Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Rama do të vizitojë Ukrainën bashkë me Abazoviqin dhe Kovaçevskin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të vizitojë Ukrainën së bashku me kryeministrat e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me ftesë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Lajmi u bë publik nga gazeta malazeze “Vijesti” ku u konfirmua se Rama dhe Kovaçeski kanë pranuar idenë e Kryeministrit Abazoviç për të shkuar të tre në Ukrainë, në mënyrë që të “dërgojnë një mesazh më të fortë dhe të përbashkuar nga Ballkani Perëndimor”.

Mbetet vetëm që tre liderët të bien dakord për datën e vizitës.

Në një bisedë me Zelenskin, Abazoviç theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.

“Ai theksoi se vlerat evropiane të lirisë dhe e drejta për zgjedhjen e dikujt mbrohen sot jashtë kufijve të Bashkimit Evropian dhe se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Pas nisjes së luftës, Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës i kanë vizituar liderë të ndryshëm botërorë për të shprehur mbështetjen në luftën kundër Rusisë. 

Exit mobile version