirëprisja kontributin nga Mali i Zi për KFOR-in sepse një gjë e tillë do të mbështeste punën e rëndësishme të KFOR-it dhe do të ndihmonte që të sigurohej paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe për rajonin. Mali i Zi do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit dhe do të punonte me aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s në misionin e KFOR-it”, tha Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media në Bruksel, me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Gjukanoviq tha se nuk ekziston ndonjë arsye pse Mali i Zi të mos marrë pjesë në misionin e KFOR-it. Ai shtoi se kjo ka të bëjë me “hamendje të natyrës politike”.
“Dyshimet përpiqen t’i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë”, tha Gjukanoviq, duke rikujtuar se qëndrimi i qeverisë së mëparshme ishte se duhet të rritet prania ushtarake në Kosovë.
Gjukanoviq tha se është edhe obligim i Malit të Zi, si shtet nga rajoni, që edhe më shumë se shtetet tjera të japë kontributin e tij si anëtar i NATO-s, për stabilitetin e rajonit.