(Një bisedë që duhet të na ndihmojë të gjithëve për t’u qetësuar)
Amerika është një fenomen i veçantë në evoluimin politik të njerëzimit. Baballarët e kombit, në fillet e këtij shteti vendosën për themelimin e një republike kushtetuese në vend të një monarkie. Kjo me qëllimin e vetëm që qytetarit t’i jepej një rol qëndror në shtetin e ri.
Ndryshe nga demokracitë parlamentare ku pushteti është i përqëndruar te partitë politike dhe udhëheqësit e atyre partive gëzojnë pushtet të konsiderueshëm, në Shtetet e Bashkuara qytetari i zakonshëm as që e di se kush janë udhëheqësit e partive të tyre.
Amerika, bazuar në këto principe ka arritur të ndërtojë një sistem politik, ku qytetari aktiv ka mundesi qasjeje në të gjitha nivelet e pushtetit.
Është pikërisht ky sistem i cili i ka mundësuar edhe komunitetit shqiptaro- amerikan të ndikojë dhe lobojë te politikat amerikane për çështjen e Kosovës dhe çështje tjera shqiptare me interes.
Një shembull të tillë më së miri mund ta shohim nga një iniciativë e aktivistit shumëvjeçar nga Kosova Gjevalin Gegaj.
Gjevalinin e njohin të gjithë për aktivitetin e tij të palodhshëm në promovimin e interesave shqiptare në qarqet amerikane, dhe përveç kësaj, Gjevalini njihet edhe si një Republikan besnik.
Para pak kohësh ai vendosi kontakte me udhëheqësit e fushatës së presidentit Trump në shtetin e Miçigenit dhe kërkoi nga ta një mundësi për ta prezantuar çështjen e Kosovës.
Në këtë takim, ku kishte pjesëmarrës edhe të shumë organizatave kulturore, fetare, edukative dhe fusha të tjera të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, Gjevalini siç ka bërë me dekada, prezantoi hallet që po i brengosin kosovarët këto ditë.
Miçigen njihet si një shtet i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, dhe në vitin 2016 presidenti Trump kishte arritur të fitonte vetëm me 10 mijë vota diferencë. Kur përfaqsues të fushatës së zotit Trump mësuan se në Miçigan jetonin rreth 43.500 votues me prejardhje shqiptare, interesi i tyre padyshim se u rrit. Vota shqiptare mund të ishte vendimtare, do të mendonte çdo operativ politik.
Përfaqësues të komunitetit prezantuan me modesti por me një siguri dhe vetëbesim çështjet që u interesonin dhe lanë një mbresë aq të mire, sa që Gjevalini u ftua të merrte pjesë në një takim me zëvëndës-presidentin Pence pas pak ditësh. Në këtë takim, Gjevalini me modestinë e tij unike, të skalitur ndër dekada të aktivitetit të tij, e njoftoi zotin Pence me Kosovën dhe vuajtjet që kishte kaluar vendlindja e tij ndër luftëra. I tregoi për mbi 13 mijë viktima dhe mijëra gra të dhunuara të cilave edhe sot e kësaj dite nuk u është dhënë drejtësia e merituar. Zoti Pence, i prekur nga kjo histori e trishtë e një populli të vogël, i kërkoi Gjevalinit që t’ia adresonte këto çështje dhe shqetësime të tjera të komunitetit përmes një letre.
Kjo ishte një mundësi e mirë që nuk vjen çdo ditë dhe përfaqsues të komunitetit filluan punën në përgatitjen e letrës sa më parë (ja vlen të theksohet që kjo letër nuk është e njejta nga ajo që ështe proklamuar në mediat kosovare ditëve të fundit).
Letra që u përgatit nga komuniteti i Miçigenit për zv.presidentin Pence përveç tjerash theksin e vinte edhe te fakti që gjatë procesit të dialogut me Serbinë, ndarja e mundshme e Kosovës të mos vinte në konsideratë në asnjë mënyrë dhe të mos kishte një bosnjëzim të Kosovës. Por pikërisht ato ditë Shtetet e Bashkuara u goditën nga pandemia, dhe komuniteti që kishte përgatitur dhe dërguar letrën e humbi entuziazmin se ajo letër tani do të mund të kishte efektin e dëshiruar.
Zv. Presidenti Pence ishte emëruar për të udhëhequr ekipin që do t’i bënte ballë luftës kundër pandemisë dhe nuk mund të merrej me mend që ai do të kishte kohë për t’u marrë me brengat e shprehura në letrën e komunitetit të Miçigenit. Por Amerika edhe në këtë drejtim është e veçantë dhe e dëshmon edhe një herë se roli i qytetarit është roli qendror në këtë shtet.
Në mes të luftës ndaj pandemisë, Gjevalini merr një telefonatë nga zyrtarë të fushatës së presidentit Trump, dhe njofohet se do t’i caktohej një takim ku ai do të mund të prezantonte dhe diskutonte shqetësimet e paraqitura në letrën e dërguar zotit Pence.
