Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Shqiptarët, qytetarë me të drejta të kufizuara

(Pamje e Tuzit)

Në sajë të përvojës tridhjetëvjeçare të pluralizmit del qartë se skena politike në Mal të Zi, ka pësuar ndryshime të dukshme, ku në këtë mozaik kanë marrë pjesë edhe shqiptarët me partitë e tyre nacionale. Ndonëse subjektët politike shqiptare  kanë  bërë përpjekje duke senzibilizuar opinionin vendas dhe dhe të huaj  në lidhje me pozitën e tyre diskriminuese ndryshimet e para u bënë vetëm nga viti 1998, kur shqiptarët u bënë pjesë e qeverisjes qendrore. Në këtë periudhë kohore për dy dekada nuk mund të mohohen disa të arritura, por nuk ka ekzituar gadishmëria e pushtetit të avancojë çështjet identitare nga fusha e arsimit  dhe kulturës, pastaj të proporcionalitetit  në punësim, investimeve e në çështje të tjera, nga del qe shqiptarët vazhdojnë të mbesin qytetarë me të drejta të kufizuara, që është në kundërshtim me kushtetutën dhe standardët demokratike ndërkombëtare.

Nga Nail  Draga

Por, në këtë drejtim angazhimi i individëve apo intelektualëve të guximshëm   për të ndryshuar gjendjen në favor të popullit përkatës, mbetet aspirata e vazhdueshme  në fusha të ndryshme shoqërore. Në këtë aspekt ekziston një përvojë e mjaftueshme ku çështje të veçantë paraqesin pjesëtarët e popullit të ndarë, ku shqiptarët në Mal të Zi, paraqesin rast për hulumtim, sepse  kemi të bëjmë më të  drejta të kufizuara si më parë në monizëm  edhe tash në pluralizëm që është veprim flagrant  kundër barazisë qytetare e nacionale në një mjedis multinacional.

Bashkimi garanton suksesin

Duke marrë parasysh se ekziston një numër i madh i subjektëve politike të shqiptarëve, e me këtë sindromi i liderizmit, mungon koordinimi dhe bashkëpunimi që është i nevojshëm për të ndryshuar gjendjen ekzistuese të shqiptarëve në nivel lokal e ate qendror në Mal të Zi.

Por, kur ekziton  dëshira  dhe qellimi për bashkëpunim nuk ka dilemë se suksesi nuk do të mungojë, ku si model duhet të na shërbejë Tuzi. Fjala është për zgjedhjet lokale të mbajtura me 3 mars 2019, për të parën herë për komunën e pavarur të Tuzit, për Malësinë. Të vetdijshëm se vetëm të bashkuar mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar, duke sfiduar kundërshtarët politikë, pjesëmarrës në këto zgjedhje. Dhe duke u nisur nga mision i tillë u formua FORUMI SHQIPTAR në kuadër të cilit ishin subjektët politike shqiptare që veprojnë në Malësi(Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve).Ky bashkim arriti fitore në zgjedhjet lokale, ku u mbeshtet nga një këshilltar i Demokratëve, ku formoi shumicën për pushtetin lokal dhe zgjedhur kryetarin.

Përfundimisht zgjedhjet lokale në Tuz me 3 mars 2019 dhe fitorja e Forumit Shqiptar, duhet të jetë një sinjal i mjaftueshëm për të gjithë ata qe skenën politike e shohin si mundësi avancimi i çështjës shqiptare në Mal të Zi, e jo të interesave dhe të përfitimeve personale. Dhe funksioni i komunës së Tuzit për këto dy vite, dëshmoj arsyeshmërinë e ekzistimit të saj në favor të qytetarëve të Malësisë, duke dëshmuar se edhe shqiptarët dijnë të qeverisinë si kudo në botën demokratike. Kemi të bëjmë me veprimin praktik të autonomisë lokale sipas standardëve europiane, duke eliminuar qasjen unitariste e cila ka qenë pengesë e vazhdueshme në të kaluarën në zhvillimin autonom të këtij mjedisi.

