Site icon PLAVA E GUCIA SOT

SIMON FILIPAJ-MISIONAR I FESË DHE IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Screenshot

(Më rastin e  25-vjetorit të vdekjës)

Dom Simon Filipaj(1925-1999)

Organizimi i shënimit të  përvjetorëve për personalitete të ndryshme, paraqet moment të veçantë nderimi dhe reflektimi për jetën dhe veprimtarinë e tyre. I tillë është edhe ky takim që ka të bëjë me 25-vjetorin e vdekjës se imzot Simon Filipaj(1925-1999), klerikut  dhe përkthyesit të nderuar të literaturës liturgjike, dëshmon përkushtimin nga kisha katolike, famullia e Shën Gjergjit dhe Arkipeshkvia e Tivarit, për këtë personalitet të nderuar me përmasa fetare e kombëtare.  Dom Simon Filipaj  kudo ku ka jetuar e vepruar ka lënë ëmër të nderuar, andaj kujtohet me respekt  nga qytetarët, besimtarët, studiuesit dhe intelektualët

Nga Nail  Draga

Pikërisht në këtë përvjetor  do të përpiqem të prezantoj  disa momente të bashkëpunimit me intelektualët në Ulqin e më gjërë, që janë më rëndësi për opinionin e gjerë  për të kuptuar veprimtarinë e tij jetësore  në shërbim të fesë dhe të identitetit kombëtar shqiptar, duke mbetur model për kohën kur jetoi dhe veproi.

Prezantimi  para opinionit vendas

Ngjarje e veçantë për qytetin e Ulqinit paraqet data e 20 marsit 1992, sepse  nga  OJQ “Art Club”, është organizuar takimi me dom Simon Filipaj. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kjo ishte hera e parë që një klerik i nderuar, përkthyes e krijues  i prezantohet publikut vendas. Pas veprimtarisë kushtuar  jetës dhe veprës së hafiz Ali Ulqinakut, që është mbajtur me 15.2.1992, ishte kjo mbrëmja  e dytë kushtuar figurave të anatemuara  dhe të panjohura për opinionin e gjerë.
Veprimtaria është mbajtur në sallën e madhe të KK të Ulqinit me një pjesëmarrje të madhe te të pranishmëve. Por nuk është për të çuditur një pjesëmarrje e tillë sepse për të parën herë qytetarët e Ulqinit dhe të rrethinës kishin rastin të dëgjojnë drejtpërdrejt  imzot dom Simon Filipaj në lidhje mbi veprimtarinë e tij jetësore, krijuese dhe liturgjike.
Por me ketë rast duhet të përkujtoj opinionin e gjerë, se gjatë vitit 1991 dom Simoni ishte i semurë dhe ka qenë shtruar disa muaj në spitalin e Cetinës. Duke marrë parasysh se ai e kishte përkthyer Biblën në shqip por në sajë të rrethanave ende ishte e pabotuar në shqip, kishte arsye që të ishte i shqetësuar dhe nga spitali i shkruante dr. dom Lush Gjergjit në Kosovë ”… luteni të bëni çmos botimin e Mesharit dhe të Biblës. Mos lejoni të shkoj në dhe pa i pasë parë”(28.2.1992). Por po ashtu Lush Gjergjit i lenë edhe porosinë se “… nëse vdes para botimit të Biblës, atëherë kopjen e parë ma bie te varri im”. Ndërsa Lush Gjergji i përgjigjet se “…ne Biblën nuk e botojmë për varre, por për të gjallë. Ajo do të jetë përmendorja më e lavdishme e jotja, e kishës sonë për mbarë popullin shqiptar”.

Shpërblimi Vjetor i Art Club-it për vitin 1992

Nga viti 1991, “Art Club-i”, filloj për të ndarë çmimin vjetor për të arriturat në fushën e shkencës, artit dhe të kulturës. Ishte kjo një nismë fisnike për të vlerësuar punën profesionale dhe pasionin e krijuesve të fushave të ndryshme. Për vitin 1992, u formua Komisioni i shoqatës për ndarjën e Shpërblimit vjetor me kryetar të ndjerin prof.Bajram Rexha. Pas vlerësimit të kandidaturave të ndryshme komisioni në unanimitet vendosi që shpërblimi vjetor për vitin 1992 ti jepet dom Simon Filipaj për veprimtarinë në fushën e përkthimeve liturgjike në gjuhën shqipe dhe kontributin e dhënë kulturës kombëtare shqiptare.

