Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Sfidat e qeverisë së re në Mal të Zi në kohë të pandemisë

Përfundimisht Mali i Zi nuk do të mbesë mË tutje vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk e ka ndërruar pushtetin, sepse pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, shumica e re parlamentare pas tre muajsh më 4 dhjetor 2020, më 41 vota për, votoi qeverinë e re e cila paraqet një ditë të madhe për demokracinë në këtë vend. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse u bë ndryshimi i pushtetit në mënyrë demokratike pas tridhjetë viteve në pluralizëm, që do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë e re duke marrë parasysh krizën e përgjithshme shoqërore, ekonomike e shëndetësore me përmasa të mëdha, andaj kërkon përkushtim jo vetëm profesional për të tejkaluar këtë epidemi me pasoja të mëdha shoqërore.

Nail Draga

Përveç premtimeve parazgjedhore për demaskimin dhe demontimin e strukturave të ndryshme shtetërore dhe miratimin e ca ligjeve siç janë ai i prejardhjës së pasurisë, lustracionit etj., Qeveria e re e Malit të Zi do të jetë pa përfaqësues të partive politike të shumicës parlamentare duke qenë rast i panjohur deri më tash në pluralizëm por edhe pa përfaqësuesit autentikë të popujve pakicë, të cilët në njëzet vitet e fundit ishin pjesë e kabinetit qeveritar, duke prezantuar kërkesat dhe shqetësimet e popullatës përkatëse në veçanti si dhe diversitetin nacional, gjuhësor e fetar, si vlerë e demokracisë pluraliste në këtë mjedis multinacional.

Ndonëse kemi të bëjmë me një shumicë parlamentare heterogjene me koncepte dhe programe të ndryshme, madje dhe me animozitete personale Qeverisë së re të Malit të Zi, duhet dhënë shans për të vepruar sipas programit të saj. Ndonëse një qeveri e tillë për nga forma duket se është ekspertësh, teknike, apo e pakicës, ajo ka përgjegjësi para qytetarëve përkatësisht të elektoratit për të inicuar dhe realizuar në praktikë çështjet të cilat janë prezantuar në fushatën parazgjedhore.

Qeveria me 12 ministri

Përveç kryeministrit (Z.Krivokapiq) dhe ndihmës kryeministrit (D.Abazoviq), qeveria e re do të ketë 12 ministri, që është rast i panjohur deri më tash në pluralizëm në Mal të Zi. Duke marrë parasysh faktin se qeveria e mëparshme kishte në përbërje 18 ministri, reduktimi i tyre paraqet qëndrim të guximshëm të kryeministrit Z.Krivokapiq, duke dëshmuar se do të kemi racionalitet në shpenzimet financiare, në këtë kohë të krizës ekonomike.

Në përbërjen e kabinetit qeveritar, bie në sy emërtimi i ministrave që nuk janë nga partitë politike, që është risi jo vetëm në Mal të Zi por edhe në rajon. Nga ana tjetër duhet cekur se në përbërje të Qeverisë nuk është emëruar asnjë ministër nga ana e popujve pakicë, që është veprim irritues, duke ditur se nga viti 1998 ata ishin pjesë e qeverisë në mënyrë të vazhdueshme.

Shqiptari në pozitën e nënkryetarit të Qeverisë

Në strukturën organizative risi paraqet pozita e një nënkryetari të qeverisë, që kësaj here ishte rezervuar për kryetarin e Lëvizjes Qytetare URA (D.Abazoviq) si pjesëtare e koalicionit të shumicës parlamentare. Me këtë zgjedhje për përfaqësuesin nga popullsia shqiptare cekim së është pozita më e lartë e një individi deri më tash në pushtet në Mal të Zi.

Përkujtojmë me këtë rast të dhënën se për tridhjetë vjet të pushtetit pluralist, PDS (DPS) në asnjë ministri nuk ka emëruar ndonjë shqiptar edhe pse ka qenë e votuar në mënyrë të konsideruar nga elektorati shqiptar, nga del se kësaj partie shqiptarët iu janë dashur për vota e jo t’i zgjedhin në vende udhëheqëse në Qeveri.