Animoziteti dhe ambiciet lideriste

Ndonëse kanë ekzistuar zëra së para zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, shqiptarët do të koordinohen me mundësi reale për të dalë me një listë të përbashkët zgjedhore, madje në këtë aspekt ka pasur angazhime si nga Tirana e Prishtina e sidomos nga diaspora jonë në SHBA, koalicioni nuk u realizu. Dhe shkaku qendronte në ambiciet lideriste për të qenë bartës i listës, duke mos respektuar realitetin politik brenda vet  skenës politike të  shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe animozitetin e dëshmuar në mes udhëheqësve të partive politike, del qartë se nuk ka pasur mundësi të realizohet një koalicion i dëshiruar, që do të eliminonte ndarjët edhe të elektorati votues shqiptar.

Mëgjithatë dy listat e shqiptarëve fituan nga një deputet;Lista Shqiptare 6.488 vota apo  1.58% dhe Koalicioni shqiptar 4.675 vota apo 1.14%, që gjithsej janë 11.163 vota, duke dëshmuar se elektorati votues shqiptar mbeshtet ende partitë politike shqiptare, pavarësisht divergjencave ekzituese.

Platforma e përbashkët në favor të parimeve

Në të ardhmën duhet gjetur mundësi për bashkëpunim ku fillimisht duhet bërë përpjekje për të përgatitur një platformë të pranueshme për shqiptarët që duhet të jetë e obliguese për shqiptarët sidomos për zgjedhjet lokale e ato qendrore. Vetëm me një veprim të tillë do të ishim serioz para elektoratit votues shqiptar por edhe  të tjerëve, duke dëshmuar se çështja shqiptare është  dhe mbetën parësore, për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në  Malit të Zi si mjedis multinacional e multikulturor.

Një platformë e tillë do të eliminonte interesat personale apo klanëve të ndryshme të cilët kanë mbeshtetur pushtetin (DPS-in) për interesa të tyre duke eliminuar bashkëpunimin brenda subjektëve politike shqiptare. Rasti i Ulqinit në vitin 2018, pas zgjedhjeve lokale është shëmbull tipik i këtij veprimi ku në pushtet u vendos DPS-i edhe pse ishte mundësia që partitë shqiptare të udhëheqëshin me komunën e Ulqinit.

Nuk ka dilemë se mos koordinimi i subjektëve politike të shqiptarëve  ka ndikuar prania e    sindromit të liderizmit dhe të animozitetit të  udhëheqësit e subjektëve politike, duke ndikuar në dobësimin e kohezionit të elektorati votues shqiptar, që është duke u dëshmuar në zgjedhjet lokale e parlamentare. Pikërisht një qendrim i tillë vazhdon të jetë pengesë që shqiptarët  të mbesin  gjithnjë qytetarë me të drejta të kufizuara, ku partitë politike, përkatësisht përfaqësuesit e tyre tyre mbajnë përgjegjësinë kryesore.

Identiteti  me status të dyfishtë

Më këtë rast duhet përkujtuar të gjithë se shqiptarët në Mal të Zi, janë me status të dyfishtë: janë pjesë e pandarë e popullit shqiptar, ndërsa në aspektin  qytetarë  janë shtetas të Malit të Zi. Vetëm ata të cilët nuk kanë njohuri elementare  kanë dilema  në këtë aspekt duke kriuar konfuzion në   opinion, ku një konstatim i tillë vlen sidomos për ata  të cilët janë të luhatur në aspektin e identitetit kombëtar, që është pasojë e monizmit edhe në kohën tonë.

Vetëm në kohën e pluralizmit si rezultat i rrethanave të tjera shoqërore vetëm shqiptarët  që janë anëtarë apo  mbeshtetës të partive  nacionale e kanë të qartë togfjalëshin shteti amë duke cekur Shqipërinë, ndërsa ata në partitë  qytetare(malazeze) e quajnë shteti fqinjë, dëshmi që nuk meriton  koment! Një e dhënë e tillë është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar se identiteti kombëtar, mund të ruhet vetëm në partitë nacionale.

Përfundimisht nuk ka dilemë së  çështja e tillë mbetet e hapur, sepse identiteti kombëtar nuk është pronë e individit apo subjekteve të ndryshme qofshin ata edhe politike, por mbetet vetëdije dhe ndërgjegje mbarëkombëtare tash dhe në të ardhmën.

(Qershor 2021)

Exit mobile version