Pjesëmarrës në simpoziumin shkencor

Duke dëshiruar që të shënojmë një përvjetor të kulturës sonë me rastin e 440-vjetorit të botimit të librit të parë shqip “Art Club-i” organizoj simpoziumin me titull “Meshari i Gjon Buzukut-Monument i Kulturës Shqiptare (1555-1995)” me 19-20 maj 1995 në Ulqin.
Në këtë simpozium ka marrë pjesë edhe dom Simon Filipaj me kumtesën me titull ”Meshari-doracak kulti-vështirësitë e përkthyesit dhe të shtjellimit kritik “. Në këtë kumtesë profesionale nga aspekti i përkthimit në fillim na paraqet raportet tona shoqërore në të kalurën dhe tash ku duhet cituar në mes tjerash  se“…fati i mirë historik për ne ka vijuar të na bej leqe e dredha, herë më të mëdha e herë më të vogla, kështu qe nëse s‘kemi marrë vetë në thua, të tjerët na e kanë qitur cungun e rrëzimit ndër këmbë, nëse na ka lënë në qetësi i huaji, na ka marrë në pikë të qafës i veti”(1995).
Nuk ka dilemë së këto vlerësime  janë aktuale  edhe sot në mesin tonë.

Takimi komemorativ për Nënë Terezën

Lajmi i vdekjes së Nënë Terezës me 6 shtator 1997, jehoi në tërë hapësirën mbarëkombëtare. Andaj duke çmuar lart veprimtarinë e saj humanitare anë e kënd botës, edhe ne në Ulqin vendosëm që të mbajmë një takim komemorativ.
Organizimi i takimit u bë nga “Art Club-i” ku fillimisht kemi vendosur një shpallje në hyrje të Komunës së Ulqinit, për të gjithë të interesuarit. Takimi u mbajt në sallën e madhe të KK të Ulqinit me 9 shtator 1997. Pa hezitim fjalën e rastit kemi vendosur që ta mbaj dom Simon Filipaj, si meshtari me autoritativ në ketë mjedis, i cili këtë propozim e pranoj më kënaqësi. Ishte ky një organizim shumë domëthënës sepse mblodhi numër të konsideruar pjesëmarrësish, duke dëshmuar se ajo është e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh përkatësinë konfesionale. Duhet cekur se më atë rast nga të gjithë të pranishmit u mirëprit propozimi që një shesh apo rrugë në qytetin e Ulqinit të mbajë emrin e saj.

Përshëndetje me rastin e shënimit jubilar të LSHP

Botimi i librit të prof.Riza Rexhës “Ulqini në vitet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”, në kuadër të edicionit të Art Club-it në vitin 1998, paraqiste rast të volitshëm për shënimin e kësaj ngjarjeje madhore nga historia e popullit tonë. Andaj, me rastin e përurimit të këtij libri vendosem të shënojmë në mënyrë solemne këte jubile pra 120-vjetorin e themelimit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Veprimtaria u mbajt në Ulqin në hotelin Albatros me 11.12.1998. Një ditë para së të mbahet kjo veprimtari në shënj respekti vendosa që të ftoj edhe dom Simon Filipaj, ku në biseden telefonike që kam pasur me të ne mes tjerash i tregova qellimin e kësaj thirrjeje, duke e ftuar që të marrë pjesë në ketë veprimtari e cila ishte e para e këtij lloji që organizohet në qytetin e Ulqinit. Ai u gëzu shumë për ftesën dhe për ketë veprimtari ku në mes tjerash tha se më kënaqësi do të isha me ju, por jam i sëmurë dhe gjindem në shtrat, andaj e kam të pamundur të vi. Pasi u falendëru për ftesën, porositi që të përshëndetën të gjithë të pranishmit pjesëmarrës në ketë takim. Dhe unë ketë mesazh iu përcolla të gjithë të pranishmëve të cilët e përshëndetën më duartrokitje. Cekim se dom Simon Filipaj  vdiq me 1 shtator 1999 dhe është varrosur në vendlindje(Kllezën Poshtë).

Shënohet 75-vjetori i lindjes dhe seminari  shkencor

Me 1 maj 2000, Shoqatat ”Art Club” dhe “Dom Gjon Buzuku” organizuan një manifestim përkujtimor me rastin e 75-vjetorit të lindjes së dom simon Filipaj. Salla e objektit “Hollegro” në Ulqin, ishte e vogël për të pranuar të gjithë pjesëmarrësit. Ishte kjo një mbrëmje akademike, ku përveç referuesve si Riza Rexha, Nail Draga, Ismail Doda, Haxhi Shabani, Luigj Shkreli etj., u prezantuan edhe pika të veçanta muzikore të organizuara enkas për ketë veprimtari nga kori i kishës së Shën Gjergjit. Materialet e prezantuara nga kjo veprimtari janë botuar në revistën LEMBA nr.3-4/2000.