Shqiptarët pa pjesëmarrje në Qeveri

Fillimisht në lidhje me këtë çështje duhet thënë se te dy listat zgjedhore të shqiptarëve nuk kanë pasur konsenzus për pjesëmarje në Qeveri. Nuk kishte mundësi të ishte ndryshe, sepse një koncept i tillë ka munguar edhe para zgjedhjeve, ngase në saje të animoziteteve dhe egoizmit nuk u arrit të formohet një listë e përbashkët, por në zgjedhje u paraqitën me dy lista, duke fituar secila nga një mandat të deputetit. Ndërsa pas zgjedhjeve lista zgjedhore „Së bashku me nji za“ u deklarua fillimisht se nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie, duke theksuar dallimet programore dhe qëndrimin ndaj pakicave kombëtare. Ndërsa nga ana tjetër „Lista shqiptare“, ka zhvilluar biseda me kandidatin për kryeministër, madje duke i paraqitur listën e kërkesave. Por, edhe pse fillimisht u duk se kërkesat e tilla do të pranohen dhe do të ofrohen edhe poste qeveritare, me pas ata theksuan se kërkesat e tilla nuk mund të pranohen çka ndikoi që edhe kjo listë zgjedhore të refuzojë të jetë pjesë e qeverisë.

Nga situata e krijuar del qartë se mandatari për kryeministër nuk ka pasur ndonjë ofertë serioze për pjesëtarët e pakicave kombëtare për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar, sepse siç duket ata nuk kanë qenë në interesin e tij programor, andaj kjo qeveri do të jetë pa përfaqësuesit autentik të pakicave kombëtare. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se nuk është në favor të realizimit të barazisë qytetare e nacionale, në një mjedis multinacional sikurse është Mali i Zi.

Pakicat duhet të jenë pjesë e Qeverisë

Duke marrë parasysh standardet ndërkombëtare dhe demokracinë pluraliste subjektet politike si përfaqësues autentik të popujve pakicë (boshnjakët, shqiptarët e kroatët), duhet të jenë pjesë e Qeverisë, sepse ata janë pjesë e mozaikut politik dhe vlerë e demokracisë pluraliste. Por, në këtë aspekt duhet thënë se këtu ekziton defekti ligjor, përkatësisht kushtetues i pranishëm në pluralizëm, andaj kjo çështje duhet të definohet me Kushtetutën e Malit të Zi.

Vetëm përmes Kushtetutës kjo çështje do të zgjidhej në mënyrë të përhershme e jo sipas disponimit dhe interesave të partive politike, përkatësisht të atyre që formojnë shumicën parlamentare. Andaj, në këtë mandat parlamentar duhet bërë përpjekje që kjo çështje të marrë drejtimin e duhur për ta zgjidhur, ku përveç ndryshimeve në ligjin zgjedhor, edhe kjo çështje duhet të jetë e obliguar sepse është në favor të demokracisë dhe barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis.

Duke marrë parasysh së në Qeveri do të mungojnë përfaqësueist autentikë të popujve pakicë, prezantimi i çështjeve preokupuese në aspektin zhvillimor dhe të investimeve kapitale do të jenë në pritje të shqyrtimit të tyre, andaj çdo gjë do të mbesë në disponimin dhe angazhimin e qeverisë aktuale.

Listat e hapura në favor të demokracisë

Shumica parlamentare duhet të fillojë të realizojë në praktikë premtimet nga fushata parazgjedhore, duke dëshmuar seriozitetin e qeverisjes dhe të demokracisë parlamentare. Këtu kryesisht kemi të bëjmë me ligjin e prejardhjes së pasurisë, ligjin e lustracionit dhe ligjin zgjedhor. Ndërsa në mënyrë të veçantë kemi të bëjmë me vendosjen e mekanizmit të listave të hapura, duke aplikuar demokracinë e munguar qytetare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë e jo sipas shijës së kryetarit të partisë apo të klaneve të ndryshme.

Derisa Mali i Zi nuk do të ndryshojë sistemin zgjedhor duke miratuar listat e hapura zgjedhore, në mënyrë që qytetari të zgjedh deputetin, këshilltarin dhe kryetarin e shtetit, nuk mund të flitet për shtetin serioz, përkatësisht demokracinë parlamentare e cila është rezultat i votës legjitime të qytetarëve.