Takimi përmes telekonferencës (tipike në kohën e pandemisë) u mbajt me Z. Gary Tripmacher nga zyra e Zv. Presidentit Pence, dhe Amanda Ahlers, drejtoreshë për Ballkanin në Këshillin për Siguri Kombëtare (e cila për publikun kosovar njihet edhe si bashkëpunëtore e ambasadorit Grenell, i dërguar special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Sërbi).
Gjatë këtij diskutimi, u trajtuan me kujdes çështjet e ngritura nga komuniteti e ajo që ia vlen të theksohen janë ato pika aq shumë të diskutueshme e shpesh të keqinterpretueshme nga qarqe të ndryshme.
Zonja Ahlers edhe një here ritheksoi se:
- “SE NUK KA MARRËVESHJE SEKRETE PËR SHKËMBIM TERRITORESH NDËRMJET KOSOVËS E SERBISË, SIÇ KANË SPEKULUAR DISA”
- Nuk ka plane për tërheqje të trupave amerikane
- Nuk do të ketë Bosnjëzim të Kosovë
- Shtetet e Bashkuara do t’i rrisin ndihmat pas arritjes së një marrëveshjeje Kosovë- Sërbi dhe se nga kjo marrëveshje presin njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve
- Shtetet e Bashkuara do të punojnë me çdo qeveri që del si rezultat i një procesi bazuar në normate kushtetuse
Një bisedë dhe përkushtim i tillë duhet të na qetësojë të gjithëve. Duke pasur parasysh historinë e dy dekadave të fundit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, është e pamendueshme që edhe një shqiptar i vetëm të vinte në dyshim synimet e Shteteve të Bashkuara dhe të kthehej për të gjetur shpëtim nga Evropa. Ishte SHBA që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-s; pasi ia la për 8 vjet procesin e dialogut Europës, ishte SHBA që duke mos duruar dot më tha “kur mjafton, mjafton” dhe e bëri Kosovën të pavarur; ishte SHBA që kundër dëshirave të Europës, krijoi Ushtrinë e Kosovës; dhe është SHBA që po udhëheq nismën për ta mbyllur kapitullin e shtetësisë së Kosovës duke e anëtarësuar në OKB e NATO. Mund të thuhet se SHBA ka bërë më tepër për ta çuar Kosovën në Evropë se vetë Evropa. Në fakt, mund të thuhet se nuk ka pasur asnjë zhvillim vendimtar në Kosovë që nuk ka përfshirë rolin udhëheqës të SHBA-së.
Por ne nuk duhet të gënjejmë veten duke menduar gjithë këtë kontribut ndaj Kosovës, Shtetet e Bashkuara e kanë dhënë se e meritojmë apo se kushedi sa të mirë jemi. Përkundrazi, kohëve të fundit, fatkeqësisht po dëshmojmë të kundërtën dhe nuk po tregohemi mirënjohës ndaj kësaj miqësie dhe kontributi. Mirëpo na ka buzëqeshur fati dhe na ka bërë një pjesë të vogël të interesave të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. E pjesë e kësaj strategjie të SHBA, duket të jetë shkëputja e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, nga ajo pjesë e civilizimit ku i kishte paraparë Samuel Huntington në veprën e tij monumentale “Përplasja e Civilizimeve”, dhe një nga një synon ti’ vendos ato nën ombrellën e sigurisë se NATO-s. Kosova mund të pres një proces të përshpejtuar të anëtarsimit në NATO pas marrëveshjes me Serbinë. Ky proces duhet të udhëhiqet nga SHBA-të sepse Evropa e ka dëshmuar se është e paaftë kur është në pyetje Kosova. Një Kosovë e fortë dhe e konsoliduar është në interesin e sigurisë kombëtare amerikane.
Në një fjalim të mbajtur me studentë të Harvadit para pak ditësh, kryeministri në detyrë Kurti i ofroi Europës një plan paqeje për vendet e ballkanit perendimor. Ai tha se BE duhej të integronte të gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor në të njejtën kohë dhe t’u ofronte atyre një mini Plan Marshall për zhvillim ekonomik, i cili do të lehtësonte integrimin e plotë.
Derisa Evropa të jetë e gatshme të ndërmarrë hapa të tillë të guximshëm, ajo do të t’i mbetet një rol minor, krahasuar me SHBA-në që ka vullnetin politik për t’i përfunduar gjërat të cilin e ka provuar sa e sa herë.
Nuk ka dyshim se “Me Amerikën edhe më Evropën” është orientimi i duhur për Kosovën. Mirëpo, Amerika e ka dëshmuar se është me Kosovën. Evropa, deri tani, ende jo. Amerika nuk na ka dhënë asnjë shkas për ta vënë në dyshim vendosmërinë e saj, ndërkohë që Evropa nuk na ka dhënë arsye që t’i besojmë.
Çdokujt që do të vazhdonte kërkimin për të gjetur ndonjë synim të fshehtë amerikan pas gjithue kësaj historie, do t’I kujtoja thënien e famshme të Kasiusit nga vepra Jul Qezari e Shekspirit: “Faji, i dashur Brut, nuk ndodhet në yjet tanë, por tek ne”.