Duke vlerësuar lart veprimtarinë klerikale e kulturore të dom Simon Filipaj, me rastin e dhjetë vjetorit të botimit të Biblës në shqip(1994),  në organizim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë më 24 maj 2004, është mbajtur Seminari shkencor me titull ”Bibla shqip dhe  tradita”.  Në seminar 13 studiuesit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Zvicra  dhe Italia, kanë trajtuar vlerat e përgjithshme gjuhësore e kulturore  në përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe.

Konferencë shkencore, filmi dokumentar dhe dekorimi

Ndërsa me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij në Tiranë, më 11 nëntor 2009, në organizim të Qendrës së Studimeve Albanologjike     u mbajt Konferenca shkencore “Filipaj dhe Bibla shqip” ku janë prezantuar 11 kumtesa nga studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali I Zi dhe Italia, të cilat janë botuar në vëllimin “Bibla shqip dhe Filipaj”, (Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti Filozofik dhe Teologjik, EB”Gjergj Fishta”, Lezhë, 2010).

Në korrik të vitit 2002 një grup intelektualësh nga Ulqini dhe rrethina themeloi Shoqatën “Dom Simon Filipaj” me seli në Ulqin, e cila kishte venë për detyrë që të ruajë dhe përhapë veprimtarinë e tij. Në fillim të vitit 2003 kjo shoqatë në bashkëpunim me Shoqatën “Dom Gjon Buzuku” realizoi filmin dokumentar “Dorarti Gojëmbël ” kushtuar jetës dhe vepres së dom Simon Filipaj ideuar dhe realizuar nga dom Nikë Ukgjini.
Poashtu duhet cekur edhe dekorimin e tij nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Alfred Moisiu me Dekretin nr.2458 të datës 8.6.2004 ku dekorohet me medaljen “Naim Frashëri i artë”(pas vdekjes).

Shtatorja në Shën Gjergj dhe emërtimi I rrugës

Në nderim të figures së tij, bashkëkombasit tanë në Nju Jork nga komuna e Ulqinit, në vitin 2005, kanë themeluar Fondacionin “Dom Simon Filipaj”, ndërsa për ta përjetësuar emrin e tij,  me rastin e 15-vjetorit të vdekjës, ata  kanë mbledhur 36.000 dollarë, dhe kanë ngritur shtatorën  e tij, me 2 shtator 2014, vepër e skulptorit Kreshnik Gjika, në oborrin e famullisë së  Shën Gjergjit, aty ku ka përkthyer Biblën në gjuhën shqipe.

Ne nderim të emrit dhe veprës së tij në vitin 2015,  në cilësinë e kryetarit të Këshillit për dhënien e propozimeve  për  emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, kam propozuar qe të bëhët zhvendosja e emrit të tij nga një rrugë periferike(sipas vendimit të komunës së Ulqinit në vitin 2002) të rruga kryesore nga Ulqini për në Tivar, nga pompa e vjetër e benzinës e  deri të Bratica të emërtohet me emrin Simon Filipaj, që është miratuar në mbledhjen e Kuvendit komunal të Ulqinit me 20.7.2015.

Po ashtu duhet cekur se me rastin e 20-vjetorit të vdekjës së tij  me 21 shtator 2019, organizuar  famullia e Shën Gjergjit u mbajt  një takim përkujtimor, duke vlerësuar lartë jetën dhe veprimtarinë e dom Simon Filipajt, si klerik, përkthyes e krijues në favor të fesë dhe të identitetit kombetar shqiptar.

Përfundim

Në sajë të rrethanave shoqërore të kohës, nuk ka dilemë se nuk ka qënë e lehtë me qenë klerik me dinjitet në sistemin monist, sepse atyre iu ka penguar  predikimi fetar të qytetarët  nga kleriket me autoritet, e i tillë ishte dom Simon Filipaj. Ndërsa të jetuarit dhe vepruarit fillimisht në Triesh(Malësi të Madhe) dhe në Shën Gjergj në breg të Bunës, përkatësisht në zonën kufitare, ishte sfidë për çdo individë, ku Simon Filipaj qëndroi vertikalisht duke sfiduar rrethanat e kohës.

Pikërisht qendrimi i tij si klerik, përkthyes e krijues është nderuar vazhdimisht në të gjallë dhe pas vdekjës. Edhe ky organizim e kjo pjësmarrje në 25-vjetorin e vdekjës  së tij e dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

(Fjala e mbajtur me rastin e 25-vjetorit të vdekjës së dom Simon Filipaj,  në Shën Gjergj me 31 gusht 2024)

Exit mobile version