Partitokracia në pluralizëm
Në Mal të Zi edhe në pluralizëm kemi formën e votimit të listës zgjedhore partiake, nga del se pushteti deri më tash nuk ka bërë përpjekje për të ndryshuar formën ekzistuese, sepse këtu dominon sistemi partitokratik, që në një formë i ngjason monizmit.
Forma e deritashme e votimit dëshmon se qytetari nuk është pronar i votës së tij por atë ia ka “dhuruar” partisë, e cila mund të vendosë në emër të tyre. Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me mungesën e vetëdijës së qytetarëve për të kuptuar se ata janë pushtet, e jo partitë, sepse janë qytetarët ata që me votën e tyre zgjedhin e jo e kundërta, por disave siç duket nuk iu konvenon që qytetarët të kenë të drejta të tilla, por ata të mbesin gjithnjë makineri votuese të partive të ndryshme. Nga gjendja e tillë ekzistuese del qartë se Malit të Zi edhe në kohën e pluralizmit institucioneve shtetërore dhe Parlamentit iu mungon legjitimiteti.
Legjitim është vetëm Presidenti i shtetit
Por, në këtë aspekt legjitim është vetëm një organ në sistemin juridik në Mal të Zi e ky është Presidenti i shtetit, sepse vetëm atë deri më tash e zgjedhin qytetarët dhe në mënyrë analoge duhet të ndodhë edhe me zgjedhjen e deputetëve e këshilltarëve, e jo të zgjedhin listat partiake. Por, të gjithë jemi dëshmitarë së në Mal të Zi subjektet politike si pozita dhe opozita, deri më tash nuk kanë shprehur gadishmëri për ta ndryshuar ligjin zgjedhor, sepse siç duket partive nuk iu konvenon që të humbin pozitat e tyre.
Mungesë e dëshirës për ndryshime
Në bazë të informacionëve që disponojmë nga viti 1998, kur ligji zgjedhor është miratuar me dy të tretën e shumicës parlamentare, deri më tash janë bërë 15 ndryshime të këtij ligji, por për çështjën themelore nuk kanë shprehur dëshirë jo për ta zgjidhur, por as për ta trajtuar në seancë parlamentare, sepse është e drejtë elementare e qytetarëve për të zgjedh kandidatin në listen zgjedhore, me emër dhe mbiemër, ashtu sikurse zgjidhet kryetari i shtetit.
Një formë e tillë e votimit do të krijonte barazi qytetare, duke iu mundësuar qytetarëve që të votojnë për kandidatin për deputet apo këshilltar sipas preferencës së tyre, e jo për atë të vendosë partia, përkatësisht kryetari i saj apo një grup individësh rreth tij, duke mos respektuar vlerat profesionale, individuale e meritokracinë si kategori shoqërore.
Ligji i tillë mund të aplikohet në zgjedhjet lokale
Andaj, një ndër prioritetët e qeverisë së re, duhet të jetë edhe ndryshimi i ligjit zgjedhor, sepse duhet të realizohet në praktikë premtimi parazgjedhor. Në këtë aspekt besoj se nuk do të mungojë vullneti politik nga shumica parlamentare, madje mendoj se do të mbeshtetet edhe nga opozita, sepse një ligj i tillë është në favor të demokracisë parlamentare. Vetëm me miratimin e një ligji të tillë, qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre që do të jenë legjitim sikurse dhe vet Parlamenti.
Në këtë aspekt ekzistojnë modele të ndryshme që mund të zbatohen edhe në Mal të Zi, siç është p.sh. ai në Kosovë, por edhe në ndonjë vend tjetër në rajon, duke mos anashkaluar pjesëtarët e popujve pakicë, të cilët janë pjesë e mozaikut politik në këtë mjedis.
Pasi, në vitin e ardhshëm në disa komuna në Mal të Zi do të mbahen zgjedhjet lokale, nëse ka vullnet politik, fillimisht një ligj i tillë nëse do të miratohej nga Parlamenti vitin vijues, ai do të aplikohej në këto zgjedhje, duke zbatuar në praktikë për të parën herë vullnetin e qytetarëve e jo të partive politike në procesin zgjedhor.

Exit mobile version