Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Shqipëria siguron medalje në botërorin e boksit në Beograd

Boksieri nga Shqipëria, Alban Beqiri, ka bërë histori duke siguruar medalje në Botërorin e boksit që po mbahet në Beograd.

Beqiri, edhe kësaj radhe, si para meçeve tjera, ishte fishkëllyer derisa po ngjitej në ring. Por kjo nuk e ka ndalur atë.

Ai e ka mposhtur të mërkruën mbrëma në çerekfinale boksierin nga Jordania, Zeyad Eashash 4:1 me vlerësim të gjyqtarëve. Beqiri, që garon në kategorinë deri 71 kilogramë, humbi raundin e parë, por fitoi dy raundet tjera, duke siguruar kështu të paktën medaljen e bronztë.

Katër nga anëtarët e jurisë e vlerësuan Beqirin fitues (30:27, 30:27, 29:28 dhe 29:28), ndërsa njëri në favor të Eashashit (29:28).

Për Beqirin ishte fitorja e katërt në Botëror. Në rrethin e parë mposhti kenianin Boniface Maina 5:0, në të dytin lituanin Saimonas Banys 5:0, ndërsa në të tretin boksierin nga Panamaja, Eduardo Chambers Beckford 4:1.

Në gjysmëfinale Beqiri do të përballet me boksierin rus Vadim Musaev.

Boksierëve nga Kosova i ishte ndaluar pjesëmarrja në Botërorin në Beograd. Delegacioni i Kosovës nuk u lejua të hynte në Serbi nga autoritetet e shtetit fqinj, ndonëse tri herë tentuan ta bënin këtë. Për këtë të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesë zyrtare te Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Exit mobile version